Pas 23 vitesh në opozitë, Albin Kurti do të mbajë mbi shpatullat e tij peshën më të madhe politike që pas shpalljes së Pavarësisë. Kryeministrit të ri të Kosovës duket se është paracaktuar detyra të udhëheqë vendin drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje ku të dyja palët do të duhet të bëjnë lëshime të jashtëzakonshme.
Albin Kurti po merr miratimin e Kuvendit si kryeministër mes presionit të jashtëzakonshëm të presidentit amerikan Donald Trump e cili e ka bërë gjithnjë e më të qartë mesazhin e tij për rikthimin në dialog menjëherë pas formimit të qeverisë dhe heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.
Ndërkohë që Albin Kurti dhe Isa Mustafa negocionin për formimin e qeverisë, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell do të arrinte dy marrëveshje të mëdha për rinisjen e bisedimeve: rikthimin e flurimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe rikonstruktimin e linjave hekurudhore. Nuk ka dyshim se Kosova duket se është tanimë në lupën e SHBA-së, por pyetja e vetme është si do të reflektohet kjo vëmendje në qeverinë e Kurtit.
Shpend Emini, Drejtor Ekzekutiv i Institutit “Demokraci për Zhvillim në Kosovë”, thotë se heqja e tarifave do të jetë prova e parë për Albin Kurtin.
“Një vendim i tillë nuk do të jetë i lehtë, veçanërisht pasi Kurti ka vendosur si kusht që Serbia të ndalojë fushatën kundër pavarësisë së Kosovës dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thotë ai.
Ndërkohë, dy analistët amerikanë, Eduard Joseph dhe Janusz Bugajski, ndjekës të hershëm të zhvillimeve në Kosovë, thonë se bisedimet Kosovë-Serbi do të mbizotërojnë në mandatin katër vjecar të Albin Kurtit. “Kreun e Vetëvendosjes e presin sfida të mëdha”, thotë eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Edëard Joseph.
“Të qenit në qeveri, i ndryshon njerëzit dhe politikanët. Për Albin Kurtin dukej e lehte të kritikonte nga jashtë, por është ndryshe të shkosh në Bruksel ose Uashington, ose të presësh zyrtarë të lartë. Nuk duhet të harrojmë se Kosova është e varur nga mbështetja e faktorëve ndërkombëtare. Për sigurinë e Kosovës kujdeset KFOR-i.
Ekonomia varet nga BE-ja. Prandaj, do apo nuk do Kurti, Kosova nuk mund ta përballojë izolimin”, thotë Joseph.
Por, qëndrimet e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje, që shpesh herë janë cilësuar si të ashpra ndaj faktorit ndërkombëtar dhe izoluese për Kosovën, mund të kthehen sipas analisti Janusz Bugajski në pikën e fortë të Albin Kurtit.
“Ai është i vendosur të sigurojë qëndrimin në këmbë të Kosovës, në fushën ekonomike, politike dhe strategjike. Mendoj se kjo është ajo që dëshiron Amerika. Amerika i do vendet që janë të pavarura, të sigurta dhe që kërkojnë më pak angazhim të trupave ushtarake amerikane. Pra i do vendet që mund të shërbejnë në aleancë”, thotë Bugajski.
Sipas tij, përfshirja e ambasadorit Grenell është një përparërësi që zoti Kurti duhet ta shfrytëzojë. “Kosova me Albin Kurtin në krye të qeverisë, do të ketë ekipin negociues më të besueshëm që ka pasur ndonjëherë”,shprehet analisti.
