Kërkoja më kot të hidhja sytë mbi bibliotekë për të dalluar se cilin libër do të merrja me vete në këtë udhëtim për të disatën herë në kryeqytetin çek, Pragë. Ndjesia që më përshkonte mendjen ishte e trazuar dhe kjo e bënte të vështirë zgjedhjen e llojit të librit. Ajo që kuptova pas ca ishte një libër i hollë që m’u gjet ndër gishtërinj, në kopertinën e të cilit dalloheshin ca thonj të hollë gruaje. Cvajg mendova, rrotullohem ngado dhe nuk i shpëtoj dot dëshirës për të qenë me të, sa herë kam shkak të arratisem prej tiranisë njerëzore që sjell të menduarit gjatë. Ora për t’u nisur kish ardhur.
Pragë, si prag lindjeje, prag vdekjeje, prag krishtlindjesh apo dhe si prag nominimesh e rikthimesh. Ishin këto fraza, në fakt, që papritur më erdhën ndër mend sapo avioni bëri uljen e tij. Dhe të gjitha këto aksione njeriu i fiton vetë, i jeton vetë dhe po aq i ç’meriton vetë. Sepse mesa duket pragu është kaluar ose më mirë, ai është shkelur. Por jo caku, ama. Ç’mu gjet kjo lloj simbioze e çuditshme, pikërisht tani?! Gjithmonë atëherë kur ti do të lidhësh një emër çfarëdo, me kuptimin e tij ose edhe me rrënjën e tij po të doni. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me dritat që shkëlqejnë poshtë lartësisë së reve apo dhe me ndriçimin që shoqëron gjithmonë rrugët ajrore sapo kalohet kufiri territorial. Kufiri, ai që shumë shpejt nga shtetëror në hartë, kthehet në administrativ. Pragën nuk kisha shumë kohë që e kisha vizituar. Një rrjet europian mbi kujtesën historike të kontinentit, mbajti një simpozium madhështor në kryeqytetin cek, me temë “Europa mes Luftës dhe Paqes 1914- 2014; Pikat e kthesës”. Qe një ngjarje e madhe në atë kohë, profesorë të njohur edhe nga SHBA morën pjesë aktivisht në shpalosjen e platformave të tyre mbi ngjarjet më të rëndësishme të historisë europiane të shek. XX-të. E ja ku u gjenda prapë, e nuk them se e kam njohur atë edhe pse kjo mund të jetë e shtata apo e teta herë që e vizitoj. Sepse me sa duket, vendet, ashtu si dhe gratë, duhet t’i njohësh kur sapo zgjohen nga gjumi. Të gjitha këto mendime më tirreshin në kokë ndërsa shënjoja me kaligrafi të shpërqendruar ndënë faqeve, rreshtat që më linin mbresë.
Ishte e folura klasike e stjuardesës që më shkëputi vëmendjen nga ky lloj triplanësh meditimi, për t’u bërë gati të mendoja zbritjen prej avionit. Asgjë më shumë veç muzikës së altoparlantëve dhe fytyrës së qeshur të tyre me buzët e kuqe, veshur me uniforma nuk shihje tjetër në sfond. Një pamje tjetër kërkova ndër mend. Portreti i dashur i filmit në bardh e zi “Ushtari i mirë Shvejk“, më preku dashamirësisht për ta pritur me buzëqeshje fëmije, ajrin e Pragës. Në aeroport, njerëzia ishte dyndëse. Diku një grup që harbonte me gëzimin e vet ndërsa diku tjetër në rrëmujë e sipër, disa të rinj gulçonin nën gazin që të sjell gota e dytë apo e tretë e birrës. Por ajo që më ra në sy, një detaj të cilin nuk e kisha harruar me sa duket ishte fakti që në Pragë është një gjë e zakonshme të shohësh gra me pantallona, kryesisht me uniformë të plotë, me këmishë, kravatë e këpucë burrash, si dhe me një topuz të fshehur nën kapele. Bënte vapë. Mania ime për të gjetur ngjashmëri në cilindo personazh të Hashekut me fytyrat çeke, sa herë zbrisja në Pragë, më bëri t’i thërrisja e buzëqeshur, një burri të stërmadh në përmasa, i cili në qejfin e tij po rrëkëllente gotën e mbushur me birrë të zezë: Hello, Mr. Shvejk. Ai sakaq i dyzuar, pasi pa se nuk kish njeri tjetër rrotull, ma ktheu po aq në lirinë e tij të plotë: Ej, jo Mister Shvejk, ushtari Shvejk, duke më korrigjuar, në fakt, jo pa qëllim.
