Kur serbët dëshirojnë të festojnë, ata shpikin një festival. «Kupusijada» quhet festivali i lakrave. Hahen sarma pa kufi dhe shlivovica (rakia e kumbullës) rrjedh pa pushim. Në Leskoc (Leskovac!) çdo vit organizohet «Roštiljijada». Kodra me mish që presin të piqen. Dhe «gajbe» me birra që presin të pihen. Të hënën pala serbe vendosi që një festival të kombinuar të «kupisijadës» dhe «roštiljijadës» ta organizojë edhe në Kosovë. Në rolin e aktorit ishte Marko Gjuriqi, një zyrtar serb i ngarkuar për të bërë potere.
Shefat e operacionit po e vëzhgonin situatën nga distanca e sigurt. Aleksandar Vuçiqi nga Beogradi dhe Hashim Thaçi nga Prishtina. Ndërsa Vuçiqi i dërgoi në Kosovë ministrat dhe shërbëtorët e tij të tjerë, në veri të Kosovës u dërguan pjesëtarët e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Urdhri është urdhër, ata shkuan, por ndoshta ndonjëri prej tyre e dinte se po manipulohej për një paradë për interesa tepër të ngushta politike të dy autokratëve të Ballkanit.
Kur e sollën Gjuriqin në Prishtinë, policët e Kosovës u shndërruan në aktorë teatri, duheshin disa pamje me atë rast. Ku ishte në ato çaste ministri i Brendshëm i Kosovës? Ndoshta në Lugano, prej nga e kanë sjellë pazaret e politikës së pistë kosovare, ku në pozitat më të larta shtetërore katapultohen edhe njerëz pa asnjë votë dhe pa pikë përvoje në fushën e sigurisë. Me rëndësi një statist më shumë në politikë – s’ka rëndësi a qëlloi në Lugano apo në Prishtinë.
Me rëndësi që Behgjet Pacolli 20 vjet pas shkuarjes së tij në Moskë e Beograd për të «zgjidhur» problemin e Kosovës, prapë luan rol në politikë në Prishtinë – falë zemërgjerësisë së komandantëve të UÇK-së si puna e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Famtir Limajt. Ibrahim Rugova nuk bëri kurrë kompromise të tilla me Pacollin. Pasardhësit e Rugovës në LDK po, bile këta bënë kompromise edhe më të ndyra, duke e zgjedhur president një person si Hashim Thaçi, i cili luan poker me shtetin, shoqërinë dhe buxhetin e Kosovës. Dhe duhet thënë se në kërdinë e tij po tregohet pak i mëshirshëm. Të pamëshirshëm ndaj Kosovës janë ata që ia dhanë këtë shans Thaçit (përfshirë edhe disa në PDK, të cilët janë krejtësisht të vetëdijshëm për gabimet e tyre).
Çfarë pamë dje? Një spektakël qesharak. I përgatitur nga një autokrat kosovar që mbijeton politikisht vetëm duke shkaktuar kriza, tensione, konflikte dhe bërë pazare politike. Ndërkohë qeveria rrudhet në një turmë që vrojton e hutuar, ndërsa Kosova prej republikës parlamentare shndërrohet në kuazirepublikë «presidenciale» për interesat e ngushta të një aventurieri politik.
Çfarë pamë dje? Një skenar të njëjtë si përralla me trenin Beograd-Mitrovicë. «Ti nise trenin, unë e dërgoj njësinë speciale. Ti ndale trenin para kufirit, unë këndej bej pak shou». Ky është momenti që edhe njëherë t’i themi faleminderit krejt deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës që me votat e tyre kryen një krim. Tash mileti le të kënaqet me parada presidenciale. Me thellim krize. Me terror të përditshëm pseudopatriotik. Një popull duke u tërhequr për hunde. S’ka gajle – është popull që e duron tërheqjen drejt greminës. Me rëndësi që dikush u bë kryeministër për të qenë statist politik dhe bërë ndonjë ditë pushim në St. Moritz. Më shumë s’mbërrin. Sepse i ka zgjedhur aleatët që kanë agjenda të papërputhshme me shtetin e Kosovës.
Por këtu nuk janë në pyetje më interesat e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Në politikë rolin kryesor e luajnë kumarxhinjtë e tmerrshëm. Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Shihni çfarë çudie ndodhi dje: pesë orë para se të arrestohej Gjuriqi gazeta e Vuçiqit «Pravda» «gabimisht» dha lajmin se policia e Kosovës e arrestoi Gjuriqin.
Kjo lojë e ka edhe një paralojë. Ajo u pa sërish në fjalimin e papërgjegjshëm të kryeministrit të Shqipërisë në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë. Një fjalim popullist që hapur përçonte mesazhin se Kosova nuk ka të ardhme si shtet. Për të shpëtuar kokën e tyre pjesë e kësaj loje janë bërë edhe politikanë të Kosovës. Është testim i Perëndimit. Por kësaj radhe vullneti i Perëndimit për t’i ledhatuar shqiptarët nuk është i madh. Ndërsa vullneti perëndimor për të luftuar për Kosovën është baras me zero. Ndërkohë që gatishmëria e Rusisë për të shkaktuar turbullira në Ballkan është shumë e madhe. Shikojeni koordinimin: së pari vjen ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në Beograd dhe kërcënon rajonin me skenarë ukrainas, pastaj vjen filozofi i Kremlinit Aleksandar Dugin dhe këto ditë banda e motoçiklistëve «Ujqit», e cila është një lloj trupe paramilitare e Vladimir Putinit.
Shtetet krijohen me shumë sakrifica. Kosova është bërë shtet pasi ka kaluar nëpër ferrin e Sllobodan Millosheviqit. Shtetet bëhen hi kur një shoqëri nuk është e aftë të zgjedhë politikanë që shohin pak më larg se qelia ku një ditë mund të përfundojnë. Që kjo të mos ndodhë duhet prodhuar kriza të atilla që mund të çojnë në ndarjen e Kosovës. Mbase edhe ky është qëllimi. Ndoshta në dhjetëvjetorin e ndarjes krerët e fiseve kosovare i thërrasin për festë Beogradi dhe Tirana.
Leave a Reply