• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

July 17th, 2025
  • HOME
SEFER PASHA/ Reportazh për nënë Hyrën e Hashim Thaçit në Skënderaj
Home
Blog

SEFER PASHA/ Reportazh për nënë Hyrën e Hashim Thaçit në Skënderaj

June 23rd, 2025 F.autor Blog 0 comments

Në varrimin e babait të Hashim Thaçit janë qindra vetë. Po çka bërë ky njeri që po përcillet me fjalë prushi dhe me kaq bujë në Bujovë i thashë vetes, ku jeta është e “idhët si mjalta dhe zi si bora”?. Nuk kishte vetëm gjëmime topash. Në një tregim Kadareja thotë se populli nuk ta fal kollaj as këngën dhe as lavdinë. E ngrej kokën dhe dua të shoh nënën e Hashim Thaçit, Hyrën. Pylli i njerëzve në mort nuk më lejon.

Vorreza të ngjeth. Kështu janë dhe varrezat e fshatit tim në Mallakastër. Në hyrje të varrezës së fshatit atje në jug mbiu një bajame. Kur ajo u rrit i nxori thelpinjtë të hidhura. I merrnin zogjtë me sqep dhe i çonin tek foletë në pyll, por as të vegjëlit nuk i hanin. Rreth vorrezës u bë një korie me bajame. As tufat me dhi nuk ua hanin fletët dhe as skiftëret nuk i ndërtonin foletë majë bajameve plot me kokra, që nuk i shkundëte as dimri. Nuk hahet buka e varreve.

Atmosfera në fshatin e Hashim Thaçit nuk më ngjan me një ceremoni mortore, por si një festë e zëmëruar. Serbët kanë vrarë e zhdukur mijëra vet. Në betimin e milicisë serbe thuhet se: – “Pa Kosovën, nuk ekziston as populli im serb”. Nuk ka shumë kohë dhe një fëmijë me biberon u gjet në një varr masiv. Gjatë luftës milicët serb hodhën në Drin një kamjon me fshatar nga Krusha e Madhe dhe i vunë zjarrin. Përdhunoheshin në sy të burrave me dhjetra gra. Nje mami plak që bënte dështimet e grave të mbetura shtatëzëna me serbët foshnjat i hidhte nga shkembi. Por pati dhe gra e vajza që i lindën fëmijët me prindër ushtarët e Millosheviçit. Ata janë rritur dhe janë pronar në Kosovë. Gjysma e prindërve janë serb e gjysma kosovar. Më kanë treguar në Rahovec se çetnikët serb u delnin përpara karvanit me krushqe, u drejtonin armët dhe u mernin nusen. Dhe një natë nusja do të flinte me komandantin e milicisë serbe. Po përmend shifra: Në Krushë të Vogël serbët zhdukën 80 përqind të meshkujve nga mosha dhjetë vjeçare deri në moshën 77 vjeçare. Të gjitha gratë e fshatit janë vejusha. Janë vrarë 113 burra. Në Krushën e Madhe u vranë 270 burra. Në Reçak 70 të masakruar. 36 të vrarë në Trinje, 367 në Korenie e lista nuk ka të sosur. Vetëm në zonën e Drenicës së Pashës cetnikët serb kanë therur dhe hedhur në Drinin e Bardhe 1 000 fëmijë. Në datën 5. 6. 7 mars të vitit 1989 serbët i vranë Ademi Jasharit 70 pjestar të familjes.

Autori: Sefer Pasha

Nuk dal dot nga ky ciklon i krimeve të serbëve. Përpiqem të shoh nënën e Hashim Thaçit, Hyrën, sikur ajo të qe nëna ime, Dekua, në Mallakastër. Dhe në një heshtje të rëndë nis të belbëzoj këngën e Xhebro Gjikës nga Lumi i Vlorës:- /Andej lart nga fshatërat//Qan nëna në penxhere/. Mërmërijë këngën dhe e pyes veten: – Po nënat serbe a qajnë? Jo, jap përgjigje. Nënat serbe që kanë lindur këta kriminel nuk qajnë. Ndryshe janë nënat kosovare. Një këngë e krijuar në Skënderaj bën fjalë për një nënë, e cila e ka nisur për në betejë djalin e vetëm. Bashkë me të kanë qenë dhe moshatar të tjerë. Pas betejës djali kthehet në shtëpi i vetëm. Nëna si vajtojcë fillon të qajë:- /Pse u ktheve ku i ke shokët?//Unë për ty i prefsha flokët/.

