Gjeografia duket se është një ndër elementët kryesorë në përcaktimin e aksionit të përhershëm të diplomacisë së shteteve cilado qoftë përmasa e tyre. E shtrirë në të dy kontinentet, Europën dhe Azinë, të cilat njihen ndryshe nën akronimin e megakontinentit euro-aziatik, Rusia ka luajtur kë- sisoj një rol unik, qoftë në ekuilibrin e forcave si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në të dyja kontinentet, në Europë dhe në Azi. Ritmi i saj në politikën e jashtme ka rezultuar specifik.
Kështu ngjau në momentet e fuqisë së saj në shekullin XIX, po ashtu përgjatë perandorisë komuniste në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në momentet e shpërbërjes së fuqisë së saj, Rusia ka shpenzuar kohë e energji për ringritjen e konsolidimin e strukturave të saj të brendshme, rënia e të cilave ka diktuar edhe shthurjen e influencës së saj të jashtme. Mbi nacionalizmin tradicional rus u mbështet Vladimir Putini, i cili përgjatë historisë së Rusisë ka rezultuar si një forcë unifikuese për ta ringjallur atë.
Për më tepër, nacionalizmi, si vektori i duhur dhe frymëzues si dhe një strukturë sipas shijeve të tij, pra, e përbërë nga njerëz me një formim e background të ngjashëm me të, shumica e të cilëve kishin bërë karrierë në mjediset e shërbimeve sekrete, KGB apo në struktura e ushtrisë sovjetike, ndërkohë që një pjesë e të cilëve tashmë ishin konvertuar në oligarkët e “famshëm” apo mbajtësit e administruesit e sektorëve kyç të ekonomisë e industrisë së re ruse, do të përbënin superstrukturën e re mbështetëse të pushtetit të Putinit si dhe politikës se jashtme të synuar prej tij.
I bindur se rënia e Bashkimit Sovjetik i detyrohet më shume se gjithçka tjetër sistemit të tij përfaqësues, socializmit sesa mposhtjes gjeopolitike të Rusisë si dhe i ushqyer me psikozën se impulsionet kryesore politike vijnë prej perëndimit, me një fjalë gatuhen atje, Putini dyshonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shfrytë- zuar kontekstin e botës së Pasluftës së Ftohtë, e zhvendosën praninë e tyre jo shumë larg kufijve të Rusisë, duke i shndërruar ato në një zonë konfrontimi gjeopolitik, për ta penguar Rusinë që të ndërmarrë e të përmbushë ciklin e saj të radhës në histori.
Për Vladimir Putinin, politika botërore bazohet jo nga vlerat abstrakte, i tillë principi shekullor i sovranitetit kombëtar apo mbrojtja e të “Drejtave të njeriut”, e cila për të mbetet thjesht një demagogji, por në funksion të raporteve të forcave në një situatë të caktuar. Në këtë kontekst, sipas tij Rusia duhet të jetë në rolin e fuqisë botërore, e cila duhet të perceptohet si një aktore e pashmangshme në të gjitha terrenet e sfidave madhore të politikës ndërkombëtare. Si pjesë integrale e Azisë, Rusia është pjesë përbërëse e rendit aziatik, i cili meqenëse diferencon në përmbajtjen e tij me atë të Europës, i imponon Rusisë një politikë të jashtme në përshtatshmëri me të.
Rusia është anëtare e Organizatës së Shangait, OSC, e krijuar në vitin 2001 si dhe e Organizatës Ekonomike për Azinë e Paqësorin, ajo mban e zhvillon raporte komplekse, duke e parë Kinën nga njëra anë si një potencial kolosal për një kooperim teknologjik dhe industrial si dhe nga ana tjetër, si një vend me të cilin ajo shënjon probleme të mbartura gjeopolitike e territoriale. Ndërsa Kina, në optikën e diplomacisë ruse në kontekstin botëror, nuk ofron ndonjë pretekst për ta akuzuar atë për përpjekje për dominim botëror; që të dyja fuqitë i shqetëson prania amerikane në Azi, për më tepër fizionomia e krizave në Azinë Lindore, më e spikatura ajo e Koresë së Veriut, me të cilin Rusia ndan kufij të përbashkët e bën gjithnjë e më shumë të pashmangshme prezencën amerikane në Azi, ndërkohë që kordoni i shteteve aziatike të përfshirë në spiralen e kësaj krize, e shohin këtë prani si të ndërlidhur pikërisht me garantimin e sigurisë së tyre kombëtare.
Në ndryshim me politikën ruse në Azi paraqitet aksioni i saj përkundrejt Lindjes se Mesme dhe Europës. E mbështetur mbi piketat e aleancave të saj tradicionale, baza e të cilave është e trashëguar nga koha e Bashkimit Sovjetik, Putini synon një rikompozim të ekuilibrave të fuqisë në Lindjes e Mesme. Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në konfliktin e brendshëm sirian nën petkun e luftës kundër integrimit islamik, mundë- soi zgjatjen e qëndrimit në pushtet të Bashar Al-Asadit.
