Nuk është çështja nëse është apo jo fajtor kryetari i Bashkisë së Lezhës, i cili u arrestua së bashku me disa zyrtarë të tjerë. Atë do ta tregojë koha, faktet dhe gjyqi. Çështja është se drejtësia është diçka që funksionon për të gjithë njëlloj, është një ideal që i bën të gjithë të kuptojnë se askush nuk më shumë apo më pak mbi apo nën ligjin dhe rasti i arrestimit të Fran Frrokut dëshmon se vetëm drejtësia nuk ka qenë shqetësimi në këtë rast. Kur prokurori Fitzgerald i distriktit të Chicagos së Jugut arrestoi guvernatorin Rod Bllagojeviç në vitin 2009 për shitje të mandatit të senatorit Obama (i zgjedhur president) tha se guvernatori e kishte poshtëruar aq shumë Chicagon dhe shtetin e Illinoisit sa ish-presidenti Lincoln do të rrotullohej në varr po ta dëgjonte. Shtypi, mediat, qytetarët, politika e dinin se prokurori Fitzgerald thjesht po mbronte shtetin dhe të drejtën në atë akt. Në rastin e kryetarit të Bashkisë Frroku askush nuk e thotë dot këtë. Në qoftë se qëllimi do të ishte mbrojtja e shtetit dhe e të drejtës Prokuroria do të kishte arrestuar të mëdhenj të tjerë më parë, të tjerë që kanë grabitur me dekada prona, kanë mbjellë hektarë me hashash, kanë sjellë pandalur kuintalë me kokainë, kanë blerë mandate deputetësh dhe vota etj.
Ka gati tre vjet që qeveria shqiptare nisi të flasë për Reformë në Drejtësi, reformë e cila do t’i jepte sipas saj fund korrupsionit endemik që sundonte këtë sistem. Duhet thënë se gjatë viteve 2013-2015 qeveria e kryeministrit Rama zëvendësoi në mënyrë antikushtetuese dy anëtarë të KLD-së, Lelcaj dhe Cefa, (Gjykata kushtetuese u shpreh për antikushtetutshmërinë) dhe hartoi një ligj antikushtetues për të ashtuquajturën byro kombëtare të hetimit të cilin e rrëzoi po për antikushtetues Gjykata Kushtetuese sepse me anë të këtij ligji qeveria dhe ministri i Brendshëm fitonin të drejtën të ndërmerrnin hetime dhe ngrinin akuzë. Pas këtyre dështimeve qeveria Rama nisi të flasë për Reformën në Drejtësi. Ambasadori Lu, Ambasadorja Vlahutin, “Shoqëria civile” së bashku me PS-në shtynë me forcë hartimin e një drafti i cili nga fillimi në krye nuk e fshihte përpjekjen për t’i dhënë qeverisë së kryeministrit Rama kontroll mbi gjykatat dhe prokurorinë. Ky është një debat i tejkaluar tashmë. Aktualisht jemi në fazën e zbatimit të Reformës pasi kushtetuta dhe ligjet janë ndryshuar radikalisht duke krijuar institucione të reja. Sot kur ende nuk janë krijuar këto institucione mund të shohim se ajo që shihej dikur si përpjekje për të marrë nën kontroll gjykatat dhe prokurorinë po bëhet realitet. Arrestimi i Frrokut është një shenjë. Gjithçka ishte e gabuar në parim.
Nga pikëpamja formale kemi të bëjmë me një reformë të Kushtetutës e cila prek më së shumti organizmin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Duke qenë një reformë kushtetuese ajo duhet të udhëhiqej nga parimet themelore të konstitucionalizmit. Shumica e teoricienëve dhe studiuesve të filozofisë së ligjit, filozofisë së të drejtës, (nga etërit e Kushtetutës amerikane Madison, Willson, Franklin, Jefferson e deri te teoricienët Hart, Fuller, Dworkin etj., bien dakord se konstitucionalizmi është ideja që qeveria duhet të kufizohet në pushtetin e saj dhe se autoriteti dhe legjitimiteti i saj varet pikërisht nga ky kufizim. Që qeveria të mos abuzojë, të mos rrisë pushtetin e saj dhe të mos grabisë të drejtat ajo i nënshtrohet një ndarjeje të qartë mes pushteteve; gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ.
E majta, komunistët, liberalët etj., duke synuar të ndërtojnë një botë të re, të prodhojnë një gjendje në të cilën njerëzit edukohen, ndriçohen dhe jetojnë të lirë dhe të barabartë, nuk mund të pranojnë që një pushtet si ai gjyqësor të rrëzojë vendimet e parlamentit. Partitë e majta, komuniste, liberale u premtojnë njerëzve këtë botën e re që rrëzon të vjetrën, botën në të cilën shteti do të jetë babai që drejton dhe nuk mund të binin dakord kurrë që parlamenti të ketë pushtete të kufizuara. Ideja e kufizimit dhe e ndarjes së pushtetit është një ide që vjen nga e djathta dhe ka qenë vazhdimisht në luftë me të majtën që kërkon vazhdimisht shumë pushtet. Gjatë këtyre pesë viteve qeveria e kryeministrit Rama ka marrë vazhdimisht pushtet derisa sot jo vetëm legjislativi dhe ekzekutivi janë në një dorë, por edhe gjyqësori është thuajse në këtë dorë.
