Fitim Zekthi/
Liri Belishova, një e dënuar mizorisht nga regjimi komunist por edhe një ish-funksionare e lartë e këtij regjimi, ndërroi jetë pak ditë më parë. Ajo ka qenë që në rini të saj në partinë komuniste, ka marrë pjesë në luftën nacionalçlirimtare krah tyre. Gjatë këtyre viteve të pluralizmit, si edhe gjatë viteve të komunizmit, ajo ishte një figurë e njohur, e angazhuar në publik dhe e vlerësuar gjerësisht si për vuajtjet në komunizëm ashtu edhe për ato që tha në liri duke i njohur krimet e komunizmit dhe duke kërkuar ndjesë. Përcjellja e saj në botën tjetër u bë me një indiferencë të thellë nga socialistët shqiptarë. Socialistët shqiptarë kanë patur kurajë të shprehen me vlerësime për Hysni Kapon, për Ramiz Alinë, për Adil Çarçanin, për Mehmet Shehun etj. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk e dënoi dot si regjim kriminal atë të Enver Hoxhës përballë Blendi Fevziut, kryeministri Rama që kur ka marrë drejtimin e PS në 2005 asnjëherë nuk ka thënë se Enver Hoxha ishte një kriminel dhe sigurisht që nuk do ta thotë ndonjëherë. Kryetari i parlamentit as që mund të mendohet ta quajë Enver Hoxhën dhe regjimin e tij kriminal.
Të nderonin Liri Belishovën për socialistët shqiptarë duhet të ishte jo vetëm shumë më e lehtë por edhe e leverdishme. Liri Belishova ka qenë një komuniste e devotshme por që më vonë u dënua nga komunizmi. Ajo nuk ka bërë krimet e Enver Hoxhës apo të Mehmet Shehut. Pra, Liri Belishova është një simbolikë shumë më humane dhe shumë më socialdemokrate për PS-në dhe për drejtuesit e saj se sa Hysni Kapo, Enver Hoxha apo Mehmet Shehu.
Kjo gjë nuk ndodhi sepse partia socialiste është enveriste. Trashëgimia e saj nuk ka të bëjë fare me të majtën, trashëgimia e saj e vetme është enverizmi. Për një enverist Liri Belishova mbetet një armike, për një enverist Liri Belishova meriton dënim dhe përçmim. Për një enverist e majta nuk ka të bëjë me ndonjë ide politike, me ndonjë trashëgimi të caktuar politike, me ndonjë literaturë , lëvizje apo figurë politike që nuk ka në qendër Enver Hoxhën dhe gjërat që ai ka bërë. Çdo ide duhet të jetë artikuluar nga ai, çdo trashëgimi duhet të jetë e lidhur me të, çdo themelim nis me të, çdo literaturë ka të bëjë me të.
E majta në Shqipëri ka gjurmë dhe rrënjë (të shkulluara me gjak nga enverizmi) përpara se sa të krijohej partia komuniste. E majat ka gjurmë edhe përpara se sa të dilnin grupet komuniste të Shkodrës, Korçës apo të Zjarrit dhe të Rinjve. E majta në Shqipëri ka një trashëgimi të dendur, të fortë dhe domethënëse.