Qëmotova shumë. Nënat serbe nuk qajnë se djemtë e tyre luftojnë për “djepin e Serbisë”, që është Kosova. Kurse nënat kosovare këngët e tyre i kanë vaje se banditët u kanë vrarë djemtë. Kërkojë me sy nënë Hyrën dhe nëpër dhemb recitoj vargjet e Pablo Nerudës:- /Ne mund të ekzistojmë//Megjithëse jetën tonë//Se duan ca bijë putanash/. Është një kasetë me këngë në Skënderaj njëra prej të cilave vazhdon mbi dy orë. Një djal niset për të kërkuar të motrën që ja ka rrëmbyer një milic serb. Skënderasi e kërkon të motrën nëpër Serbi dhe më në fund e gjeti të vdekur. Kur ai u kthye me eshtrat e të motrës në çantë qe plakur. Asnjë njeri nuk gjeti të gjallë në fisin e tij.

Nuk po mar vesh se çfarë thonë në mort folësit për Haxhi Thaçin. E hedh vështrimin rreth e rrotull. Kërkojë kryeministrin Kurti, por më thonë se nuk ka ardhur. Ai ndërton ura aty ku nuk ka lum. Do kisha dëshirë që së paku të ishte Donika Gërvalla. Por as ajo nuk shfaqet. Kam një kujtim të paharruar me të. Isha në doganën e Kakavijës. Shteti shqiptar solli nga Gjermania familjen e Isuf Gërvallës. Tek porta me tela ambasadori shqiptar në Athinë futi Zana Gërvallën me tre fëmijët. Unë kisha detyrë të posaçme që me trupin tim të mbuloja vajzën e vogël me emrin Donika. Kishim të dhëna se UDB -ja mund të qëllonte që nga taraca greke me snajper në tokën shqiptare. Gjithçka shkoi mirë atë mëngjes. Në një nga kocertet e majit në Tiranë Donika ka bërë fotografi me Enver Hoxhën. Është botuar me qindra herë në shtypin shqiptar.

Shfletova këngë të folklorit serb dhe mbeta i befasuar. Këndoheshin këngë pa fund themelusit të gjuhës serbe Stefanaq Karagjigjit, i cili ka thënë se: – “ku ka një serb është tokë serbe”. Nuk mungonin as këngët për serbin famkeq Çubriloviç, që kishte botuar një libër, ku qe vlerësuar me çmime për shpërnguljen e serbëve nga Kosova drejt Shqipërisë së jugut.

