Kancelarja Angela Merkel i ka njoftuar drejtuesve të partisë së saj se nuk do të kandidojë më në kongresin e CDU në dhjetor. Pas dështimit të CDU-së në zgjedhjet e Hessenit, ku partia konservatore megjithëse doli forca kryesore pësoi humbje me 10 pikë, Merkel ka thënë se do të vazhdojë të jetë kancelare por nuk do të vërë kandidaturën për kryesimin e kristiandemokratëve, në kongresinë e partisë në dhjetor në Hamburg.
Ky vendim i kancelares 13 vjeçare vjen pas një sërë disfatash me radhë që e kanë dobësuar së tepërmi pozicionin e saj deri më tani të padiskutueshëm. Përpara zgjedhjeve të Hessenit, që ishin një disfatë e dyfishtë për Merkelin sepse aty kandidonte një nga mbështetësit e saj më të fortë, Volker Buffier, aleati i saj bavarez CSU-ja humbi afro 10 pikë më pak në zgjedhjet e këtij landi duke mos siguruar dot as shumicën e nevojshme.
Por përveç rrezultateve zgjedhore dhe rënies në elektorat figura e kancelares ka filluar të kriset edhe brenda forcës së saj politike. Në 25 shtator, gruaja e hekurt mbrojti kandidaturën e një besniku në postin e shefit të grupit parlamentar CDU-CSU që mbështet politikat e qeverisë në Bundestag. Por, Volker Kauder, që e mbante prej 13 vjetësh këtë post, nuk u aprovua nga deputetët dhe u detyrua t’i lërë vendin një deputeti më të ri Ralph Brinkhaus. “Ky ishte një votim për kufizimin e pushtetit tejet personal të kancelares” i tha me këtë rast revistes franceze “Valeurs Actuelles” qe lapsi.al e lexoi, Alexander Kraus, deputet i CDU.
Telashet e Merkelit- që filluan që prej 2015-ës, kur ajo mori vendimin për të pritur 1 milionë refugjatë në vendin e saj-, nuk kanë të sosur. Por, tani kancelarja po bën të gjitha manovrat finale për të siguruar mbijetesën në krye të koalicionit të madh. Dhe kjo fillon me etapën e parë kongresin e kristian demokratëve në Hamburg. Këtë dhjetor, Merkel që për herë të parë nuk do të jetë më në krye të partisë, do të përpiqet të lërë si pasardhëse Annegret Kramp-Karrenbauer, për ti bllokuar rrugën të riut ambicioz që mban postin e ministrit të shëndetësisë, Jens Spahen.
Vetëm nëse mban kontrollin mbi partinë, Anxhela e hekurt, mund të mendojë për koalicionin e madh. Sepse edhe aty nuk është e pamundur që social demokratët- edhe ata në rrënie të lirë në zgjedhjet vendore- të tërhiqen nga qeveria.
“Kjo grua po mendon vetëm për mbijetesën e saj politike, ajo nuk bën më asnjë punë tjetër” ka deklaruar së fundi ish rivali i saj social demokrat për kancelarinë, Martin Shulc. Dhe sipas parashikimeve, Merkel, një takticiene brilante mund t i’a arrijë ta çojë deri në fund edhe këtë mandat, por ky do të ishte një fund jo i lumtur për të djathtën gjermane të qendrës.
Leave a Reply