Duke mos u shkëputur nga linja konstante e bashkëpunimit me Iranin, i cili për më tepër paraqitet si një kundërshtar problematik i skemave amerikane në rajon dhe duke zhvilluar interferencë e konvergjime me Turqinë e Erdoganit, rast i cili përbën një shembull sesi interesat e pushtetit të një lideri autokratik kthehen në norma të politikës së jashtme të një vendi, duke harruar peshën e historisë. Për më tepër, duke pritur në Moskë në shtatorin e shkuar mbretin e Arabisë Saudite, Selman, Putini kërkon të demonstrojë se ai është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me palët e tjera në atë rajon.
Në Lindjen e Mesme vetë natyra e konfliktit që prodhon shiizma të ndryshme politike e fetare, i krijon hapësira Rusisë të pozicionohet me palët e zgjedhura nga vetë ajo, gjë që mundëson një prezencë në atë rajon, por pa e dominuar e kontrolluar atë. Tërësia e terrenit europian përbën një shumëllojshmëri sfidash e taktikash për Rusinë e Putinit. Në rang të parë gjenden vendet kufitare me të, çështja e Ukrainës e brendalidhur me përmasën e misionin e saj në histori, po aty afër edhe vendet kufitare të Bashkimit Europian me të që janë vendet baltike, të cilat ndihen nën ankthin e agresivitetit rus. Plani rus përkundrejt atij që quhet si blloku perëndimor apo perëndimit, që përfshin Europën Perëndimore e SHBA-në, është specifik.
Nëpërmjet një kombinimi të një subversioni tradicional dhe informatik, i ndihmuar edhe nga teknologjia, ajo tentoi duke iu dhënë një përkrahje me mjete indirekte segmenteve populiste apo ekstremeve të djathta në këto vende, të cilët çuditërisht, një pikëmbështetje për nacionalizmin e tyre e gjenin në Moskë me synim shkëputjen e një lidhjeje politiko-organike, që ekziston ndërmjet vendeve të bllokut perëndimor. Kjo strategji e saj hasi në natyrën e institucioneve të konsoliduara të vendeve të synuara, i tillë rasti i Amerikës ku reagimi institucional amerikan çoi jo vetëm në një investigim të thellë të kësaj ndërhyrjeje, por edhe në ashpërsimin e qëndrimeve te SHBA-së ndaj Rusisë. Në Ballkan, si një zonë e lakmuar për një dominim specifik të saj, e cila e ka pikënisjen që në shekullin XIX, Rusia projekton rritjen e influencës së saj, duke u mbështetur mbi aleancat me bazë etnike e fetare, të natyrshme për botën ortodokse.
Aq të forta mund të rezultojnë lidhjet etnike saqë në Çekinë e sotme rizgjidhet një president rusofil si ai aktuali, Zeman; në një vend që ka pësuar jo pak në të shkuarën e afërt nga trysnia ruse atje. Diplomacia ruse shfaq interes edhe për ecurinë e çështjes shqiptare si e ndërlidhur pashmangshmërisht me konstelacionin ballkanik. Integrimi progresiv në strukturën euro-atlantike apo përforcimi i lidhjeve të “ aleatëve të mundshëm ballkanik” të Rusisë me perëndimin do te gjeneronte një realitet të ri dhe stabilitetin e duhur në Ballkan.
Në të kundërt, një zmadhim i influencës dhe përforcim i pozitave të Rusisë në Ballkan do të shoqërohej me përvijimin e realiteteve të reja gjeopolitike atje, duke përfshirë edhe një destinacion të caktuar për çështjen shqiptare. Shkurt, në një periudhë të kapluar nga trazira paralele dhe të njëkohshme, Rusia ndoshta synon krijimin e forcave të reja në rendin aktual ndërkombëtar në zhvillim e sipër. Një epokë si e jona, në të cilën potenca e shteteve matet gjithnjë e më shumë me prosperitetin ekonomik e potencialin teknologjik e industrial, një vend po aq të rëndësishëm zë edhe diferenca sistemike midis fuqive të mëdha rivale.
Ato fuqi, të cilat do t’i kombinojnë e zhvillojnë paralelisht këto aspekte, pra, natyrën demokratike të institucioneve të tyre me konsolidimin ekonomik e përsosmërinë teknologjike e industriale, do të projektojnë qëndrueshmëri të fuqisë e influencës së tyre të pandërprerë përbrenda sistemit aktual ndërkombëtar. E zhveshur nga një formë demokratike e sistemit të saj përfaqësues, zhvillimi teknologjiko-industrial i Rusisë duket se u përgjigjet projekteve të një strukture pushteti, regjimi, duke e privuar atë nga vazhdimësia demokratike e institucionale. Rreziku mund të jetë i përhershëm për Rusinë; në mungesë të një lideri të fortë, një periudhë trazirash e dobësish të brendshme institucionale do te penalizonin e fashisnin prirjet e saj për dominim e influencë të jashtme.
* Pedagog
Leave a Reply