Nënat në Skënderaj janë në zi. Kjo përmblidhet në vargun homerik të këngës: – “Ç’janë këto gjamë që po i bjen era!”. Këngët e tjera rapsodike janë këngë lufte, trimërie, historike e legjendash. Një familje që përndiqej në Skënderaj udhëtoi në male e bjeshkë dhe përfundojë në Bullgari. E ndërsa ndjek peisazhin tragjik të ceremonisë mortore për Haxhi Thaçin sytë më vajtën tek një shpend i zi, i cili qëndroi në degën e një peme të thatë. Mua mu duk si qyqe. Jo, i thashë vetes. Jemi në mars. Nga fillimi i prillit nis të këndojë qyqja në Bujovë e në bjeshkët e Skënderajve. Në materjalet që po mbledh për një monografi kushtuar Hashim Thaçit miqtë nga Skënderajt më patën treguar se nënë Hyra kur Hashimi ishte i vogël ajo i fuste në gojë një grusht më gjalp të freskët dhije ose deleje. Haje të gjithë i thoshte nëna Hashimit. Po ta hash të gjithë këtë gjalp je i ngopur dhe “nuk të mund dot qyqja”. Pyeta shumë në Bujovë për këtë thënie të nënë Hyrës se po të hash një grusht me gjalp “nuk të mund qyqja”. Përgjigjet ishin të shumta. Por një gjë ishte e qartë si drita e diellit. Në Skënderaj si në gjithë Kosovën e duan qyqen dhe këngën e saj. Kënga e qyqes sjell mbarësi, bie pranverën. Në fshatin tim në Mallakstër më tregonte nëna, Dekua, kur fshatarët në prill e në maj dëgjonin këngën e qyqes dilnin nga shtëpitë dhe qëndronin në oborr. Aty i hiqnin këpucët, çorapet dhe këmbët i vinin mbi dy pllaka guri. Në këmbë rrinin gatitu dhe mbanin vesh këngën e qyqes. Futeshin nëpër shtëpia kur largohej qyqja me këngën e saj. Të tjera damlla më thanë për qyqen në fshatrat serbe, që nuk ishin larg nga kufri pas malit të Mokinës e deri tutje në Tutin e Novi Pazar. Serbët po të shikonin ndonjë qyqe e vrisnin. E shikonin si një zog që sjell fatkeqësi. Këtë e ndjenin dhe qyqet. Ato rrallë këndonin në pyjet e Serbisë. Mbi çatinë e shtëpisë së Haxhi Thaçit në prill e maj qyqja ja bënte ku – ku dhe i zgjonte shpendët e mëhallës. Tek e shtjelloj në mendje “dramën” e qyqeve me serbët belbëzoj vargje nga poezia e Gëtes: – “Orakulli i pranverës”. Gëtja shkruan: -/Kukëzë, zog profetik//Më dëgjo, dëgjo, një çikë/…./Jeta festë e gjithë gaz//Kur s’të shemb asnjë tallaz/. Ishte botuar një libër në Mitrovicë me këngë popullore serbe. Rapsodi serb thoshte se qyqja është e mallkuar. Ajo në asnjë vend nuk ndërton fole. Vezët i lëshon ku mundet edhe në folenë e gjarpërit. E ngjashme ishte dhe një këngë që ironizonte shqiponjat e Kosovës. Sipas këngës së rapsodit serb shqiponja bën vetëm dy vezë. Njërin prej dy të vegjëlve e hedh të vëllain prej çerdhes menjëherë pas çeljes për tu liruar prej atij që do t’i merrte gjysmën e ushqimit, që i sjellin prindërit. Folkloristët serb gjithashtu e shkruanin shpesh në rapsoditë e tyre proverbin që e kishin shumë për zëmër: – “Edhe pse s’këndoi qyqja, erdhi pranvera”.

Haxhi Thaçi që po varrosim më kanë treguar e thoshte shpesh fjalën e urtë: -“Shit kalin dhe mëso djalin”. Dhe ky burrë i mënçur i Bujovës me mundime, por e shkollojë të birin. Shkojë nëpër mend ca proverba të Bujovës: – “Mban ashka nga trungu, mban djali nga prindi”, “Ai që s’ka nënë, nuk ka as diell dhe as hënë”. “Kërko shkop prej thane, kërko bir prej nane”, “Nuk luan lisi me fjalë, por do pykë e do sharrë”, “Copës së pëlhurës shihi anën, vajzës shihi nanën”, “Veshja ndërron pamjen, librat ndërrojnë mendjen”, “Sa herë rritesh, shkurtohesh, dhe sa herë zgjerohesh, ngushtohesh”, “Tri gjëra janë harram. Rakia, mishi i ngordhur dhe gjëja e vjedhur”,“Gardhet e mira bëjnë dhe fqinjët e mirë”, “Dihet kujt do ti shkojë kungulli mbi ujë”, “Fshesë ishe fshesë je, se takatin kaq e ke”, “Zogu në dardhë, hella në zjarr”, “Më shumë se dje, me pak se nesër”, “Pushka i qan hallet, qarja i shton hallet”, “Sa më i madh asht lisi, aq më shumë e rreh era”, “Paraja e hedh ujin në hava, çalltisja në male” , “Moj nusja e vokërr, çdo lule nuk lidh kokëërr”, “Jeta është e shkurtër. Mbushe me kërcim”, “Gjalp i dhënet, në lëkurë të qenet?, “Lepurit me i dhënë raki i thotë ujkut:- Më dil në mejdan!”, “U nis shyta për brirë, la dhe veshët”, “Lufta është për trima, mishi është për krimba”, “Shkoftë kohë e shkoftë mot, prapë e drejta del me not”, “Nuk pritet kumbulla se i bën hije kungullit”. Këto “Iljada” të vogla janë shkruar nën sundimin serb. Vet folkloristët serb thonë se Kosova është “tokë e gjakun”.

