Një koalicion mes PD dhe LSI duket më se i mundshëm, bazuar kjo në takimet e shpeshta mes krerëve të partive dhe retorikës së përdorur prej tyre. Zgjedhjet, taksa e rrugës së Kombit, korrupsioni, trafiku i drogës, vetingu janë disa nga pikat ku qëndrimet e dy krerëve përputhen dhe me sa duket përbëjnë, gjithmonë sipas tyre, një bazë solide mbi të cilën ata mund të ngrenë ‘opozitën e bashkuar’ kundër ‘regjimit’ aktual.
Megjithatë natyrshëm lind pyetja, nëse çështje të tilla, ndonëse mjaft të rëndësishme, janë megjithatë të mjaftueshme për të ndërtuar një koalicion të qëndrueshëm, që në rast fitoreje do të drejtonte vendin për katër vite. Për t’iu përgjigjur pyetjes, është me vend të dimë se ç’janë zgjedhjet dhe ç’rol luajnë ato? Zgjedhjet lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë preferencat e popullit, apo më saktë të grupeve të ndryshme shoqërore që përbëjnë popullin me politikat publike. Se cili është programi që ‘përzgjidhet’, këtë e vendosin vetëm zgjedhjet. Megjithatë zgjedhjet e votuesve kushtëzohen prej ‘paketave’ të politikave publike që partitë dhe koalicionet partiake servirin. Po cilat janë politikat publike që mund të servirin PD dhe LSI? Është e qartë që lufta kundër korrupsionit, lufta për një sistem të pastër të drejtësisë, lufta kundër trafikut të drogës dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk janë politika të qarta publike. Ato për nga natyra duhet të jenë pjesë e domosdoshme e parimeve drejtuese të çdo partie, pavarësisht se cilit krah politik i përket. A mund të jetë i suksesshëm në afatgjatë ky koalicion, pra pas fitimit të zgjedhjeve?
Qëllimi i koalicionit është realizimi i qeverisjes. Detyra e tij është t’i konvertojë kërkesat e ndryshme sociale në një set të menaxhueshëm politikash publike dhe aftësia e aktorëve politikë për të krijuar koalicione të suksesshme është esenciale. Në koalicion, në çdo fazë të ciklit jetësor të qeverisë, vendimmarrja del prej negociatave. Në të tilla negociata partitë kërkojnë dhe lëshojnë në të njëjtën kohë. Rezultatet formësohen jo vetëm prej negociatave aktuale, por edhe se negociatat zhvillohen nën hijen e zgjedhjeve të mëparshme, të ardhshme dhe nën kërcënimin e përhershëm të rivalëve politikë. Andaj, në këto kushte dhe për të patur sukses, partitë synojnë që koalicioni të ketë një spektër sa më minimal politikash, në mënyrë që edhe gjasat për kongruencë ndër partitë e koalicionit të jetë më e madhe. Pra, është më e lehtë të krijosh koalicion ndër parti që kanë preferenca të njëjta ose të ngjashme në lidhje me politikat publike.
Ajo çka vihet re në lidhje me koalicionet ndër partitë politike në Perëndim dhe në vendet postkomuniste është se në rastin e parë për të krijuar një koalicion janë të rëndësishme pozicioni ideologjik i partisë/ve, fortësia e tyre në parlament, performanca elektorale, performanca në qeverisje dhe eksperiencat e mëparshme qeverisëse, ndërsa në vendet postkomuniste performanca elektorale ka qenë faktori më i rëndësishëm, ndërsa pozicioni ideologjik i partive nuk ka qenë relevant. Sigurisht që kjo ka ndikuar edhe në qëndrueshmërinë e sistemeve partiake dhe të partive politike. Ndërsa në vendet perëndimore, sistemi partiak ka treguar qëndrueshmëri në vendet postkomuniste ai ka pësuar luhatshmëri dhe partitë politike kryesore, qofshin këto të majta apo të djathta kanë humbur terren duke i lënë vendin partive jo-ortodokse me programe politike të pakristalizuara dhe elektorat përkatësie të paqartë. Andaj, performanca elektorale e pashoqëruar me afërsi ideologjike nuk mund të shërbejë si një argument i mjaftueshëm për të krijuar koalicion.
Retorika aktuale e krerëve të PD dhe LSI është e ngjashme me retorikën e partive opozitare në fillim të viteve ‘90 kur tema e antikomunizmit ishte prezente dhe e mjaftueshme për të krijuar një të djathtë të fortë. Por një retorikë e tillë, tashmë e përqendruar në antikorrupsionin, drejtësinë, zgjedhjet nuk është e mjaftë për të krijuar kohezion në koalicion, sepse këto problem do të reshtin së krijuari kohezion ndërmjet partive, sapo ato të fitojnë zgjedhjet. Ndërkaq retorika e duhur për t’iu drejtuar elektoratit nuk është vetëm ajo e kauzave të ndryshme si ato që përmendëm më sipër, por ajo e politikave të qarta publike sepse tashmë, në dekadën e tretë të postkomunizmit grupet e ndryshme sociale janë të qarta dhe po aq të qarta janë edhe interesat e tyre.
Argumente të tjera se pse koalicioni nuk mund të funksionojë është se eksperienca ka treguar se kur qendra e djathtë dhe qendra e majtë bashkohen krijojnë një koalicion që e ka të pamundur të qeverisë, sepse partitë janë në tension me njëra-tjetrën dhe baza e tyre elektorale ka dallime të thella me njëra-tjetrën. Kongruenca e liderëve të PD dhe LSI nuk shoqërohet me simpati ndëranëtarësie në bazë. Për më tepër koalicioni ka treguar që nuk ka funksionuar. Ai është formuar një herë në 2009, kur pas zgjedhjeve vendet e LSI në parlament u bënë të domosdoshme për PD të krijonte një koalicion minoriteti dhe të qeveriste vendin, koalicion që LSI e prishi në fund të mandatit për t’iu bashkuar PS. Askush nuk mund të garantojë që një gjë e tillë nuk do të përsëritet, për sa kohë që koalicionet funksionojnë jo vetëm në bazë të rezultateve aktuale por edhe të zgjedhjeve të ardhshme.
Aq më tepër që kur krijohet një koalicion mes së majtës dhe të djathtës, kemi rënie të rëndësisë së vijës ideologjike dhe kjo në afatgjatë e dëmton procesin e konkurrimit ndër partitë politike, dëmton qëndrueshmërinë e sistemit partiak dhe krijon premisat për krijimin e partive populiste, gjë që nuk do të ishte fort e udhës për sistemin partiak shqiptar.
Së fundmi, pakënaqësitë nuk mund të kthehen në një shtyllë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet partive të ndryshme ideologjikisht, sepse për nga natyra, pakënaqësitë i përkasin popullit, ndërsa partive u përket programi politik që shkon shumë përtej adresimit të pakënaqësive.
Leave a Reply