“Albin Kurti duket se nga të gjithë politikanët në Kosovë është më i pastërti, sepse nuk ka akuza për korrupsion, nuk ka dyshime për krime lufte dhe nuk ka qenë pjesë e ndonjë qeverie ku janë bërë gabime. Pra, i ka duart e pastra dhe kjo i jep më shumë autoritet dhe e vë në epërsi përballë komunitetit ndërkombëtar. Pres zhvillime interesante sepse në anën tjetër ambasadori Grenell ka rezerva ndaj Bashkimit Evropian dhe ka bërë kritika të shumta ndaj qeverisë gjermane. Prandaj mendoj se ai nuk do të dëgjojë shumë qëndrimin e Bashkimit Europian dhe i intereson të shtyjë përpara qasjen amerikane, të cilin Kosova duhet ta shfrytëzojë në favor të saj”, thotë Bugajski.
Nga ana e saj, Serbia thotë se rifillimi i bisedimeve nuk është i mundur pa heqjen e tarifave.
“Ramush Haradinja nuk do ta hiqte tarifën, sepse për të ishte çështje parimore. Por një qeveri e re, e ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, mund ta gjejë formulën e duhur me Beogradin. Për shembull, tarifa pezullohet, bisedimet rifillojnë dhe Beogradi heqë dorë nga lobimet në arenën ndërkombëtare”, tha Edëard Joseph.
Ky skenar, sioas analistëve, është lehtësisht i realizueshëm. Madje, ata shohin më shumë rezistencë nga pala serbe sesa ajo e Kosovës.
Liberalizimi i vizave
Dialogu me Serbinë ka qenë një nga kushtet kryesore për përparimin në rrugën e pranimit në BE të të dyja vendeve. Ai duket se është kthyer edhe në shkakun e ngrirjes së procesit të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Sidoqoftë, Kurti ka qenë më i kujdesshëm në premtimin e liberalizimit të vizave.
“Me sa duket, BE-ja nuk është në agjendë. Me pasigurinë për procesin e liberalizimit të vizave, partitë politike në Kosovë nuk kanë dëshirë ta përfshijnë këtë çështje në programet e tyre ”, thotë analistja Donika Emini.
Kjo ka të bëjë shumë me mungesën e perspektivës së BE-së, ndjenjën e izolimit dhe mendimin e përgjithshëm që BE nuk do të jetë në gjendje të ofrojë siguri politikisht, shpjegon ajo.
Ekonomia dhe korrupsioni
Megjithatë, sfidat që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës nuk janë vetëm në jashtme.
Krahas sfidave në rrafshin ndërkombëtar, Kosova ka probleme të mëdha edhe për shumë çështje të brendshme. Analistët thonë se në të dyja fushat, kërkohet punë paralele.
“Qeverisë do t’i duhet të fokusohet tek të dyja. Duhet të angazhohen për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, duhet të marrin masa që të mos emërojnë në poste vendimmarrëse familjarë dhe të afërm. Dhe mbi të gjitha, cilido qoftë roli i Albin Kuritt në qeveri, ai duhet të angazhohet për këtë për të dëshmuar se këto janë prioritetet më të mëdha për Vetëvendosjen”, tha analisti Eduard Joseph.
“Mendoj se zhvillimi ekonomik por edhe duart e pastërta, transparenca, sundimi i ligjit, drejtësia për ata që kanë kryer krime dhe zyrtarë të korruptuar që kanë abuzuar me postet publike duhet të jetë puna e parë e brendshme”, tha analisti Janusz Bugajski
Analistët thanë se është e vështirë të parashikohet kohëzgjatja e krijimit të qeverisë së re, por ata thonë se ajo duhet të formohet sa më parë.
Po ashtu edhe Demush Shasha, ekspert nga Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane thotë se detyra e dytë e qeverisë së ardhshme do të jetë ndërmarrja e hapave konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe shkëputjen e ndikimit të politikës në sistemin e drejtësisë.
“Tre vitet e fundit Kosova nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të hetimit apo dënimit profilit të lartë sa ai përket luftës kundër korrupsionit. Po ashtu sa i përket procesit të përgjithshëm integrues institucionet e ardhshme të Kosovës duhet të vendosin theksin në zbatimin e
Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe agjendës evropiane të reformave”, thotë Shasha.