Në Kosovë edhe pas ardhjes së lirisë nuk po kthehet buzqeshja. Bjeshkët janë një prozë ku lexohen drama si ato të Hamletit – “Me vrerin e dëfrimin në balancë”. Urrejtja është aq e madhe sa kur korbat nga Serbia hedhin konserva në teritoret e fshatrave kosovare malësorët i pastrojnë sikur konservat e boshatisura të jenë bomba. Nëpër banesat e braktisura lehin qentë dhe mjaullijnë macet. As gjarpëri i shtëpisë nuk largohet. Presin të kthehen të zotët e zhdukur nga serbët. Vetëm dallëndyshet janë “tradhëtare”. Ato pasi kthehen nga shtegëtimi nuk i ndërtojnë më foletë në shtëpitë e rrënuara. I vizitojnë shtëpitë, ku dikur kishin ngritur foletë dhe kur nuk i gjejnë njerëzit i ngrenë “vilat”, aty ku banojnë skënderasit.

Gjatë bombardimeve të Natos një familje nga Bujova mori me vete dhe një çift me pëllumba të cilët ja donte i nipi. Pasi mbaroi lufta dhe u kthyen nga Kavaja bujovasi nuk i mori përsëri pëllumbat për në Kosovë. Ai fliste në telefon me kavajasin. Pëllumbt e Bujovës qenë shtuar dhe kavajsi nuk i nxirte nga kafazi. Por një ditë ai ndërroj mendje. E hapi kafazin dhe shpresojë se pëllumbat do të qëndronin brenda kopshtit me mollë. Por me tu hapur kafazi pëllumbat fluturuan lart. Kavajsi u shqetësua. Mbasdite atij i ra zilja e telefonit. Pëllumbat kishin mbrritur nga Kavaja në Bujovë. Sot pas varrimit do përpiqem të takoj një djal të ri, i cili kishte lindur gjatë luftës në Kaninë të Vlorës. Në Kaninë familje kishte mësuar të këndonte labçe. U kishte pëlqyer kënga e Donikës së Skëndrebeut. Tani në Skënderaj kjo këngë këndohej me çifteli. – /Nina, moj Labike, nina//Mjalt i mjaltit nga Kanina//Të na bëhesh si Donika//Si Donika të na bëhesh//Trima në kala të gjendesh/.

