Nëse nuk do të isha duke shkëmbyer si zakonisht sms-të e radhës me mikun tim Henri Çili, arratia e fundjavës, mund të ma kishte hequr kënaqësinë e leximit të një shkrimi në “Gazeta Liberale”, me titullin: “Gabimi konceptual dhe metodik i Alfred Pezës”.
Si një lexues profesionist, kuptova menjëherë sforcimin e kolegëve të një media të re, për të “provokuar” një debat të ri, sipas një stili të vjetër. Pasi e lexova me vëmendje, kuptova se ia kishte vlejtur që pak ditë më parë, të isha në ceremoninë e themelimit të “Gazeta…”. Sepse më në fund në këtë qytet, një bërthamë profesionistësh, po rreken sipas mënyrës së tyre, që të meren me idetë e njerëzve dhe jo me ata vetë. Shenjë e sigurtë, se diçka ka nisur që të lëvize pas reformës, edhe në universitetet tona!
Në shkrim thuhej: “Ditën e enjte, në emisionin “Open” në “Top Channel”, Peza artikuloi tezën se vendi nuk po përjeton ndonjë krizë politike. Për ta mbështetur konkluzionin, ai tha se ajo e së mërkurës kishte qenë protesta e tetë radhazi e opozitës që prej fillimit të tyre dhe, theksoi ai, ajo kishte pasur më pak pjesëmarrje se të mëparshmet. Pjesëmarrja në rënie në protestat e opozitës tregon, sipas sekretarit Peza, jo vetëm që protesta nuk është popullore, por edhe që nuk ka krizë politike në vend. Pra, siç edhe pritej, Sekretari ka të njëjtin argument si Kryetari.”
Pikërisht këtu buronin sipas shkrimit jo një, por plot dy gabimet e mia: I pari konceptual dhe i dyti, metodik! Bukur.
Për të gjithë ata që nuk e kanë ndjekur “Open” këtë radhë, më duhet të them se sforcimi për të më cituar jashtë kontekstit, në mënyrë që të përligjur titull nuk është një gjë e re në Shqipëri. Përkundrazi. Kështu që më duhet të them se edhe ata që nuk janë dakord me idetë dhe qëndrimet e mia politike në publik, e dinë se nuk mund të jap një shembull kaq naiv, për të mbajtur në këmbë një tezë që kam kohë që e artikuloj: PO, në Shqipëri ka një krizë politike. Një krizë të thellë madje. Më e thella e 30 viteve të fundit.
Por, në ndryshim nga sa thuhet në këtë artikull, për mua, kjo krizë është brenda lidershipit të opozitës. Nëpërmjet aktit të paprecedentë të djegies “on block” të mandateve, ata u rrekën që ta injektojnë krizën e tyre, articialisht në gjithë sistemin e vendit. Duke dalë jashtë Parlamentit, lidershipi opozitar besoi se do ti hiqte gurin e themelit sistemit demokratik, në mënyrë që të rrëzonte gjithë ngrehinën e tij, e bashkë me të edhe qeverinë e kryeministrit Edi Rama. E pas kësaj, duke marë pushtetin në tavolinë, të pengojnë reformën në drejtësi. Pikërisht këtu buron i gjithë thelbi i krizës opozitare, të cilën e ushqen frika e ndëshkimit nga SPAK e BKH, për të gjitha krimet që kanë bërë këto 30 vjetët e fundit në Shqipëri. Kaq.
Shembullin e protestës së fundit, e dhashë për ti ofruar gjithkujt një pasqyrë, nga ku mund të shihnin live e të vizatuar me ngjyrat e saj reale, krizën e thellë të opozitës. E cila kishte thënë se për aktin e vet “in extremis”, të panjohur kurrë më parë në historinë e demokracive funksionale të botës modern, ajo kishte dëgjuar vullnetin e popullit shqiptar. Protesta e tetë, tregoi se jo vetëm popullin që nuk e kanë më me vete, por tani kanë filluar që të mos I ndjekin pas, as ish deputetët e vet, drejtuesit, anëtarët dhe përkrahësit e tyre.
Kjo është e vërteta liberale e gabimeve të një gazete, që po dëshmon në mënyrë metodike se konceptet politike, nuk mund të interpretohen nëpërmjet citimeve skolastike. Përtej pozicionimeve në dy anët e kundërta të litarit politik, mbetëm shpresëplot se miku im Henri Çili,- siç do të thoshte Gramoz Pashko,- do të dijë që të gjejë ndriçimin e duhur për ta çuar drejt suksesit, edhe projektin e tij të radhës.
Leave a Reply