Nga Mero Baze
Prishtine me 17 Shkurt 2008
Dy fije te bardha letre kishin modifikuar tabelat e dy dyerve të tualetit në një restorant qëndror në Prishtinë. Në vend të fjalës “Burra” dhe “Gra” i zoti restorantit kishte ngjitur dy copa letre të bardhë, ku shkruhej “I pavarur” “E Pavarur”. Ky detaj, sa me humor, aq dhe domethënës për të përkufizuar kënaqësinë e lirisë, mund t’i nxirrte pijen çdo klienti që kishte festuar deri pas mesnate të shtunën, duke gdhirë e diela e 17 shkurtit.
Një qytet i rritur me makthin e mungesës së lirisë tashmë po përpiqet të ulë rëndësinë e çdo nevoje jetike para pavarësisë. Në T-Shirt-et e të rinjve lexon slogane gati-gati vetësakrifikuese në emër të pavarësisë. “Pavarësia është më e mirë se seksi”, “Pavarësia është më e mirë se të kesh elektricitet”, Pavarësia është më e mirë se interneti” dhe kështu me radhë, duke injoruar një listë të pafundme nevojash jetike për brezin e sotëm.
E thënë në mënyrë kaq modeste nga të rinj të angazhuar dhe vitalë që mbushin jetën e tyre falë seksit, internetit dhe elektricitetit ky kolazh sloganesh ishte dekori real qytetar i pavarësisë. Flamuri kuqezi; tumpanat, plisat e bardhë dhe simbolet e tjera të identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk ishin kurrfarë lajmi për çdo të huaj ne Prishtinë atë ditë. Kurse gjestet e tilla të të rinjve dhe qetësia me të cilën ata donin të deklaronin se pavarësia për ta ishte jeta që u kishte munguar.
Përballja me shenjat e shtetit të ri
Askush nuk dinte ende asgjë për Flamurin. Mbasditen e 16 Shkurtit Hashim Thaçi na tregoi se Flamuri ishte printuar dhe ishte magazinuar. Por nuk po shfaqej ende. Perëndimorët që ngjanë si guvernatorët real të Prishtinës, kishin drojë të bënin një test publik për flamurin para ceremonisë. I druheshin mos pëlqimit apo tramuës së vogël që ndjehej në momentet e para.
Hashim Thaçi nuk donte ta pranonte këtë. Njerëzit rrotull na mbushën mendjen se mos shfaqja e flamurit ishte vendim i brendshëm poltik pasi donin që njerëzit të festonin me flamur kombëtar.
E vërteta ishte diku në mes. Të dy palët nuk donin të bënin betejë për flamurin, i cili ishte thjeshtë një shenjë e pavarësisë, siç është uanza në gishtat e të martuarve, për hijeshinë, apo vlerën e së cilës, nuk bëhet debat ditën e dasmës.
Aty afër mbrëmjes më në fund na i dhanë nga një flamur, pro na u lutën të mos e shpalosim askund. Ishte një hartë e Kosovës e vizatuar në një sfond të kaltër të thellë me yje të verdhë. Një flamur që të kujtonte ngjyrat dhe simbolet e Evropës.
Ishte si një anestezi kundër çdo emocioni kombëtar. Një mënyrë për të na treguar të gjithëve se këtë shtet na e bëri Perëndimi. Doja pak kohë të bindja veten që ishte i mirë. Por e hoqa nga lista e sendeve që do ta ruaja si kujtim nga pavarësia. Nuk mu duk një gjë shqiptare. Më shqiptar mu duk plisi.
Ja mora djalit Arbën Xhaferit në Restorant “De Rada” plisin që mbante në kokë.
-Do ma dhurosh mua këtë, i thashë, ta kem kujtim nga pavarësia.
Pak më vonë filloi festa. Filluan të numurohen minutat sekondat dhe në orën 12 të natës , kur filloi dita e 17 Shkurtit, gjithçka kaloi në ekstazë. Djem të rinjë me tupan, vajza që vallzonin si të çmendura “Vallen e Shotës”, politikanë që harruan ndarjet politike, gazetarë dhe diplomatë të huaj ishin një. Ishte aq e fort ndjenja e gëzimit që po ndodhte diçka e madhe, sa thirrjet e Albin Kurtit dhe disa aktivistëve të tij, “se kjo është rrenë”, dëgjoheshin duke buzëqeshur. Të gjithëve u dukej se dhe ata ishin të gëzuar.
Një poster i madh me një grafik të Adem Jasharit me slloganin “Bac u kry”, ishte si një poster shterues për këdo që ishte kundër festës.
Leave a Reply