Bujovasit gjithashtu tregojnë dhe legjenda. Më thanë se në bjeshkët e Isogut veronin në të njëjtin stan një bari nga Skënderajt dhe një serb nga fshati serb Jabllanicë pas malit të Mokinës. Kur të dy barinjtë rrinin bashkë serbi çuditej me bariun nga Skënderajt. Kosovari kishte aftësi të habitëshme. Ai nëpërmjet imitimit i ndillte shpendët e bjeshkës. Atij i ngjiteshin në sup dhe skifterët. Kasollja alpine mbushej me pëllumba, lejlek, gjeli i egër, korbi, qyqja, dallëndyshet, shapka, bishtëtundësi, thëllëza, borsaku, errta, çafka, murrashi e të tjerë. Një mëngjes maj imituesit nga Skënderajt ju afrua një bilbil. Bariu kosovar cicërinte më mirë se bilbili në dritaren e kasolles. Përditë bilbili ulej në prehërin e bariut nga Skënderjat. Ai kurrë nuk i afrohej serbit, i cili i afronte bulmetra e lloj – lloj tagjirash. Serbi i çmendur nga kjo sjellje e bilbilit një mbasdite, kur kosovari po kthente dhentë për në vath e vret bilbilin me çifte dhe e hedh në lugun më të afërt. Kur u kthye bariu kosovari e ndolli me këngë bilbilin, por ai nuk u duk. Atij ja mori mendja se çfarë mund të kishte ndodhur. Për zhdukjen e biblilit të dy barinjtë u rrahën, u gjakosën dhe u ndanë për jetë. Serbi me tufën e deleve iku në fshatin e tij në Jabllanicë.

Edhe zakonet në Bujovë janë të çuditëshme. Kur bëhet dasëm i zoti i shtëpisë e përcjll ftesën tek miqtë me orkestër. Të gjithë në Skënderaj ta marin vesh se kush ka dasëm. Edhe serbët ta dëgjojnë orkestrën e të thonë se po bëhet dasëm në Kosovë. Një ndër cilësitë burrërore në Skënderaj është përballimi i dramave. Kjo është arrsyeja që kur vijnë gjëmat kosovarët dinë që tu bëjnë ball. Nuk dëgjon klithma dhe as ohe e ahe. Atje në jug në fshatin tim ligjërmi i vajit të gruas përfundon me vargun: – “Korba motro! – Korba porto!”. Vajtojca i drejtohet motrës se po i mbyllej porta. Kurse vajtojca në Skënderaj nuk i druhet vetëm mbylljes së portës. Ajo bën thirrje për kurajo. Të mos klithim se e kemi serbin tek dritarja. Dhe çuditërsisht vajtojca e Skënderajve puqet me këngën e Miro Tërbaçit, atje në malet e Labërisë, e cila vajti tek berberi dhe i kërkoi që ai t’ja priste folkët. Do të bëhej djalë dhe do të nisej që të merte hak për vëllanë që ja kishte vrarë Pashai. Dhe Miro Tërbaçi e vrau Pashanë.

Në blloqet e mia kam shënuar dhe një detaj. Kosovarët nuk dëgjojnë më muzikë sllave. “Vritesh” po të flasësh për Leba Brenën apo ndonjë këngëtar tjetër serb. Në Kaninë të Vlorës më thanë një gjë të rrallë. Kur në fillim të vjeshtës në Vlorë piqen ullinjtë që nga Serbia nisen tufat me një shpend që e ka emrin Gergu. Ky shpend instikitivisht shkon në jug se e ndjen erën e pjekjes së ullinjëve. Është një shpend me madhësinë e thëllënxës dhe ka mish shumë të shijshëm. Gjahtarët vlonjat e vrasin se ai bën shmë dëme në ullishta, por ata nuk e hanë. Gergu vjen nga Serbia ku janë masakruar kosovarët dhe ai është ushqyer dhe me kufomat e kosovarëve të vrarë nga Millosheviçi.

