• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
PIERLUIGI BATTISTA/ Perëndimi i papritur i Republikës së Dytë, njësoj si në 1994-ën
Home
Blog

PIERLUIGI BATTISTA/ Perëndimi i papritur i Republikës së Dytë, njësoj si në 1994-ën

March 7th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Të majtë apo të djathtë, nga Veriu apo nga Jugu, më të moshuar apo më të rinj, në 4 mars të 2018-ës, klasa politike e Republikës së Dytë në Itali u fundos. Ashtu si në vitin 1994, kur politikanët e Republikës së Parë “u dërguan në papafingo”. Atëherë erdhën “të rinjtë”, berlusconianët, legistët. Ndryshuan veshje, të folur, mënyra të jetuari, referime ideologjike. Sot, në tërmetin elektoral që ndryshoi konotacionet e sistemit politik, janë marrë me vete edhe ata, të rinjtë e ’94-ës që u hoqën mënjanë, 24 vite më vonë. Po si, Matteo Salvini, a nuk është legist? Po është, por është një legist krejt i ndryshëm nga ata historikë. Ka groposur politikisht Bossin, Maronin, pothuaj të gjithë klasën drejtuese të partisë nordiste dhe indipendentiste. Ka një të folur krejt të ndryshme, është nacionalist, sovranist, populist, ka hequr Veriun nga shenjat e partisë me gjurmë bossiane.

Klasa drejtuese që la Partinë Demokratike për të bërë një listë të vetën? U hodh tutje, e kufizuar në qoshen e parëndësisë. Massimo D’Alema, një prej protagonistëve kryesorë të sezonit të të ashtuquajturës Republikë e Dytë, pësoi një humbje poshtëruese në Pulia. Pier Luigi Bersani, e mbyll ciklin e tij politik, Maurizio Crozzas do i duhet të bëjë pa të. Dhe Vasco Errani, Enrico Rossi, kryebashkiakët si Zanonato: kapitull i mbyllur. Mbledhësit e mëdhenj të votave në Jug që kanë qenë skeleti elektoral i PD-së së Mezzogiornos: mbyllja e një sezoni për Michele Emilianon në Puglia, ku 5 Stelle pothuaj arritën 50 përqindëshin, apo për De Lucan dhe familjen në Campania, ku 5 Stelle e kanë kaluar atë 50 përqindësh. Edhe këtu, Maurizio Crozza do të duhet të studiojë për të gjetur kundërshtarë satirikë me fjalë të sajuara. Dhe në Partinë Demokratike, janë errësuar shumë shpejt yjet që duhej të kishin shkëlqyer duke marë vendin e brezit të themeluesve. Shumë prej tyre kishin ikur tashmë. Tashmë, zambaku magjik është tharë tragjikisht, përmbysësit janë përmbysur edhe vetë.

Paraqiteshin si e reja, por ishin bij të një partie që në vitin 2013 kishte humbur tashmë dramatikisht zgjedhjet. Shijuan pushtetin me një 25% të fryrë deri në 70%, nga një prim shumice që për shkak të madhësisë së tij u shpall jokushtetues, dhe në pak vite, janë konsideruar të vjetër nga elektorati. Do të kishin dashur të ishin shpallësit e Republikës së Tretë, por u bënë kapitulli i fundit i të Dytës, që tani po zhduket.

Dhe ishte një iluzion optik edhe rimëkëmbja mahnitëse e Berlusconit, dominus-i simbolik i Republikës së Dytë. Kjo ishte e para fushatë elektorale, që ai e ka humbur vërtetë: të tjerat, edhe pse rezultati përfundimtar nuk ka qenë një sukses, ishin skenarë ringritjesh të çmendura, parakalimesh spektakolare, shfaqjesh prej Numri Një. Por këtë herë, humbja me aleatin-rival të tij, Salvini, ishte e thatë dhe pa asnjë rrethanë lehtësuese. E djathta e qendrës berlusconiane ashtu si e kemi njohur në 24 vite, me një udhëheqës të sigurtë, një mbledhës votash dhe mbështetjeje, është zbehur, e gëlltitur prej makinës së rëndë salviniane. Dhe e gjithë bota berlusconiane e Republikës së Dytë shfaqet e trullosur, pasi i duhet të kënaqet me një rol prej të dyti në një reshtim, që nuk është e thënë se mund të zgjasë shumë, nëse çështjet parlamentare do të merrnin drejtime të paparashikuara.

E shtyrë në skaje PD, e zvogëluar në një rol dytësor Forza Italia, e anuluar simbolikisht e majta që kish qortuar Renzin se nuk ishte mjaftueshëm i majtë, skenari politik italian ndryshon radikalisht protagonistë, klasë drejtuese, gjuhë, antropologji. Ashtu si politikanët e Republikës së Parë u përpoqën dëshpërimisht që të futeshin në rrymën dominuese të së Dytës, edhe tani të humburit e të Dytës përpiqen të luajnë një rol në sezonin e ri politik. Nuk do të jetë e lehtë.

Vetëm Pier Ferdinando Casini ia doli të fitonte betejën e tij nën portretin e Palmiro Togliattit. Por duhet të jesh bërë nga ai stof. / Burimi: Corriere della Sera – Bota.al

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article FLOGERT MUÇA/ Basha si ‘mashë’ e Kremlinit kundër BE-së dhe Shqipërisë
Previous article OLIVER BURKEMAN/ Nëse mesazhet tuaja mbeten pa përgjigje, qetësohuni

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k