Një ekstremist terrorist i identifikuar si Kostandinos Kaçifa, i cili në Facebook paraqitej me uniformë zyrtare të ushtrisë greke, shfrytëzoi një ceremoni përkujtimore në varrezat e ushtarëve grekë në Bularat, për të ngritur armë kundër elitës së forcave policore shqiptare, atyre RENEA. Këto të fundit, në kundërpërgjigje, kryen edhe eliminimin fizik të tij.
Menjëherë pas kësaj, qarqet politike greke u përpoqën ta paraqesin këtë si një ngjarje të papranueshme jeta e të cilit nuk duhej humbur në çfarëdolloj rrethane. Kurse qarqet mediatike e ato ekstremiste e justifikuan aktin e kriminelit grek si kundërpërgjigje e heqjes së flamurit grek nga ana e policisë shqiptare, gjë që në fakt është një lajm tërësisht i rremë.
Pra, si politika, ashtu edhe media apo qarqet ekstreme greke, nuk vunë në pah se kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjeve të një vendi sovran prej një krimineli të tyre, por kërkojnë edhe llogari përse policia shqiptare veproi ashtu siç do vepronte çdo lloj policie kudo në botë, përfshi edhe atë greke.
Por, le t’i lëmë grekët në nacionalizmin e tyre të sëmurë dhe në solidaritetin që kanë me njëri tjetrin edhe kur aktet e të çmendurve që i përfaqësojnë janë mirëfilli terroriste. Ky, fundja, është turpi i tyre dhe le ta hanë po të duan edhe me bukë përfshi edhe një gotë verë mbrapa.
Ajo që më shqetëson thellësisht është heshtja që mbërtheu opozitën shqiptare. Të mësuar gjithë këto vite me modelin opozitar ku, pas çdo ngjarje nga më ordineret, do kishte nga një deklaratë për shtyp a një koment në Facebook nga kupola e opozitës, kësaj here, për çudi, patëm një heshtje totale prej tyre.
M’u desh të bëja një kërkim në profilet zyrtare në Facebook të Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, por aty gjeta çdo lloj lajmi, që nga spiunllëqet e stisura të “qytetarit digjital” të Saliut, tek takimet dështake të Lulit, apo intervista të para disa ditëve të Monikës, po vetëm një qëndrim mbi ngjarjen e Bularatit nuk gjeta. Prita deri në orën 24:00 në përmbyllje të datës 28 tetor, por jo, asnjë status.
Vetvetiu ndjen një revoltë të brendshme për këtë lloj opozite që edhe në rrethana të tilla tregohet luajale me palën greke, duke mos dhënë qoftë edhe mbështetjen më minimale për policinë shqiptare.
Aq shumë i janë errur sytë kundrejt Policisë së Shtetit, saqë edhe në këtë rast, ku solidariteti me policinë ka një rëndësi të pallogaritshme, si në aspektin moral, ashtu edhe politik, janë gati të bëhen solidarë edhe me terroristin grek, po ama kurrsesi me policinë shqiptare të cilën nga mëngjesi deri në darkë e konsiderojnë si një bandë kriminelësh. Heshtja e tyre më lë të kuptojë se ata janë të gatshëm të pranojnë çdo lloj versioni grek, por jo atë shqiptar. Bile, me këtë heshtje, të cilën do e konsideroja tradhtare, duket sikur luten që versioni grek të rezultojë i vërtetë.
Kjo heshtje e opozitës gjatë ditës së ngjarjes do të mbetet një njollë turpi në ndërgjegjen e tyre dhe nuk do justifikojë asnjë lloj deklarate të mëpasshme edhe sikur ato të ngrenë në piedestal aktin e policisë shqiptare.
Ngjarja e Bularatit është një nga ato testet e rralla që nxjerr në pah burrështetasit, të cilët, pavarësisht ndasive që kanë me kundërshtarët për çështje të brendshme politike, kur vjen puna për çështje që prekin interesa kombëtare, bëhen bashkë dhe flasin me një zë të vetëm.
Nuk prisja që të mbështesnin deklaratën e kryeministrit Rama, sepse ai u duket më i keq se terroristi grek. Nuk prisja as që të mbështesnin policinë, efektivët e të cilës rrezikuan jetën e tyre në atë përballje armësh.
Me shpirtligësinë që i karakterizon kundrejt qeverisë, minimumi që opozita duhet të bënte ishte dënimi i aktit të terroristit Kaçifa. Nga ana e tyre grekët u bënë bashkë duke u solidarizuar njëzëri me terroristin e tyre.
Kurse këndej nga anët tona opozita shqiptare, me heshtjen e saj, i mbajti ison versionit grek, duke e lënë të vetme qeverinë shqiptare në të drejtën e saj. Aleatë më të çmuar se kjo farë opozite, grekët dhe qarqet e tyre ekstremiste s’mund të gjenin kund. Për turpin tonë!
Leave a Reply