Edhe kur Kosova ishte nën pushtimin serb armiqësia vlonte. Ka gati njëqind vjet që një serb u vra nga rrufeja në bjeshkët e Skënderajve. Bjeshkëtarët e varrosën, por nuk e mbajtën mend vendin se ku e groposën. Serbët bjeshkën e kanë lëruar me thonj. Edhe tani futen fshehtas dhe e kërkojnë. E thonë troç se nuk i lënë të vdekurit serb në tokën e Kosovës. Edhe kur mardhëniet me serbët i lidhte ekonomia e përbashkët do të ndodhnin ngjarje të çuditëshme. Në një fshat në kufi me Kosovën një nuse serbe nuk i rronin fëmijët. Ajo i kishte lindje të vështira. Bareshat kosovare e shpëtuan. Në lindjen e rradhës ato e morën nusen serbe në një stan të kosovarëve në mes të një pylli. Me të filluar procesi i lindjes bareshat kosovare filluan të ushqejnë tufën me ujqër që përgjonin në rrëzë të shkembit. Me të filluar kuisjet rrënqethëse të ujqërve nusja serbe që nuk kishte dëgjuar kurrë klithje ujku u tmerrua. I harroi dhimbjet dhe lindi menjëherë. U çuditën serbët ku ata morën vesh se ç’marifet përdorën bareshat kosovare. Kjo lindje nga klithmat e ujqërve tregohet në fshatrat e serbëve edhe pas çlirimit të Kosovës.

Burrat në Skënderaj po t’i vështrosh me kujdes ata që në pamje të parë e kanë një difekt të vogël. Supin e djathtë e kanë më të ulët se ai i majti. Kjo ndodh se burrat në supin e djathtë përherë kanë mbajtur armë. Dhe kockat e supit janë anuar duke formuar një urë si ato mbi Drin. Më problem e kanë rrobaqepsit kur marin masat në të dy supet. Hashim Thçi e tregon dhe në Hagë se skënderasit dalloheshin dhe në rrugët e Parisit e të Uashingtonit. Nuk janë si gjithë vizitorët e tjerë. Ndonjë është me dorë të prerë e të tjerë kanë proteza në këmbë. I kanë gjymtuar serbët. .

Tek ndjek ceremoninë mortore mërmërijë këngën: – /Seç më doli gjumi//Dhe mu bë një këngë/. Këtë këngë e këndonte një mësues nga Skënderajt. Nuk e di mirë se në ç’rrethana familja e tij kishte ardhur nga Kosova në një fshat të Fierit. I ati në Fier e kishte shkolluar dhe i biri qe bërë mësues. Në ato vite të socjalizmit për nevoja pune atë e transferojnë në një fshat malor të Mallakastrës. Mësuesi nga Skënderajt në fshatin e largët e strehuan tek familja e Kryetarit të Këshillit. Pasi hëngrën darkë i zoti i shtëpisë i shtroi për të fjetur në odën e miqëve. Vite më vonë mësuesi ka treguar një detaj interesant. Në çastet kur skënderasi kishte vënë kokën në jastëk ai qe dehur sikur të kishte pirë raki. Jastëku ku vuri kokën ishte mbushur me farë borziloku.

Natën që kalojë e kalova në Galicë. Ka vite që merrem me luftën për të xhvarrosur Shote Galicën, që nga Fushë Kruja në Shqipëri për në Galicë pranë varrit të Azem Galicës. Miqtë në Galicë më thanë se nëpër Skënderaj duhet të qëmtosh mbi një fakt jo shumë të njohur për lexuesin e gjerë. Pas bombardimeve të Natos gjeologët serb i mbushën valixhet me hartat, ku ishin piketuar mineralet e çmuara të nëntokës kosovare. Malësorët e Skënderajve çuditeshin kur shikonin gjeolgët serb, të cilët i kapnin delet dhe dhitë në kullotë dhe u kontrollonin dhembët. Për çudi dhembët e bagëtive, edhe të lopëve, ishin të veshura me ngjyrën e floririt. E njëjta gjë ndodhte dhe me dhitë e egra në malin e Çiçavicës. Nëpërmjet dhembëve ngjyrë floriri gjeologët serb hamendësonin se ku ishin mineralet e çmuara në thellësi të tokës kosovare. Kur gjatë fushatës së bombarimeve u larguan gjeolgët serb ata i mbushën arkat me harta, me gur të rrallë bjeshke, më rrënjë lisash, me farëra lulesh e me shishe të mbushura me ujë në lugjet e Kosovës.