Pas kongresit të Lushnjës të vitit 1920, kur Shqipëria nis sërish të marrë jetë si një shtet dhe kur ajo që u nis në 1912 filloi të jetësohet duke ndërtuar institucione shtetërore relativisht të qëndrueshme në Shqipëri shfaqen dallimet e para politike të majta dhe të djathta. Këshilli i ngritur nga Kongresi i Lushnjës dhe që kishte atributet e parlamentit u shpërnda në fund të nëntorit të 1921. Këshilli ri që doli pas zgjedhjeve u mblodh në prill të 1921. Në këtë parlament përvijohen dy grupime deputetësh. Një grupim rreshtohet pas Hoxhë Kadrisë që drejtonte Partinë Përparimtare (pavarësisht emrit të majtë, ajo ishte parti e djathtë ndonëse kishte në të edhe deputetë progresistë) dhe grupimi tjetër rreshtohet pas Fan Nolit që drejtonte Partinë Popullore (e cila pavarësisht emrit të djathtë nuk ishte e tillë dhe kishte mjaft deputetë progresistë). Duhet thënë se dallimet mes deputetëve nuk ishin shumë të mëdha ndonëse dallimet te disa deputetë ishin shumë më të mëdha se sa te të tjerët. Nga fundi i vitit 1921 në parlament ka konfigurim të qartë të majtë dhe të djathtë. Kjo periudhë kohe nga prilli në fund të vitit iu mjaftoi deputetëve të gjenin vendin e tyre në grupime dhe në spektrin ideor. Tashmë Partia popullore është tjetër. Në të epërsinë e ka Ahmet Zogu dhe mbështetësit e tij. Kjo parti përfaqëson forcat e djathta konservatore. Deputetët progresistë që ishin në fillim në partinë popullore të Nolit dhe atë përparimtare të Hoxhë Kadrisë formojnë grupin e opozitës ndërsa partia përparimtare u shkri fare. Pra, kemi konservatorët të drejtuar nga Ahmet Zogu dhe të majtët të drejtuar nga Noli. Me Nolin, në partinë e majtë opozitare janë edhe Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Sulejman Delvina, Ali Këlcyra etj. Ky grup ka zhvilluar një opozitë shumë të fortë. Ata ishin mbështetës të Bashkimit Sovjetik komunist ndonëse jo të gjithë ishin njëlloj entuziastë për BS-në. Fan Noli ka kërkuar që në parlament të mbahet një minutë zi me rastin e vdekjes së Leninit në janar 1924.
Edhe shtypi shqiptar i atyre viteve kishte gazetarë dhe mendimtarë të njohur të majtë. Ishte Tajar Zavalani i cili punoi pas luftës në BBC. Ishte Branko Merxhani që shumë e llogarisin si sociologun e parë shqiptar. Ishte shkrimtari dhe publicisti Petro Marko. Ishte publicisti Ismet Toto etj.
Partia socialiste e Shqipërisë kurrë që nga qershori i vitit 1991 kur i mori emrin, zyrat, strukturat, arkivin, anëtarët e partisë së punës nuk ka folur ndonjëherë për Ali Këlcyrën si patriot dhe një nga socialistët e parë shqiptarë, nuk ka folur për Nolin si patriot dhe një nga socialistët e parë të rëndësishëm, një nga ata që ka themeluar dhe drejtuar të majtën në Shqipëri. Partia socialiste e Shqipërisë që nga viti 1991 nuk ka folur kurrë për Gurakuqin si progresist i majtë, patriot, që ka patur një rol të madh në politikën shqiptare dhe mendimin e të majtës. Partia Socialiste kurrë nuk ka thënë dhe kurrë nuk është shfaqur afër trashëgimisë së Zavalanit, Totos, Merxhanit etj.
Kjo ndodhur sepse ajo është enveriste. Enver Hoxha nuk e nderoi kurrë Nolin si themelues të së majtës. Ai nuk nderoi kurrë Ali Këlcyrën, përkundrazi e përndoqi. Nuk nderoi kurrë Branko Merxhanin. Nuk vlerësoi kurrë Tajar Zavalanin sepse ai iku dhe punoi në BBC dhe u quajt armik. E partia socialiste e Shqipërisë është e lidhur gati kriminalisht me trashëgiminë e Enver Hoxhës. Partia Socialistë e Shqipërisë mund të prishë çdo godinë në Tiranë por kurrë piramidën. Partia socialiste e Shqipërisë mund të prishë çdo vepër arti apo çdo objekt të trashëgimisë por kurrë mozaikun komunist (dhe idiot) te muzeu kombëtar. Për këtë arsye është e kotë të presësh që ajo të nderojë Liri Belishovën dhe pafundësisht e kotë të presësh që ajo të shohë paraardhëse të vetën apo të nderojë si themeluese të së majtës Këlcyrën, Gurakuqin, Zavalanin, Nolin etj.
Leave a Reply