Nga Robert Zaretsky
Duke kujtuar shprehjen e Uilliam Folknerit*, askund, përfshirë edhe Amerikën e Jugut, pretendimi se e shkuara nuk vdes, nuk është më i vërtetë se në Francën e ditëve të sotme. Të tronditur përgjatë dy javëve të fundit nga një seri protestash masive të të ashtuquajturve “jelekët e verdhë”, politikanët dhe ekspertët francezë i janë kthyer së shkuarës në mënyrë që të kuptojnë – dhe ndonjëherë edhe të mos kuptojnë – të tashmen. Ndërsa e shkuara jep njëfarë pasqyre, ajo gjithashtu na fsheh atë që është e re në peizazhin politik të Francës.
Duke i mbajtur sytë të fiksuar te “pasqyrat” që tregojnë atë çka është lënë pas, qeveria e presidentit Macron rrezikon të përplaset me të ardhmen dhe çdo shpresë për miratimin e reformave të planifikuara ekonomike dhe mjedisore.
Më 17 nëntor, rreth 300 000 “jelekë të verdhë”, të emërtuar kështu për shkak të xhaketave fosforeshente që mbajnë veshur, mbushën rrugët dhe autostradat e vendit, aeroportet dhe tunelet. Të furishëm ndaj planit të qeverisë për të rritur taksat e karburantit në janar, ata arritën të bllokonin, kryesisht me barriera metalike, më shumë se 2 000 rampa hyrjeje, rrethrrotullime dhe ura. Pasojat që rezultuan nuk ishin thjesht fizike, (së bashku me kaosin në trafik pati më shumë se 400 lëndime dhe një vdekje) por edhe politike.
Të shtunën që pasoi, ai që organizatorët e kishin cilësuar si Akti i Dytë, ndodhi. Në vend që të ngrinin bllokada nëpër Francë, ata e bënë Parisin qendër të takimit të tyre. Megjithëse qeveria u dha atyre leje për të përdorur Champ de Mars, parkun e madh të kufizuar nga Kulla Eifel dhe Les Invalides, protestuesit morën një drejtim tjetër të njohur, që u ishte ndaluar: Champs-Élysées. Ndërkohë që shumica dërrmuese e 8 000 apo më shumë protestuesve ishin paqësorë, disa grupe ose hajdutë, e shndërruan zonën historike në një fushë beteje me policinë. Kur retë e gazit lotsjellës dhe ato të tymit të barrikadave në flakë u shpërndanë, republika qëndronte akoma në këmbë, por pasojat e kanë lënë qeverinë të tronditur, kur, për më tepër organizatorët kanë bërë thirrje për Aktin e Tretë të së shtunës së ardhshme.
Në mënyrë të parashikueshme, Macron dhe ministrat e tij i janë referuar të kaluarës, në mënyrë që të kapin ose izolojnë natyrën e kësaj lëvizjeje. Në ditët që prinë protestën, Macron paralajmëroi vendin kundër një “forme bashkëkohore të poujadizmit”. Termi i referohet një lëvizjeje populiste që shpërtheu papritmas në vitet 1950 në Francë dhe u drejtua nga Pierre Poujade, një tregtar i vogël me zë të fortë nga pjesa rurale e Francës. Antirepublikan, antisemit dhe kundër taksave, ilaçi i tij për sëmundjet që kishin prekur Francën rurale ishte “Sortez les sortants” ose “Hidhi përjashta të braktisurit “. Megjithë fillimin premtues në vitin 1956, kur fitoi disa vende në Parlament , Partia e Poujades u dëshmua jetëshkurtër. Në vitin 2003, Poujade vetë vdiq në errësirë – aq keq saqë një prej “jelekëve të verdhë” është shprehur pas vërejtjeve të Macron-it se ai duhej ta kërkonte emrin e Poujade-s në fjalor.
Megjithëse Macron pretendon se e kupton zemërimin që nxit këto protesta, ai gjithashtu duket sikur synon dënimin e “jelekëve të verdhë” ndërsa e bën këtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Bernard-Henri Lévy, i cili ka bërë një krahasim historik të vetin. Në një artikull për “La Régle du jeu”, ky intelektual mbarëkombëtar i të majtës sugjeron se trazirat e 6 shkurtit 1934 i parashikonin ngjarjet e së shtunës së kaluar. Në atë natë fatale, disa lëvizje nacionaliste ekstreme të djathta, më së shumti Aksioni Francez i Charles Maurras, u kombinuan dhe marshuan në Dhomën e Deputetëve. Duke u frikësuar nga një grusht shteti fashist, qeveria u përgjigj me forcë vdekjeprurëse; betejat që pasuan në rrugë lanë 16 protestues të vdekur dhe mijëra të plagosur. Për Lévy-n, sloganet e vitit 1934 dhe ato të vitit 2018 janë të ngjashme, të parat me thirrje për të marshuar në Dhomën e Deputetëve, të fundit për të marshuar në Pallatin Elysee. “Ky është një moment dhe mentalitet, që mund të lindë monsta”, përfundon ai.