Atmosfera tragjike e varrimit të atit të Hashim Thaçit i shkon për shtat thënies së një eseisti që thotë se është: – “Kohë për të grisur, kohë për të qepur”. Por me serbët nuk ka kohë për të qepur. Edhe vet serbët e dinë këtë gjë. Është e pabesueshme, por e vërtetë. Familjet serbe mbajnë në pronat e tyre sakica, sharra e mjete të tjera prefse. Nuk lejonë që të rriten dru frutor dhe të egër nga të bjeshkëve të Kosovës. Edhe lisat edhe mollët janë “shiftar”. Dhe “shiftarët” bëjnë genocid në tokën serbe qoftë dhe me kumbullat e egra, që rriten kudo edhe pa u mbjellë nga dora e njeriut.

Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit është drejt fundit. Unë sjell në mendje dëshpërimin e Hashim Thaçit atje në Hagë. Në Labëri vargu i një kënge thotë:- /Kam përpara një kala//Do më hajë a do ta ha?/. Dhe kënga epike përfundon me një varg që të jep shpresë:- /Tej të zezës është e bardha/. Njëri nga folësit përpara arkivolit të Haxhi Thaçit kishte cituar këngën e vjetër të Bujovës : – /Lehtë ju qoftë mbi krye lëndina//Butë ju shkofshin moti dhe stina/. Haxhi Thaçi ka qenë dhe një tregimtar i thekur. Shpesh e tregonte në Bujovë atë që i kishte ndodhur Hasan Prishtinës, i cili njihej si njeri i pasur në Kosovë. Në një rast Hasan Prishtinën e kishin pyetur trimat nga Boletini: – Sa kushtonin kullat e tij që ata i kishin ball për ball? – “Sa një shi në korrik” – u qe përgjgjur ai. Nëpër dasma në Skënderaj këndohet mallkimi i Bajram Currit:- /Njerëz ju plaçin sytë e ballit//Qysh me i hangër paret e sllavit// Me ja shit vatanin djallit/.

Kthehem në të majtën time, andej nga bie mali i Pashtrikut, prej nga ku Hashim Thaçi kapërceu malin për në Rambuje. Atje në kreshtë të malit hasjanët i treguan birit të Kosovës se në majën e Pashtrikut është varri i shenjtë. Kur Fuqitë e Mëdha të Londrës i ndan kufijtë varrin e shenjtë ja lanë Shqipërisë. Por me prishjen e mardhënieve me Titon lindi një problem. Kosovarët nuk kishin ku të faleshin. Vija e kufirit e linte varrin në piramidën e Shqipërisë. Ja thanë Enver Hoxhës dhe ai dha urdhër që varri të spostohet një metër në tokën kosovare. Dhe ashtu u bë. Kolonel Skënder Alika e hapi varrin. Po ai qe shumë i thellë. Punun 50 kufitar për gjashtë muaj, por varrit nuk ja gjetën dot fundin. I zuri bora dhe ata që u përpoqën që të hapnin varrin u larguan për në Krumë. U hap një varr i ri. Në të ka vetëm gur.

Po të pyesësh në Skënderaj të thonë se ata kurrë nuk i shajnë nga nënat serbët. Nuk i lejon zakoni. Para se të fillonte lufta kishte ardhur në Skënderaj Jovica Stanishici si Drejtor i Sigurmit të Millosheviçit. Askush nga malësorët nuk kishte pranuar që të bëhej bashkëpunëtor i Udb -së. Jovica i kishte sharë kosovarët nga nëna. Kurse vendasit nuk e kishin ofenduar. Nuk i shajnë nënat kosovarët. Të vrasin për vatan, por nuk të shajnë nga nëna e nga motra siç bëjnë serbët. Kështu kishin vepruar skënderasit dhe me Arkanin[Zeljko Pazanatovicin], që qe rrebel dhe i fyente kosovarët edhe duke pirë kafe. Natyrisht ka pasur dhe ndonjë serb me vlera. Kështu shkrimtari serb Bora Qosiq, i cili ishte kundër Millosheviçit e ka bërë ushtrinë në Prizren. Ata ushtar kosovar që kanë qenë në një repart me shkrimtarin Bora Qosiq nuk i kanë grisur ftografitë, ku kanë dal anës lumit të Bistricës me shkrimtarin serb.