Përveç detyrave politike, kryeministrin e ardhshëm (ose kryeministren) e presin edhe një sërë sfidash ekonomike.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për se prioritet i parë i qeverisë së ardhshme duhet të jetë përmirësimi i sundimit të rendit e ligjit.
Brenda 100 ditëve të para të qeverisë, shton Zeka, do të duhej të hartohet një strategji për zhvillimin ekonomik e cila do të ishte udhërrëfyese për reformat që duhet bërë në fuqizimin e ekonomisë.
Po ashtu sipas Zekës, prioritetet e qeverisë së ardhshme duhet të jenë edhe adresimi i boshllëkut të infrastrukturës, transportit dhe energjetikës.
“Kur flasim për infrastrukturën duhet theksuar se ka pasur investime në infrastrukturën rrugore, por ka ngecur mbrapa modernizimi i rrjetit hekurudhor. Qeveria e re duhet të vazhdojë investimet në rrjetin hekurudhor, gjë që do të lehtësonte operimin e shumë bizneseve si dhe të eksporteve. Infrastruktura energjetike është e rëndësishme”, thotë ai.
Mini-Shengeni
Nisma e fundit e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vucic për krijimin e një Mini-Shengeni rajonal, ka të ngjarë të jetë sfida e dytë më e madhe e kryeministrit Albin Kurti.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që po qëndron larg mini-Shengenit Ballkanik, duke cuar edhe në një përkeqësim të marrëdhënieve mes kryeministrit Edi Rama dhe zotiti Kurti.
Ashtu si edhe, udhëheqësit politikë në Kosovë, as Kurti nuk e ka kursyer revoltën, duke e cilësuar mini-Shengenin si një nismë që fuqizon ndikimin e Serbisë në rajon. Zyrtarët e partisë së tij janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani.
Duke folur pas qëndrimeve të mbajtura nga kryeministri Edi Rama kundër bojkotit të mbledhjes së liderëve të rajonit të Ballkanit, të takimit të zhvilluar në Tiranë, , Kurti shprehet se rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë dhe se asnjë popull nuk mund të qëndrojë mes tyre.
“Parimet e gjithëpërfshirës dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi në Tiranë kalon nëpër Prishtinë . Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim!”, shkruan Albin Kurti.
Nga një festë me të rinjtë e Vetëvendosjes në Tiranë, Kurti tha se duhet të jemi të kujdesshëm me Serbinë, pasi kjo e fundit para tre vitesh ka tentuar një puç bashkë me Rusinë.
“ Është në interes të Serbisë që të duket sa më normale ndërkohë që nuk është”, u shpreh ai.
Kurti tha se përpara se të hidhen të tilla ide për bashkëpunimin me Serbinë, do të ishte më mirë një bashkëpunim edhe më i fuqishëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në atë që quhet Mini-Shengen Ballkanik nuk janë të përfshira Kosova, Mali i zi dhe Bosnja. Unë besoj se ajo që është më e rëndësishme është bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ne duhet ta dyfishojmë bashkëpunimin, të kemi komision të përbashkët qeveritar për politikë të jashtme dhe të kemi politikë të përbashkët për mbrojtje dhe siguri, se nëse na sulmojnë, do ta sulmonin bashkërisht”, u shpreh ai.
Kur Kosova vendosi tarifën doganore 100% ndaj mallrave serbe, Shqipëria rezultoi një nga përfitueset e mëdha. Vetëm katër muajt e parë që pas vendosjes së taksës, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës u rritën me tre miliardë lekë më shumë.
Në kohën që taksa është ende në fuqi, mundet që marrëveshja me Serbinë të krijojë një kanal të ri tregtie, e cila mund të zhvlerësojë “embargon kosovare”.
në Prishtinë janë të bindur se Serbia është e vetmja që përfiton nga ky projekt, pasi do të ofronte anëtarësimin në BE në vitin 2025. “Si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: “Në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt dhe Serbisë do t’i përshpejtohej hyrja”, shkruan analisti kosovar Veton Surroi.
Leave a Reply