SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (IV)
E hënë, 19 shkurt. Dy lajmet kryesore të medias perëndimore mbi 10 vjetorin e shtetit në Kosovë ishin Rita Ora dhe deklarata e kryeministrit të Shqipërisë mbi Presidentin e përbashkët. Nëse Rita Ora është në fushën e vet, biznesi i muzikës, reklama, show dhe lidhja personale me vendlindjen, deklarata e kryeministrit Rama ishte jashtë kohës, jashtë vendit dhe jashtë kontekstit. Për ata që e njohin kryeministrin tonë e dinë se njohuritë e tij në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë minimale, siç e dinë se etja për show e vëmendje është më e madhe sesa detyrimi shtetëror për respekt ndaj protokollit dhe autoritetit që përfaqëson. Disa kancelari dhe media perëndimore e komentuan në mënyrë kritike deklaratën e tij, e cila, në vetvete, nuk përbën asgjë më tepër sesa një gafë diplomatike. As Shqipëria as Kosova nuk kanë ndonjë strategji bashkimi, madje gati as bashkëpunimi. Dy vendet kanë presidentët e tyre, të dy të kontestuar, dhe se 10 vjetori krijoi edhe ndarje tjerët midis dy qeverive dhe dy kryeministrave. Ndaj, më shumë se rendja pas lojërave me fjalë apo citimesh provokative që krijojnë headline 24 orësh, mësimi kryesor që duhej të nxirrej nga 10 vjetori i Kosovës shtet, ishte nevoja jetike që në Shqipëri e Kosovë të kemi shtete funksionale dhe demokraci funksionale.
E marte, 20 shkurt. Prej vitit 1991 kur studentët e UT nisën grevën e urisë dhe qytetarët e Tiranës i mbështetën ata deri në rrëzimin e shtatoreve të diktatorit Hoxha, gjithnjë 20 shkurti është konsideruar festë politike dhe simbolike. Ka një vendim parlamenti që i njeh detyrimin shtetit të ketë aktivitet nderues për viktimat e sistemit komunist, por vetë shteti, sa herë është djathta në pushtet, i jep konotacion partiak, kurse sa herë është e majta në pushtet, hesht duke e konsideruar ditë zie. Ndryshe nga 15 vitet e fundit, këtë herë u ndodha në një konferencë përkujtimore mbi 20 shkurtin. Pati disa folës, emra të njohur, ekspertë shqiptarë e të huaj, përfshirë ish presidentin e ish kryeministrin Berisha. Ai tregoi historinë, siç bën përherë, sipas nevojave ditore politike të tij. Ashtu ndodhi edhe me disa të tjerë në sallë ose në media. Secili për veten, secili sipas vetes dhe secili sipas nevojave politike të ditës, – aq ndryshe nga realiteti që patëm fatin të jetojmë ato kohë, sa shpesh na duhet se nuk ishim aty dhe se edhe vetë Byroja Politike ka më shumë kontribut në ndryshimin e sistemit se brezi studentor i vitit 1990-1991.
E mërkurë, 21 shkurt. Kriza më e re institucionale, ajo midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama lidhur dhënien ose refuzimin e autorizimit për negociatat me Greqinë, nxjerr në pah brishtësinë e shtetit, institucioneve dhe sjelljes tonë politike. Ka disa paradokse: e para, ata që ishin partizanë të marrëveshjes më 2009 tani janë ekstremisht kundër; ata që ishin ekstemisht kundër më 2009 tani janë mbështetës fanatikë të marrëveshjes me Greqinë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga dy rastet, por kanë ndryshuar interesat politike. E dyta, vijojmë sjelljen jo-shtetërore: nuk është normale që punët e shtetit, përfshirë sekretet e shtetit, të dalin në media dhe krerët e shtetit të komunikojnë me njëri tjetrin jo përmes institucionit ose takimit zyrtar, por me letra publike e mesazhe në rrjetet sociale. E treta, krerët e institucioneve e trajtojnë institucionin si pronë private. Asnjëri nuk ndjen nevojën e llogaridhënies apo transparencës publike dhe nëse i kërkon informacion Presidentit, Kryeministrit apo Ministrit të jashtëm të përgjigjen me aq arrogancë e zemërim sa thua po u kërkon info mbi familjen e tyre, pronën e pasurinë e tyre. Çështjet shtetërore kanë detyrim të jenë çështje publike. Një shtet që mbledh Këshillin e Sigurimit Kombëtar për arrestimin e Balilit (dhe nuk e ka arrestuar ende!) dhe nuk e mbledh për interesa të larta shtetërore siç janë elementët e pakteve të reja me Greqinë, tregon se nuk është serioz në sjellje, në imazh, në funksionim dhe natyrisht as në individët që e përfaqësojnë.