E di, ia ktheva qesëndisëse për ta mbrojtur mirë atë që i kisha thënë, por ushtari juaj Shvejk, mendoj e besoj se ishte vërtet një zotëri. Ha, ha, qeshi ai, dhe rrëkëllente gotën e stërmadhe të birrës që s’dihej ku e kish fundin. Në fakt nuk kish për t’u menduar shumë për këtë vend. Ishim rritur me filmin dhe librin e Hashekut, me personazhin e dëlirë me emrin Shvejk, i cili pohonte me ndershmëri se quhej Shvejk, sepse kështu i quhej nëna dhe babai, dhe nga ky rregull duhej patjetër të quhej edhe ai kështu. Qesha me vete kur e mendova këtë gjenialitet kaq të brishtë të ushtarit çek, që nuk ish aq budalla kur shpjegonte këtë fenomen pavarësisht se kjo mendje e tij e çoi të ishte banor i një tjetër ambienti që ai e superoi me sukses, spitalin psikiatrik. Dhe duket se ky popull gjithë historinë e vet e ka përshkuar duke qeshur. Këtu ka kuptim të vërtetë ajo që dëshironin filozofët antikë grekë: “Të ndahesh nga e kaluara duke qeshur”. E qeshura prej tërmeti e ushtarit të mirë Shvejk shkatërroi perandorinë më të madhe të kohërave moderne, perandorinë austro-hungareze. Devocioni “in extremis” i shtetasit “sherr-budallë”, siç e kanë cilësuar shpesh studiuesit, me ngulmimin e tij për të nxjerrë certifikatën e lindjes dhe për të lënë spitalin në emër të “thirrjes së atdheut”, si çdo stërzmadhim tjetër, dërrmoi edhe autoritetin e kurorës së perandorit sovran.
Kisha mbërritur në hotel papritur. Mendimet mbi kujtesën historike të librit të Hashekut më kishin përfshirë megjithëse kolegët po më pyesnin për të disatën herë se në kisha dëshirë të darkoja me ta. Një grua e shërbimit në recepsion ma bëri me shenjë se nuk mund të ngjitesha për sa kohë nuk qenë kontrolluar e verifikuar mirë pasaportat edhe në një sportel tjetër. Dy të rinj i qëndronin te koka. Dukeshin të sjellshëm, e me uniforma verore të përsosura, të lehta dhe të rehatshme. Më tej shokët kishin porositur pije të freskëta, birra të shkëlqyera çeke, të cilat erdhën me kuti me një shënim të shtypur: “Prishe kutinë pas përdorimit”. Këto masa higjienike ndiheshin kudo në ditët në vijim. Restorantet në Pragë janë të pastra e me dritë ndërsa tualetet janë më të mira, thonë se, në çdo vend tjetër të Europës Perëndimore.
Të nesërmen udhëtimi me autobus na rrëshqiti përmes një zone bujqësie të mekanizuar, ku dukej se ishte shfrytëzuar çdo centimetër. Gjithkund shihje vepra gjigande të inxhinierisë hidraulike, të përfunduara ose në ndërtim e sipër. Afër Pragës, arat e mbjella u zëvendësuan nga qendrat industriale. Dikur kisha lexuar se Çekosllovakia furnizonte me makineri shumë vende perëndimore dhe krejt botën socialiste, përfshi dhe Bashkimin Sovjetik. Gjatë periudhës komuniste, në këtë vend regjisorët e teatrove dhe mjekët merrnin rroga tepër të larta. Shteti i arsimonte, i specializonte dhe pastaj i paguante me rroga shumë të larta që ata të mos emigronin në Perëndim. Dhe për hir të së vërtetës gjatë vizitave të mia në Pragë, nuk kam arritur të dalloj asnjë çek gjatë bisedave me ta, që të mos ishte deri diku i kënaqur me fatin e tij gjatë periudhës së kaluar. Madje edhe ata që në atë kohë ishin studentë, dhe sot janë zotërinj të mëdhenj, thuajse nuk e shprehnin pakënaqësinë e tyre për kontrollin e panevojshëm ndaj letërsisë dhe shtypit të huaj.
Udhëtimi me autobus na kish sjellë në ditën e dytë të trajnimit mbi sfidat që po haste media në përgjithësi përballë lajmit të rremë. Një temë tunduese këto kohë që kërkon përgatitje të mirë edukative dhe arsimore. Atë mëngjes, Praga ish gjendur nën një shi të imët, por qyteti shfaqej i gjallë, i hareshëm dhe jetonte një mëngjes të mrekullueshëm vere. Takimet me ekspertët zgjatën deri vonë pasdite. Shkëmbimi i ideve për ta çuar më tej nismën e bashkëpunimit përmes një rrjeti profesionistësh ishte gjithë qëllimi i grupit të përbashkët. Darka na u shtrua me një verë të shkëlqyer franceze, për të cilën zotërinjtë e tryezës thanë se nuk e gjen me atë çmim as në restorantet e lira të Parisit. Në mesnatë përshkruam qendrën e qytetit. Në kafenetë e bulevardit ‘Wenceslas’, një fjollë sfondi muzikor përzihej me pëshpëritjet e turmës që dilte nga kinemaja dhe nga teatri.
Praga i ka asimiluar ndikimet më të patretshme pa u shëndoshur tepër. Është një zgjidhje e mesme, e ruajtjes së anëve më të mira të së vjetrës dhe e anëve më normale të së tashmes. Askush nuk është përpjekur t’i falsifikojë për t’u bërë përshtypje turistëve. E tillë është Praga, vjetërsia e saj është tundimi për të jetuar ende në shekullin e alkimistëve./GSH
Leave a Reply