SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (VII)
E hënë, 12 mars. Një muaj përpara vendimit të qendrave kryesore evropiane për hapjen ose jo të bisedime për anëtarësim të Shqipërisë me BE vetë Shqipëria ngjason me një fëmijë i lastuar që qëndron mënjanë dhe gjuan me gurë shokët e vet dhe kalimtarët e rastit që nuk i pëlqejnë. Kryeministri vijoi turnetë në studio televizive për të imituar djalin e lastuar që gjuan me gurë. Në një vend serioz dhe politikë serioze do të duhej që kryeministri të ftonte opozitën në bisedime dhe dy palët të arrinin konsensus për “paktin e integrimit”, një set reformash thelbësore dhe aktesh politike që të mundësonin së paku stabilitet politik dhe një imazh të ri për Shqipërinë tek partnerët ndërkombëtarë. Nuk ndodhi as njëra as tjetra. Opozita thotë se është dakord për integrimin, por pa qeverinë, dhe qeveria thotë se Shqipëria që duam është Shqipëria pa opozitë. Kryeministri shkoi në studio, foli 90 minuta, sulmoi gazetaren e median, rivalët dhe kritikët, dhe si njeri i artit, tregoi se Shqipëria që ai sheh në ëndrrat e tij nuk është Shqipëria që ne jetojmë e shohim të gjithë. Pastaj iku, pa dhënë mesazh, pa lënë gjurmë, pa demonstruar lidership dhe pa shpresë për Shqipërinë e ëndrrave të tij. Miku im Kim Mehmeti do të thoshte se një njeri nuk mund të jetë edhe artist edhe kryeministër, i pari jeton me botën virtuale, i dyti me botën reale. A gjejnë pika takimi? Ndodh rrallë, shumë rrallë. Të hënën e 12 marsit nuk ndodhi, siç nuk ka ndodhur në të hënat e tjera përpara saj.
E marte, 13 mars. Një raport me financim perëndimor na tha atë që të gjithë dinim, – se disa familje kanë nën kontroll mediat kryesore. Shpesh aksionet ndahen mes vëllezërve, bashkëshortëve, emrave fiktivë të fisit dhe kështu, krijohet një rrjet monopoli në treg, – me bazë 2-3 ose 4 emra. Raportimi i këtij fakti u konsiderua zbulim e skandal. Në fakt nuk janë të tilla. Ajo që raporti nuk thoshte është se të njëjtit kanë monopol jo vetëm në media, por edhe në ndërtim, në tregun e banesave, në fshatrat turistike, në sport dhe në disa fusha të tjera. Media është aneksi dhe vitrina në një botë gjithnjë e më abuzive, ku falë shërbimeve ndaj pushtetit dhe shkëmbimeve në favore është deformuar media dhe tregu, konkurrenca dhe koncepti për demokracinë në Shqipëri. Në Gjermani Benz Mercedes prodhon vetëm Benz Mercedes, në SHBA Fordi prodhon vetëm makina Ford, në Itali Ferrari prodhon makina Ferrari, kurse në Shqipëri….4-5 oligarkë kanë monopolin konsensual në cdo fushë: ndërtim e turizëm, telekomunikacion dhe karburante, shoqëri sigurimesh dhe sport, në arsim, në kullat e reja dhe në qendra tregtare. Ky është një dallim i madh dhe për këtë nuk publikohen raporte, dhe për to gjendet asnjë financim ndërkombëtar.
E mërkurë, 14 mars. Në Maqedoni parlamenti miratoi gjuhën shqipe si gjuhë të dytë zyrtare. Me ligj, shqiptarët do të flasin shqip dhe siç flasin edhe maqedonisht, edhe maqedonasit do duhet të flasin shqip, – me disa klauzola, – sipas zonave të banimit, nivelit të institucioneve, përqindjes së etnisë, etj. Premtimi daton më 2001 në Marrëveshjen e Ohrit dhe u arrit pas 17 vitesh. Ish kryeministri Gruevski, i cili deri dje konsiderohej partner i besueshëm dhe mik personal për shumë politikanë në Tiranë, desh shkaktoi incidente fizike për të penguar një të drejtë thelbësore të shqiptarëve. Presidenti Ivanov u betua se nuk do ta dekretojë, edhe pse është i detyruar dhe se është në kuotat e tij më të ulta në besimin publik brenda e jashtë vendit. A janë shqiptarët të fituar? Në të ardhmen, po, bashkë me banorët e tjerë të shtetit eksperimental me dy emra, FYROM dhe Maqedoni. Aktualisht kreditit janë minimale, pasi bota politike shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Tetovë është nën akuzë për paaftësi, korrupsion dhe drejtim oriental. Në momentin më të mirë historik ne kemi elitat e gabuara dhe ky mund të jetë një shans tjetër i humbur historik.