E enjte, 22 shkurt. Lajmi i ditës është raporti vjetor i Transparency International. Shqipëria vijon ecjen me hap të shpejtë drejt zonës së vendeve me korrupsion të lartë, më të lartë sesa edhe gjatë 2015 apo 2016. Në kancelaritë perëndimore raporte të tilla gjenden në çdo dosje vlerësimi mbi Shqipërinë dhe të dhëna të tilla janë ndikuese në raportet tona me to. Po në Tiranë? Nuk përbën lajm. Nuk pati reagim as nga qeveria, as nga opozita. Dy palët u grindën në parlament si zogj korbash dhe për zogj korbash, por asnjë zë zyrtar e publik nuk reagoi. Reagoi vetëm OSBE, natyrisht shumë e zhgënjyer. Raporte kritike u dëgjuan në komunikimin diplomatik edhe në Berlin, Paris e Amsterdam. Edhe media, ajo që duhet të ruajë interesin publik, i kushtoi aq shumë kronika speciale batutave në parlament apo veshjeve të deputetëve, sa nuk gjeti kohë, minutash, gazetarë dhe as vullnet të fokusohet tek lajmi më i rëndësishëm ditor për Shqipërinë në imazhin ndërkombëtar, raporti kritik i Transparency International.
E premte 23 shkurt. Qeveria është zhvendosur në Berat. Ky është lajm i mirë për hotelet, restorantet, floktoret dhe verën e Beratit. Ata që shkuan aty për fundjave disponojnë pasuri personale shumë herë më të lartë sesa pasuria personave e të gjithë qytetarëve në Berat. Është lajm negativ për qytetarët taksapagues, pasi shpenzimet për fundjavën qeveritare janë më të mëdha sesa ndihma sociale mujore e Beratit. Temë kryesore ishte … varfëria, ndihma sociale, vendosmëria e qeverisë për të shkurtuar fondin e ndihmës dhe penalizuar ata që nuk pranojnë të punojnë në punët që ofrohen. Midis të tjerash, kjo është një sjellje atipike për një qeveri të majtë, e cila bazë sociale të saj ka pikërisht solidaritetin social me të varfrit, njerëzit në nevojë, të papunët, etj. Por në Shqipëri nuk ka më të majtë, të djathtë jo e jo. Janë të njëjtë në sjellje, në deklarime, në politika, në klientelë, në garën për HEC e TEC, për privatizime, për PPP dhe për çdo formë tjetër që indirekt merr para nga qytetarët dhe shton para për oligarkët afër pushtetit. Kjo është një nga ato pikat ku qeveria aktuale i ka mbajtur premtimet, madje i ka tejkaluar. Ja p.sh, kryeministri me të drejtë u bëri thirrje punëtorëve të marrin me shqelma pronarët që nuk u paguajnë rrogat e sigurimet. Ou? A vlen e njëjta edhe për qeverinë kur nuk paguan rrogat dhe sigurimet? Po për median kryesore, e cila paguan rregullisht në vetëm 20-30% të rasteve.
E shtunë 24 shkurt. Amerikani Bernd Fisher e tha përsëri: “nuk e di nëse po e jetoni apo e keni kapur demokracinë…Shqipëria prodhon liderë autoritarë politikë dhe kjo e pengon demokracinë”. Përfaqësimi horizontal dhe cilësia e vendimmarrjes janë pikat e dobëta të Shqipërisë. Pas 28 vitesh është koha ta themi me dhimbje se më shumë demokraci e liri mendimi kishte në Kongresin e 10 të PPSH sesa në kongreset e partive të sotme. Atëherë enveristët i skuqën duart duke brohoritur për heroin e gabuar, por në fund votuan kritikën e D.Agollit dhe ndëshkuan Byronë Politike. Po sot, cila parti voton kritikën dhe ndëshkon abuzuesit, të paaftët dhe modelet arkaike të Byrosë Politike? Asnjëra. Përkundrazi, partitë tona vijojnë tu ngjajnë më shumë sekteve private fetare ku fjala e liderit shihet si fjala e perëndisë dhe të gjithë vrapojnë pas tij, e adhurojnë atë, i luten atij dhe e mbrojnë me fanatizëm nga çdo kritikë, – sesa partive të një vendi që pretendon seriozisht të hyjë në BE. Leksioni demokratik këtë radhë na erdhi nga Kukësi, bashkia më e varfër në 12 kryeqendrat e qarqeve në Shqipëri. Në Kukës disa socialistë zhvilluan grevë e protestë kundër presionit të qendrës për tu ndryshuar drejtuesin e tyre. Është akt simbolik por meriton respekt. Sepse ka shpresë se ende në partitë tona ka individë që kanë kurajë të refuzojnë sistemin e mbyllur, klientelist dhe familjar që kemi aktualisht. Nëse rasti i Kukësit indirekt ka edhe shpjegime të tjera, pasi kemi të bëjmë edhe me presion të bazës ndaj pamundësisë për të përfituar nga mandati i dytë qeverisës, në partitë e tjera nuk lëviz asgjë. Në PD nuk ka dhënë dorëheqje asnjë drejtues lokal apo i kryesisë pas humbjes dramatike të qershorit. Në partitë e tjera gjërat janë më të thjeshta, – kanë ikur anëtarët dhe kanë mbetur vetëm kryetarët e miqtë e tyre. Ndaj Fisher ka të drejtë në kritikën e tij. Pa reformimin e partive politike, atyre që na përfaqësojnë, na mobilizojnë, na drejtojnë dhe na sundojnë, – nuk ka shans real as për reformë në drejtësi, as në arsim, as në kushtetutë, as në polici, dhe as në betejën më të re të qeverisë, luftën kundër guroreve në vendin ku babëzia e betonit me sponsorizim politik ka bërë që vargjet e famshme të Naimit “o malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë / fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë/ ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar /
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar” të duken sikur nuk janë për vendin ku ne sot jetojmë.
Leave a Reply