Çështja e të ashtuquajturave 12 miljeve, me të cilat pala greke mund të zgjerohet se pala shqiptare e ka pranuar, është duke u shndërruar në një temë të madhe për debate dhe përplasje në politikën dhe opinionin shqiptar. Mobilizime patriotike të cilat duhen parë me simpati, por jo me mirëkuptim. Kjo çështje i ka të gjitha elementët e ngjashëm – ndonëse edhe krahasimi më i mirë çalon – me historinë e gurit që e hedh një budalla në lumë dhe çohen 100 të mençur me e nxjerrë dhe nuk e nxjerrin dot.
Në fakt, Nikos Kotzias nuk është budalla. Ndoshta paravolia e gurit të budallait, që e hedhin në lumë dhe me 100 të mençurit kërkues, (në fakt ai është hedhur në det) do duhet të përmbyset: Kotzias është i mençuri dhe ata që besojnë në fabulën e grabitjes së 12 miljeve të tjera janë 100 budallenjtë. Gjithsesi, le të mundohemi për ta kuptuar këtë që po diskutohet, qoftë nga këndvështrimi i PR-it, qoftë nga këndvështrimi i asaj që mund të ketë ndodhur më të vërtetë.
NGA KËNDVËSHTRIMI I PR-IT:
Si e ka thënë atë fjali, ministri i Jashtëm grek Kotzias, profesor i shquar i sociologjisë, e cila e përkthyer me vëmendje në shtypin shqiptar do të interpretohej sikur Shqipëria ka pranuar që në raport me marrëveshjen e vjetër të vitit 2009 ta zgjerojë edhe me 12 milje? Si fjali sferike me vetëdije që shqiptarët do i mërziste dhe grekët do i gëzonte? Apo ai nuk ishte i vetëdijshëm për efektet propagandistike të deklarimit të tij, efekte që po bëhen dhe politike?
Pra, nëse Kotzias nuk e ka thënë qëllimisht, por rastësisht, atëherë ai duhet të ndihet shumë i lumtur. Kjo është një nga ato rastet në të cilat gjen vend thënia popullore italiane e cila thotë që ”nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur mirë” (se non è vero, è ben trovato). Sikur ta kërkonte në qiell një shprehje të tillë, nuk do të krijonte një efekt kaq të jashtëzakonshëm: nga njëra anë do të qetësonte grekët se në takimet e Kretës dhe të Korçës ata kanë fituar shumë, por do të turbullonte aq shumë shqiptarët dhe do ta kthente të drejtën te Berisha dhe kostumin e patriotit në mënyrë kaq rokambuleske.
E gjitha kjo rezulton një gjetje e jashtëzakonshme e PR-it, siç po shikohen reagimet në rrjetet sociale dhe si pasojë dhe përfshirja masive e palëve politike në debatin publik. Duke e ndjekur me vëmendje, duke qenë një lloj njohësi i problematikës shqiptaro-greke e kam kuptuar se çfarë lloj mekanizmi është vënë në lëvizje në këtë rast. Si për ta plotësuar, mungesa e transparencës, që është krejtësisht normale në këto takime eksploratore, e ka rritur misterin.
Po i marrim me radhë hapat që prodhuan situatën në fjalë. Në një situatë misteri për përmbajtjen e bisedimeve, dy ministrat e Jashtëm vendosen të dalin përballë medias tri ditë më parë: ndërsa Bushati zgjodhi të dilte vetëm për vetëm, Kotzias doli përballë 4 apo 5 gazetarëve në televizionin publik grek. Kjo situatë misteri e bëri më të besueshëm fjalinë, në të cilën Kotzias thotë që shqiptarët kanë rënë dakord për zgjerimin e hapësirës detare me 12 milje. Ai nuk thotë as në raport me marrëveshjen e 2009-ës, nuk thotë as për të gjithë detin që ndan Shqipëria me Greqinë, por thotë saktësisht këtë: që shqiptarët kanë pranuar një gjë të tillë.