Megjithatë, politikanët dhe komentatorët e tjerë kanë shkuar edhe më tej në histori, duke cituar kryengritjet rurale, që periodikisht u ndezën në Francën mesjetare dhe në fillim të epokës moderne. Me emrin Jacques, një emër popullor që pasqyronte njerëzit e thjeshtë që përfshiheshin në këto rebelime, kryengritja më e madhe e kësaj natyre ishte “Frika e Madhe” e vitit 1789, kur zonat rurale franceze arritën në shpërthime vdekjeprurëse të dhunës që kishin për objektiv zyrat e taksave dhe pronarët lokalë. Megjithatë, përderisa krahasime të tilla janë sugjestive, ato vështirë se kanë lidhje. Në këtë rast, fraza frëngjisht “comparaison n’est pas raison” (krahasim nuk do të thotë t’i japësh të drejtë) është e duhura. Sot nuk është as viti 1934 dhe as 1789, dhe “jelekët e verdhë” nuk janë as poujadistët, as fashistët.
Kush janë, pra, dhe çfarë është në vetvete protesta e tyre? Është e vështirë të japësh një përgjigje për të paktën dy arsye: Së pari, ndryshe nga këto lëvizje të mëparshme, të cilat u drejtuan nga figura me ndikim si Poujade dhe Maurras, “jelekët e verdhë” nuk kanë udhëheqës. Nuk ka asnjë figurë që i përfaqëson, aq më pak që e drejton lëvizjen. Në vend të kësaj, qindra individë organizojnë protesta në nivel lokal dhe rajonal. Rasti i Villefranche-de-Lauragais, një qytet pranë Toulouse, është tipik. Herët në mëngjesin e 17 nëntorit, rreth 300 vendas u mblodhën në një parking supermarketi. Detyrat ishin ndarë në një faqe në Facebook me emrin “Blocage 17 novembre Toulouse”. Ata u ndanë në grupe më të vogla, secili prej të cilëve vijoi të bllokonte korridore të caktuara të lëvizjes së mjeteve.
Së dyti, jo vetëm që nuk ka asnjë lider, por nuk ka asnjë listë të unifikuar kërkesash. Rritja e taksave të benzinës dhe naftës, që synon të lehtësojë kalimin e Francës në përdorimin e energjisë miqësore me mjedisin, sigurisht që ka zemëruar shumicën dërrmuese të protestuesve. Për shumë “punëtorë blu dhe të bardhë”, për të cilët mbushja e serbatorit është pika e dytë më e rëndësishme në buxhetin e tyre, kjo u provua si “goditja” e fundit. Këta punonjës francezë i përkasin më së shumti “Francës periferike”, një etiketim i sociologut Christophe Guilluy për ato pjesë të popullatës që jetojnë në zona jashturbane ose rurale dhe që varen ekskluzivisht nga makinat. Ata jo vetëm që janë braktisur kryesisht nga sistemi i transportit publik, por gjithashtu ndihen të braktisur edhe nga shteti. Siç tregon një sondazh i fundit i BVA, më shumë se 70 për qind e popullsisë rurale mbështet “jelekët e verdhë”, ndërsa kjo përqindje bie në 52 në rajonin e Parisit.
Taksa jeshile ishte kështu që “cigarja” e fundit e ndezur që u hodh në grumbullin në rritje të ankesave fiskale dhe sociale. Siç një protestues deklaroi: “Tatimi ishte shkëndija, por ka kaq shumë arsye të tjera pse jemi të lodhur”. Këto arsye ndryshojnë në mënyrë të egër, duke përfshirë edhe armiqësinë ndaj taksës së vlerës së shtuar dhe perceptimin popullor që Macron përfaqëson më të pasurit , pra 1 për qind të kombit dhe jo 99 përqindëshin e mbetur. Macron ka kontribuar në këtë përshtypje të fundit përmes disa vërejtjeve publike indiferente, që nga koha e zgjedhjes president, që janë cilësuar në shtyp si “macronadat.” Si me largimin e kritikëve nga reformat e tij liberale ekonomike, edhe me këshillat e tij ndaj të rinjve francezë të papunë që “të dalin matanë rrugës ” dhe të kërkojnë një punë, Macron ka shkaktuar pakënaqësi.
Është e vështirë të matësh kërcënimin që paraqesin për qeverinë “jelekët e verdhë”. Në këtë pikë vjen një tjetër analogji historike, Tea Party e Amerikës. Ndërsa ajo mori peng axhendën politike në Shtetet e Bashkuara dhe sulmoi zgjedhjet primare të një partie politike ekzistuese, asaj Republikane, për të ushtruar ndikimin e saj, një rezultat i njëjtë nuk ka gjasa në Francë. Megjithëse udhëheqësi i konservatores Les Républicains, Laurent Wauquiez, ka shprehur simpatinë e tij për lëvizjen e re, si partia e tij, ashtu edhe socialistët, po tregohen të matur. Sa për Macron, krisjet e vetë partisë së tij “En Marche!” kanë filluar të shfaqen. Ndërsa kryeministri, Édouard Philippe, një ish-anëtar i Les Républicains (Republikanëve), ka ndjekur linjën e ashpër të Macron-it; Jean-Yves Le Drian, ish-socialist i cili shërben si ministër i Jashtëm, kohët e fundit paralajmëroi se kolegët e tij duhej të dëgjonin zërin e kësaj pjese në rritje të popullsisë. Parashikueshmërisht, ekstremet politike janë takuar te kjo çështje, por ndërsa e djathta ekstreme, Fronti Kombëtar i Marinë Le Pen, dhe e majta ekstreme, La France Insoumis e Jean-Luc Mélenchon, janë përpjekur të kooptohen në lëvizjen e protestës, nuk ia kanë dalë dot.
Foreign Policy – Përgatiti: Gazmira Sokoli-TemA TV
Leave a Reply