Nga mënyra sesi u hartua Reforma në Drejtësi e kishte brenda këtë farë shkatërruese të ndarjes së pushteteve. Duke qenë se tërë trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kalojnë në vetting (një gjë skajshmërisht e nevojshme) atëherë ekziston mundësia e artë që ky proces të kontrollohet. Dhe kjo po ndodh dhe do të ndodhë. Është shkruar dhe folur shumë se qeveria ka në dorë institucionet që dërgojnë material dhe të dhëna për secilin gjyqtar dhe prokuror, se qeveria ka të gjitha mundësitë që fusë aty në komisionet e kontrollit spiunë të sigurimit, ish-komunistë, njerëz të saj. Është e kotë të hyjmë në detaje të kësaj përpjekjeje që ndodh përditë. Janë bërë të njohura mjaft raste të tilla në shtyp.
Ky shkatërrim i konstitucionalizmit, i ndarjes së pushteteve, bëhet teksa gjykatat dhe prokuroria janë prej kohësh në ditë shumë të errëta të zhytura në korrupsion dhe babëzi dhe ky është pikërisht momenti të cilit Aleksis de Tocqueville i trembej më shumë kur diskutohej mbi demokracinë. Ai thoshte se “çdo reformë, sidomos kur është e domosdoshme, do të përdoret nga mendjet e dobëta për të shtuar pushtetin dhe më pas do na duhet të reformojmë reformën por do të jetë shumë e vështirë”. Kryeministri Edi Rama këtë gjë është përpjekur ta bëjë që ditën e parë kur mori detyrën: shtimin dhe përdorimin e pushtetit të tij. Janë me dhjetëra ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, të cilat në thelb zgjeronin pushtetin e qeverisë: unifikimi i kompetencave të policisë ndërtimore, marrja e emërimeve dhe shkarkimeve të oficerëve madhorë, kontrolli i numrave të celularëve etj.
Kryeministri Rama ka zgjedhur ta lexojë Kushtetutën dhe ta kuptojë konstitucionalizmin, në një mënyrë plotësisht leniniste, pavarësisht se këtij leximi i bëjnë jehonë qartazi në mënyrë servile dhe për qëllime të ulëta edhe ekspertë (disa janë ish-zyrtarë të regjimit komunist) apo njerëz gjithfarësoj. Profesori i Harvardit, filozofi i të Drejtës Mark Tushnet, një nga mendjet më të mëdha të së majtës, është përpjekur për 40 vjet me radhë të pajtojë majtizmin me konstitucionalizmin. Ai shprehet se “e majta mund të gjenerojë politikanë të ditur dhe modestë, njerëz të përulur, të cilët idenë e kushtetutës si një gjë që na përket të gjithëve kolektivisht ashtu siç veprojmë në dialogun politik, sillemi në qendra votimi apo veprojmë në rrugë mund ta jetësojnë dhe të mos uzurpojnë pushtet”. Se “nuk ka nevojë që ne t’u nënshtrohemi detajeve të Kushtetutës së “trashë”. Ajo që na bën ne të respektojmë njëri-tjetrin dhe vendin tonë nuk është grimca e ligjit kushtetues por kushtetuta e “hollë” që konsiston në idealet e Deklaratës së Pavarësisë”. Pra Tushnet kërkon politikanë të majtë të përunjur të cilët duhet të jenë ata interpretuesit e ligjeve dhe jo gjykatat që na fusin në qindra detaje dhe kurthe të imëta.
Është e kotë të themi se ç’do mendonte Tushnet për politikanë si kryeministri Rama. Megjithatë tezës së Tushnet, miku i tij, profesori i Gergetown Louis Michael Seiman i është përgjigjur me një metaforë: në fshatin hebre Chelms (Polonia e sotme) pleqësia ngarkoi dikë të rrinte në hyrje të fshatit dhe të priste të vinte Mesia. Pas disa kohësh i punësuari u ankua te pleqësia: paga ime është e ulët. Pleqësia iu përgjigj: po, por ki parasysh që ke punë të qëndrueshme, nuk do të vijë Mesia. Pra, edhe profesor Tushnet po pret Mesinë. Për të gjitha këto Reforma në Drejtësi është një shkatërrim. Një pushtet i korruptuar dhe vital si gjykatat në duart e qeverisë (për të kufizuar pushtetin shkatërrimtar të së cilës u ndërtua konstitucionalizmi) është i pamendueshëm për nga dëmi.
Edhe sikur Rama dhe qeveria e tij të ishte vetëm një e majtë që kërkon pushtet për të “transformuar vendin” siç thotë ai, konstitucionalizmi do të ishte i pamundur. Imagjinoni me një të majtë që kërkon pushtet “për të transformuar vendin” por edhe që ble vota, ble mandate, mbjell vendin me hashash, zhyt vendin në hartën e kokainës, mbron me forcë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm etj., se çfarë i bën ajo konstitucionalizmit. Kështu që Fran Frroku është vetëm i pari, do të ketë të tjerë dhe do të jenë të gjithë të opozitës. Nga shumica në qeveri do të arrestohet ndonjë drejtor rrugësh apo ujësjellësish, ndonjë shef dogane, arrestime të cilat do të jenë vetëm si instrumente propagande. Nuk mund të sjellë asgjë tjetër një reformë drejtësie e ideuar në këtë mënyrë. Fatkeqësia është se këtë reformë qesharake, përkundër çdo dijeje konvencionale në fushë të së drejtës apo filozofisë politike e mbështet ambasadori Lu, i cili vjen nga një vend që kurrë nuk do të lejonte edhe grimcën më të vogël të cenimit të ndarjes së pushteteve.
*Pedagog, Shkenca politike UET
Leave a Reply