Një fjali e tillë ka shërbyer për të nxitur ushtrinë e rrjetit që të fillojë të besojë, që qeveria shqiptare me negociatat nëpërmjet Bushatit ka bërë këtë koncesion të madh të barabartë me tradhtinë kombëtare. Në fillim, opozita ka qëndruar e heshtur, e tronditur duke menduar se nga na ra kjo dhuratë nga qielli. Por, në momentin kur ka parë që pjesa dominante apo e zëshme e opinionit publik është përfshirë në këtë debat me mendimin se kemi të bëjnë me një dhënie të detit nga socialistët, opozita është përfshirë në këtë debat duke e akuzuar Ramën për tradhti, madje duke futur edhe argumentin e naftës, siç bëri Berisha.
Në ndihmë të situatës vjen dhe fakti se qeveria e ka të pamundur që të japë më shumë detaje rreth asaj që çfarë është biseduar. Në fund të fundit, takimet e Kretës dhe të Korçës kanë qenë takime me karakter eksplorator, ndonëse ato kanë vendosur piketat që do të jenë takime zyrtare të palëve.
NEGOCIATAT E VËRTETA FILLOJNË TANI
Siç e saktësoi këshilltari i Presidentit Meta, asnjë prej grupeve nuk ka të drejtë për të vendosur diçka në lidhje me detin, ligjin e luftës apo për çështjen çame. Kjo për faktin, sepse një grup negociator të vendosë për diçka, do të duhet që të ketë plotfuqinë e Presidentit. Dhe siç u tha prej tij, pala shqiptare nuk ka patuar asnjë lloj plotfuqie. Pra, ky është momenti i parë për tu nënvizuar.
Momenti i dytë është fakti që (duke ngelur gjithmonë në marrëveshjen e detit) që në një det, siç është ai që ndan Shqipëria me Greqinë, me Korfuzin si një zonë më të banuar greke, është e vështirë, është shumë e vështirë që të gjesh sipërfaqe detare ku ujërat territoriale greke të shkojnë 12 milje si është standardi, parashikuar nga Marrëveshja e Montego Bayt… Pjesa më e ngushtë është pjesa e Ksamilit, që është 1.8 milje dhe aty është e vështirë të hiqet një vijë mesi që Greqia të marrë 12 milje, përndryshe i bie që të hyjë në tokën tonë dhe të marrë edhe kilometra katrorë tokë.
Për ilustrim: në ngushticën e Ksamilit, pala shqiptare do të marrë 0.6 milje, pala greke do të marrë 0.6 milje dhe 0.6 milje do të jetë si det ndërkombëtar. Një pjesë eventuale ku deti ka shtrirje rreth 30 milje, në veri të Korfuzit, ka një distancë mes këtij ishulli dhe tokës shqiptare (zona e Himarës) dhe nëse pala greke do të marrë aty 12 milje, atëherë edhe pala shqiptare do të ketë një territor prej 12 miljesh. Profesor Myslim Pashaj e identifikon këtë si pjesë afër trekëndëshit ku bashkohet vija e mesit të tre shteteve, Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.
Si pasojë, nuk ka asnjë kuptim që shprehja e Kotzias, të merret si koncesion shqiptar, pavarësisht se guri është hedhur dhe po kërkohet intensivisht në “Facebook”. Sigurisht, pranimi në parim i një gjerësie prej 12 miljesh të detit territorial grek është një precedent i ndryshëm nga ai që pranon Turqia në raport me Greqinë. Ajo që ishte e rëndësishme në deklarimin e Kotzias, që u pa si një Eureka greke, çështja e 12 miljeve, ishte kapërcimi i precedentit që i është imponuar Greqisë nga ana turke për detin territorial prej 6 miljesh.
Kjo është e kuptueshme për detin që ndahet mes Greqisë dhe Turqisë, ku ishujt e të cilave janë shumë afër me njëri-tjetrin. Në këtë kuptim, çështja e 12 miljeve ngjan me një çështje të stisur me vetëdije apo pavetëdije, për të ushqyer turmat në Shqipëri, për të shfryrë turmat në Greqi, ushqim propagandistik që ushqehet nga mungesa e transparencës që është e kuptueshme në negociata të tilla. Unë mund të pranoj se në këto negociata, edhe për çështje të tjera, mund të ketë pasur koncesione, por kurrën e kurrës nuk mund të ndodhë dhënia e një territori prej 12 miljesh.
Leave a Reply