Jeta e Hashim Thaçit i ngjan Lules së Zjarrit në bjeshkët e Bujovës. Në disa lugje dëborën e dimrit e gjen në “gjumë” pranvera. Por të habit fakti që lulja e zjarrit e lëshon një syth nën borë me rrënjë në tokën e akullt. Dhe për të dal në dritë ajo me “sondën” e saj çan pesë – gjashtë metra nëpër orteku dhe i lëshon degët mbi dëborën anës rudinës. Nuk pyet për tonelatat e dëborës. Shtati i saj brenda dëborës shkon pesë e gjashtë metra si të jetë lis. Lules së Zjarrit i ngjan HashimThaçi, që po torturohet shpirtërisht në Hagë. Sigurisht që do të dal në dritë.

Sonte do të pushojë në qytetin e Prizrenit. Po mbledh këngët e moçme të malit të Sharrit. Një këngë e mërmërijë dhe në varrimin e Haxhi Thaçit: -/Ç’u këput një këmbë e Sharrit//Zuri tre barinj/. Ka dhe këngë të folkloristëve serb. Në këngët e tyre ata bëjnë fjalë se raca serbe është qiellore dhe gjithçka që nuk është sllave duhet të zhduket. Është për tu habitur që gjatë vizitës së tij në Beograd Putini kërkoi që të merte një klysh nga mali i Sharrit. Dhe kështu bëri. Tani klyshi i Sharrit do të jetë plakur në fermën e Putinit në Moskë. I zoti i tij nuk besohet që të meret me të. Krimet në Ukrainë e kanë çmendur.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article EDUARD ZALOSHNJA/ Valëza opozitare nga diaspora vetëm sa e përkëdheli murin elektoral të Ramës…
Previous article BEN ANDONI/ Modestia si hipokrizi e politikës

F.autor

Related Posts

AURON TARE/ Shteti i Muçit përballë Bardhës së Rigonit Blog
July 16th, 2025

AURON TARE/ Shteti i Muçit përballë Bardhës së Rigonit

EDUARD ZALOSHNJA/ Po autostrada Milot-Shkodër kur do të ndërtohet? Blog
July 14th, 2025

EDUARD ZALOSHNJA/ Po autostrada Milot-Shkodër kur do të ndërtohet?

MERO BAZE/ SPAK provoi se ka gjunjëzuar jo vetëm drejtësinë, por edhe qeverinë Blog
July 10th, 2025

MERO BAZE/ SPAK provoi se ka gjunjëzuar jo vetëm drejtësinë, por edhe qeverinë

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
FRROK ÇUPI/ Frika nga gjumi post- elekt

FRROK ÇUPI/ Frika nga gjumi post- elekt

Blog Jul 9th, 2025
ARTUR AJAZI/ Si ka mundësi? Blog

ARTUR AJAZI/ Si ka mundësi?

Jul 8th, 2025
MERO BAZE/ SPAK provoi se ka gjunjëzuar jo vetëm drejtësinë, por edhe qeverinë Blog

MERO BAZE/ SPAK provoi se ka gjunjëzuar jo vetëm drejtësinë, por edhe qeverinë

Jul 10th, 2025
LIRIDONA BEQIRI/ Samiti i Shkupit i Ramës dhe Kurtit: Iluzioni i progresit në hijen e ndarjes Blog

LIRIDONA BEQIRI/ Samiti i Shkupit i Ramës dhe Kurtit: Iluzioni i progresit në hijen e ndarjes

Jul 2nd, 2025
ALFRED PEZA/ “Këshilla një gazetari" për Alketa Vejsiun OP-ED

ALFRED PEZA/ “Këshilla një gazetari" për Alketa Vejsiun

Feb 7th, 2020
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k