• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
NDRÇIM KULLA/ E drejta e rikandidimit dhe vetëfrenimi etik
Home
Blog

NDRÇIM KULLA/ E drejta e rikandidimit dhe vetëfrenimi etik

June 27th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Me reformën në drejtësi janë shtuar institucionet e pavarura kushtetuese të vendit. Duke i vëzhguar ato të bie në sy një karakteristikë e përbashkët që ua ka dhënë ligjvënësi pothuajse të gjithë atyre, që drejtuesit e tyre të kenë mandat të gjatë, por që nuk ripërtërihet. Pra, drejtuesit e institucioneve të pavarura kanë mandate të gjatë në kohë, më të gjatë se mandati i kryeministrit apo presidentit të republikës, por në përgjithësi nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje. Kështu, Prokurori i Përgjithshëm ka mandat shtatëvjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka mandat nëntëvjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Kuptohet se ky kufizim ka ardhur nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar amerikano-europian që e ka ideuar dhe nxitur këtë reformë.

Arsyeja se përse është bërë kjo gjë, ka të bëjë me garantimin e integritetit të titullarëve të institucioneve të pavarura. Një titullar i një institucioni të pavarur, për të cilin Kushtetuta parashikon të drejtë rizgjedhjeje, do të joshet që në punën e përditshme të tij për drejtimin e institucionit përkatës, të ndikohet nga llogaritë për rizgjedhjen e tij, pra si të bëhet i pëlqyeshëm për ata që kanë në dorë rizgjedhjen e tij. Dhe meqenëse rizgjedhjen e titullarit të institucionit e ka në dorë Kuvendi, ku votat i ka politika, më saktë shumica parlamentare, atëherë titullari i institucionit dhe vetë institucioni që ai drejton do të bëjnë pazare me politikën që ka në dorë rizgjedhjen e tyre.

 

Kështu do të cenohet integriteti i tyre si drejtues, por edhe integriteti i institucionit. Pikërisht për këtë arsye në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm ligjvënësi ka parashikuar madje që edhe zgjedhja e tij të bëhet me tre të pestat, duke i hequr të drejtën e rizgjedhjes.

Në institucionet e pavarura kushtetuese ku titullarit nuk i ndalohet rikandidimi dhe të tillë janë pjesa më e madhe e tyre (Kontrolli i Lartë i Shtetit, Banka e Shqipërisë, Avokati i Popullit) ekziston rreziku që të komprometohet imazhi i titullarit të tyre, duke u krijuar teori konspiracioni sikur ai po bën manovra me politikën për rizgjedhjen e tij. Në kontekstin aktual nuk duhet të ngatërrohet absolutisht e drejta e kandidimit të guvernatorit aktual të Bankës së Shqipërisë z. Genti Sejko (i cili jo vetëm që e ka disiplinuar  dukshëm punën në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, duke punuar me profesionalizëm dhe përkushtim), por dhe sepse në fakt ai ka konsumuar deri tashti një mandat plotësues në vijim dhe e drejta e kandidimit të tij qëndron e mbështetur plotësisht nga çdo kriter ligjor dhe profesional.

Në kushtet kur ligji nuk ia ndalon të drejtën e rikandidimit, duhet që titullari i institucionit të pavarur të veprojë duke treguar sens të lartë të etikës institucionale, sipas standardeve ndërkombëtare.

Nuk mund të mos e përmend se një shembull i tillë na u dha kohët e fundit nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, i cili i frymëzuar nga Kodi i Etikës ISSAI 30, që vepron në rang ndërkombëtar në fushën e institucionit të tij, si dhe në plotësim të Kodit të Etikës së vetë institucionit të tij, me vendim të datës 20 Prill 2018, miratoi “Kodin e Etikës së Kryetarit të KLSH”.

Në nenin 4 të këtij kodi thuhet: “Kryetari i KLSH-së, në ndjeshmëri të lartë dhe përgjegjshmëri maksimale ndaj pasojave të  problematikës që paraqitet përpara titullarit të një institucioni kushtetues të pavarur që mund të rikandidojë për pozicionin që mban, problematikë e cila rrezikon të cenojë pavarësinë e shenjtë të institucionit të pavarur kushtetues që ai drejton, e deklaron publikisht përgjatë viteve që ushtron aktivitetin synimin dhe vullnetin e tij për të mos rikandiduar, si dhe, katër muaj përpara datës së mbarimit të afatit të qëndrimit në detyrë, deklaron publikisht dhe i adreson Presidentit të Republikës kërkesën për mos-rikandidim për t’u rizgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke jua bërë me dije edhe Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit”.

Ky është një standard i ri që vlen për t’u vlerësuar dhe për t’u marrë për model.

Është një vendim ky që do nderonte çdo njeri dhe që heq çdo hije dyshimi mbi veprimtarinë e tij në përfundim të mandatit, si dhe ruan të pacenuar integritetin e tij personal si drejtues dhe atë të institucionit. Kur z. Leskaj e ka marrë dhe e ka shpallur këtë vendim të vështirë, ai sigurisht që ka patur parasysh edhe disa precedentë të institucionit të tij, kur dy paraardhës e tij bënë përpjekje për të rikandiduar në vitet 2004 dhe 2011, duke e dëmtuar shumë punën e institucionit në përfundim të mandatit të tyre, sa i përket evidentimit të shkeljeve në përdorimin e të ardhurave dhe resurseve publike. Sepse gjithë “makineria” e institucionit u vu të punonte me kapacitet të plotë për rikandidimin e titullarit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ish-prokurorë të Përgjithshëm, apo edhe me ish-Avokatë të Popullit, ish-guvernatorë të Bankës së Shqipërisë para guvernatorit aktual z. Sejko.

Historia jonë sado e shkurtër e institucioneve demokratike na ka mësuar se gjithnjë mandatet e dyta, qoftë edhe ato të partive politike për të qeverisur vendin, kanë qenë më afër dështimit se suksesit. Prandaj do të ishte mirë që ky shembull aktual ku vullnetarisht hiqet dorë nga ushtrimi i së drejtës së rikandidimit, të ndiqej edhe nga titullarë të tjerë të institucioneve të pavarura, që kanë të drejtë rikandidimi.

Sigurisht që secili titullar që gjendet në situatën kur mund të rikandidojë ose jo, mund të justifikohet me atë se  të drejtën e kandidimit ia njeh Kushtetuta dhe se kjo e drejtë është pjesë e korpusit ligjor të institucionit përkatës. Por nuk duhet harruar se po kjo Kushtetutë kërkon nga zyrtarët e lartë që të kenë një figurë morale dukshëm më të pacenuar se qytetarët e zakonshëm, që nënkupton edhe pasjen e një etike veçanërisht të lartë. Dhe ai që e zotëron këtë etikë di pastaj si të sillet në situatën e dhënë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ANJEZA XHAFERAJ/ Mbi koalicionin PD-LSI
Previous article ARTUR ZHEJI/ Shqipëria është bërë “by*hë”, Rama lëshon bajga, pordhë me rigon dhe nxjerr by*hën në ballkon

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k