Nga Çapajev Gjokutaj
‘Shqipërinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë edhe shqiptarët’. Thonë se kështu tha Ismail Qemali në muajt që pasuan shpalljen e pavarësisë.
Kjo frazë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe, çdo herë të përftojë mesazhe të ndryshme.
2.
Plaku i Vlorës mund të ketë qenë në një çast depresiv. Ditë të vështira, plot intriga dhe pabesi pati me shumicë pas atij 28 Nëntori. Kur vështirësitë të venë poshtë, i sheh gjërat muzgët dhe ke gjithë të drejtën e botës që të bëhesh cinik.
Me gjasë në një çast të tillë, Ismail beu, bëri sikur harroi se Shqiptarët ekzistonin prej shekujsh. Madje esenca e tyre kish gjalluar prej kohësh që s’mbaheshin mend, në mileniume të shkuara bashkë me parardhësit, pellazgë dhe ilirë. Kot shkroi Naimi: ‘Neve jemi më të parë në Evropë nga çdo farë’?
Në ditë më të qeta Plaku i Vlorës mund të kishte thënë t’i edukojmë shqiptarët, t’i pastrojmë nga zhuli otoman, t’u heqim huqet që ua solli peshqesh halldupi etj. etj., por jo t’i bëjmë.
Interpretime si këto, me kombësi të stërlashtë e të pandryshuar, mund të bëheshin nga ata që mbështeten tek teoritë esencialiste të nacionalizmit. Dhe s’janë pak, qoftë në botë, qoftë ndër ne. Klima antiemigracion, që po pushton Perëndimin, duket se po i inkurajon dhe, mbase edhe po i shton. Në mos në radhët e studiuesve, të paktën në radhët e politikanëve dhe të vulgut.
3.
Të tjerë, që mbështeten tek teoritë moderniste të nacionalizmit, do të thoshin: Ka folur drejt Ismail bej Vlora, kaq drejt sa s’e luan as topi. Është shteti ai që krijon bashkëkombasin, duke venë në punë instrumente të shumtë dhe të shtrenjtë si shkollat, mediet, shërbimin ushtarak etj.
Pastaj mund të shtonin: Po të qe i bërë shqiptari, do ta kishim fituar pavarësinë edhe ne, kur e fituan fqinjët dhe s’do prisnim fundin e meselesë, kur i Sëmuri i Bosforit po shëmbej dhe rrëmeti mund të na zinte nën vete.
Mund të shtonin edhe një tjetër argument: Po të qe i bërë shqiptari, shteti shqiptar nuk do t’i ngjante Kalasë së Rozafës, kemi një shekull që e bëjmë dhe e zhbëjmë periodikisht dhe, çdo herë ia nisim nga themelet. Bina-dalë, thoshin plakat gjirokastrite.
4.
Por historianët, ata të sojit, që mbështeten në dokumente dhe jo në folklor, do të mbanin tjetër qëndrim dhe do të ofronin tjetër të vërtetë.
Nuk ka asnjë dëshmi që Plaku i Vlorës të ketë thënë kështu. Madje, sipas rastit e sipas oreksit, disa pseudo historianë dhe gazetashkrues ia kanë veshur këtë thënie jo vetëm Ismail beut, por edhe Fishtës e Konicës.
E vetmja gjë e provuar, do të shtonin historianët, është se, më 1861 statisti italian Massimo d’Azeglio pat thenë: ‘Italinë e bëmë. Tani duhet të bëjmë dhe italianët.’
5.
Analistët e ligjërimit mund ta shihnin gjënë nga një tjetër kënd dhe të thoshin: Përkthimi i kësaj fraze nga italishtja, trillimi i autorësisë duke synuar shqiptarët më të shquar dhe më me ndikim të asaj periudhe, janë fakte që dëshmojnë se ligjërimet për nacionalizmin shqiptar mbeten tejet heterogjene.
Vështirë që gjithë shqiptarët të bëhen bashkë në ndonjërin prej këtyre ligjërimeve. Dhe kjo është gjëja më e natyrshme për kohën tonë, kur ka shumësi të vërtetash, kur çdo pikëvështrim zbulon anë të reja të dukurisë që analizohet, shpesh edhe e rikonstrukton të gjithën.
Duke pranuar këtë status të ri ontologjik, e rëndësishme është që të kuptojmë dhe të pranojmë se kombi është një, paçka se të vërtetat mbi të janë shumë dhe vështirë që ndonjëra të ketë monopolin.
Gjithsesi, asnjë e keqe s’vjen nga qasjet e ndryshme apo shumësia e opinioneve. E keqja nis me mohimin, skërmitjen dhe përjashtimin e tjetrit, atij që mendon ndryshe.
Siç ndodh shpesh me tributë, e kemi bërë modë që secili të absolutizojë të vërtetën e vet dhe të shtyjë e pështyjë opsionet e tjera, bashkë me ata që i artikulojnë.
Harrojmë se çdo bashkësi, përfshirë dhe kombin, ngjizen mbi tolerancën. Pas gjasash edhe në dekadat e ardhshme do të vazhdojmë të jemi të ndarë, secili në të vërtetën e vet dhe kundër tjetrit.
Trojet mund të bëhen bashkë, por vështirë se unifikohen ligjërimet për nacionalizmin dhe historinë. Gjithsesi: Gëzuar festat dhe gjithë bashkë! Flamurin e kemi dhe, po qe se s’do marrosemi më keq, do vazhdojmë ta kemi të përbashkët.
Leave a Reply