E enjte, 15 mars. Në kulmin e debatit politik u lajmërua se këshilltarë të LSI kanë kaluar me PS. Fillimisht në Tiranë e Durrës, më pas në Gjirokastër e Belsh, tani në Fier dhe Vlorë. Çdoherë ka një alibi: në mbrojtje të interesave madhore publike e kombëtare, por çdoherë de facto ka të bëjë me të njëjtin tipar: tregun politik të mandateve. Për sa kohë këshilltarët nuk zgjidhen si individë me meritë e aftësi, por listohen nga kryetarët sipas njohjeve personale e pagesave informale, ata nuk janë më këshilltarë por mall për treg. Ka një thënie domethënëse në Durrës kur drejtuesi i shumicës tha se më shumë i kushtuan 4 vota opozitare sesa 4 rrugët e reja në qytet. Janë fakte që nuk kanë të bëjnë vetëm me LSI, pasi të ikurit prej saj priten si heronj tek PS, ashtu siç votat e saj po krijojnë mazhoranca fluide të PD në ndonjë bashki periferike. Kjo ka të bëjë me sistemin tonë përfaqësues, tërësisht abuziv, klientelist, të korruptuar dhe kërcënues për demokracinë. Të ikurit dhe të ardhurit në çdo rast nuk janë ithtarë të ideve politike dhe as vlera morale që ngrenë peshë një shoqëri, por numra e emra që tregtohen ashtu si malli në treg, si votat në zgjedhje, si partitë në administratë, si mandatet në listat proporcionale të partive kryesore. Ndaj përpara se tregtarët e radhës të gjejnë klientët e gatshëm për tu tregtuar, qofshin këta këshilltarë lokalë apo deputetë, le ta themi se më zë të lartë se zgjidhja nuk është gara fyese kërkesë – ofertë në tregun politik, por nevoja emergjente për reformim tërësor të sistemit tonë përfaqësues, të partive politike, të sistemit zgjedhor dhe të kulturës tonë politike.
E premte 16 mars. Dy ambasadorë të rëndësishëm, – njëri përfaqësues i BE në Shqipëri dhe tjetri kandidat potencial për tu bërë përfaqësues i ri i BE në Shqipëri, shkuan në Spaç, simbolin e dhimbjes, absurdit, dramës dhe ndërgjegjes tonë historike. Ashtu siç pritej, ata u shokuan me çfarë panë e dëgjuan. Vetë BE në Shqipëri, krahas punëve të mira ka harxhuar edhe miliona euro edhe për gjëra pa vlerë ose të dështuara, dhe nëse një pjesë e vogël e tyre do të ishte adresuare tek kujtesa kolektive, vendet e memories dhe dialogu mbi të kaluarën, – shoqëria shqiptare sot do të ishte më e paqtë, më e drejtë, ashtu siç Spaçi nuk do të ishte i braktisur sa është. Nëse politikanët do kishin menduar realisht për ndarje të drejtë me të kaluarën nuk do ndërmerrnin turpe apo aventura të tilla, si ato me portretet e simbolet e diktatorit apo nisma parlamentare për të çuar në harresë aktin studentor të 20 shkurtit. Nga ana tjetër, shohim se ambasadorët Lu, Vlahutin, Satler, Bochardt, etj shkojnë në Spaç, por atje ende nuk e kemi parë të shkojë asnjë prej liderëve tanë politikë, as ministrin e drejtësisë, as avokatin e popullit, as deputetët e Kuvendit, as komisionierin anti-diskriminim, as stafin e pedagogëve të fakultetit të drejtësisë dhe natyrisht, asnjë drejtues i mediave kombëtare dhe natyrisht as shumica e komentatorëve politikë që pushtojnë çdo mbrëmje ekranet televizive. Spaçi është turpi ynë, është krimi ynë, por është edhe memoria dhe ndërgjegjja jonë.
E shtunë 17 mars. Në Lezhë ka ndodhur një operacion i gjerë arrestimesh. Janë 23 zyrtarë të akuzuar për një tjetërsim prone në plazhin “Rana e Hedhun”, numri më i madh i zyrtarëve të arrestuar për një dosje korruptive në Shqipëri. Kaq shumë zyrtarë nuk janë arrestuar as për ngjarjet e marsit 1997, as për shtatorin 1998, as për Gërdecin, as për vjedhjen e depove të arit të shtetit, as për 21 janarin, as për betonizimin e gjithë vijës bregdetare e qendrës së Tiranës, dhe natyrisht as për rekordin historik të prodhimit të kanabisit 2016-2017. Nevoja për të prodhuar lajm pozitiv në rezultatet kundër korrupsionit u bë përcaktues për arrestimet kolektive në Lezhë. Koha do tregojë nëse ata janë fajtorë, nëse do ketë proces real, nëse modeli i Lezhës do të ndiqet edhe në Durrës, Vlorë, Seman, Divjakë, Sarandë, Ksamil, Pogradec, Golem, Velipojë e deri tek Gjiri i Lalzit, apo nëse kemi të bëjmë me një fushatë sa ligjore aq edhe spekulative e politike. Lajm i mirë që kryeministri nuk doli ta quajë sukses dhe që kryetari i opozitës bëri distancim politik në rast fajësie të tyre. Por janë lajme të pamjaftueshme, sepse lufta reale kundër korrupsionit kërkon shumë me tepër sesa kaq, shumë më lart në hierarki sesa kaq, shumë më transparencë sesa kaq, shumë më drejtësi sesa kaq. Kroacia, Mali i Zi, Bullgaria e Rumania çuan përpara ligjit kryeministra e presidentë, Shqipëria nuk mund të mjaftohet me ca emra periferikë, të cilët publiku i dëgjoi për herë të parë kur u shpallën të arrestuar në media. Dosjet janë, faktet janë, denoncimet e denoncuesit janë, prova e miliardave të zhdukura nga arka e shtetit janë, – tani nuk është koha më për alibi tek drejtësia apo intervista televizive, por për veprim, veprim të qartë, të shpejtë, të vendosur, kurajoz dhe profesional. Asgjë tjetër nuk ka vlerë dhe asgjë tjetër nuk na bind se ligji është i njëjtë për të gjithë edhe në shtetin ku të urtët janë në rrugë dhe të fortët janë në vendimmarrje.
Ky shkrim është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë bëhet vetëm me lejen e redaksisë!
Leave a Reply