VALBONA ZENELI/
Për gati shtatë dekada, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ka krijuar dhe forcuar lidhjet e marrëdhënieve transatlantike, duke krijuar edhe një ndjenjë të identitetit të përbashkët të Perëndimit. Është organizata thelbësore për mbrojtjen dhe sigurinë, sipas mendimit të 66 për qind të europianëve dhe 62 për qind të amerikanëve. Perceptimet për NATOn përgjithësisht janë përmirësuar gjatë viteve të ekzistencës të saj. Pas rënies së komunizmit në Europë, objektivat dhe prioritetet e NATO-s kanë ndryshuar, po edhe janë shumëfishuar në shumë fusha.
Megjithatë, një trashëgimi ende mbetet nga epoka e Luftës së Ftohtë, ajo e disbalancës në shpërndarjen e barrës financiare midis aleatëve. Megjithëse kontributet agregate në NATO janë rritur me kalimin e kohës, Shtetet e Bashkuara ende mbeten kontribuuesi më i madh në aleancë. Edhe pas rimëkëmbjes ekonomike të vendeve europiane të NATO-s pas luftës, si edhe zgjerimi i Aleancës nga dymbëdhjetë anëtarë themelues në 1949-n, deri në njëzet e nëntë në 2017-n, anëtarët e saj nuk kanë kontribuuar në mënyrë të drejtë pjesën e tyre.
Balanca më e shpërpjesëtuar e ndarjes së barrës financiare në historinë e NATO-s është regjistruar në vitin 1952, kur Shtetet e Bashkuara financonin 77 për qind të shpenzimeve totale të aleancës. Barazia më e përafërt e shpenzimeve ushtarake u regjistruara në vitin 1999, kur fondet e SHBA-së përbënin vetëm 55 për qind të shpenzimeve totale të mbrojtjes. Ky afrim i hendekut të kontributeve financiare i atribuohet angazhimit afatgjatë të anëtarëve europianë të NATO-s gjatë konflikteve në Ballkan.
Përpjekja e administratës aktuale të SHBA-së për t’u bërë presion anëtarëve europianë të NATO-s për të bërë më shumë financiarisht, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Megjithatë, kjo nuk është asgjë e re. Debati për ndarjen e barrës financiare të NATO-s është shumë i vjetër. Ai filloi në vitin 1953, kur Presidenti Amerikan Eisenhower ftoi Europën të rriste kontributin e saj në shpenzimet e mbrojtjes, duke theksuar se “burimet amerikane po thaheshin”.
Si rezultat, partnerët europianë të NATO-s rritën shpenzimet e tyre ushtarake, por sërish SHBA-ja vazhdoi të mbante pjesën më të madhe të barrës. Vala e dytë e debatit u rikthye në vitet 1980 gjatë administratës së Presidentit Reagan. Në ato vite, pjesa e SHBA-së në buxhetet e NATO-s ishte në 63 për qind të totalit. Në vitin 1977, aleatët e NATO-s kishin rënë dakord të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes kombëtare për të arritur 3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
Në realitet, vetëm një pjesë e vogël e aleatëve europianë e përmbushën ndonjëherë objektivin. Në vitin 1989, presionet ndaj vendeve europiane sollën pak sukses të dukshëm për angazhimin e tyre më të madh ndaj NATO-s dhe pjesa amerikane e shpenzimeve të mbrojtjes përbënte akoma 62 për qind të shpenzimeve totale të NATO-s. Më vonë, me përmirësimin e klimës gjeopolitike në marrëdhëniet Lindje – Perëndim në fund të Luftës së Ftohtë, u mor vendimi për të ulur shpenzimet kombëtare të mbrojtjes, duke e reduktuar atë në 2 për qind të PBB-së.
Vala aktuale e debatit për ndarjen e barrës financiare të NATO-s nuk filloi në të vërtetë me Presidentin Trump. Ai paraqiti ankesat e tij në takimin të parë me aleatët europianë në Bruksel, duke thënë se “vendet anëtare nuk paguanin atë që duhet … dhe kjo nuk ishte e drejtë për popullin dhe taksapaguesit në SHBA”. Në realitet, ky debat daton që nga viti 2011 kur sekretari Mbrojtjes i SHBA-së, Gates, sulmoi anëtarët e NATO-s për mosbartjen e peshës së tyre brenda Aleancës, duke argumentuar se “SHBA-ja nuk do ta financonte Aleancën si një rast bamirësie”.
Kjo ishte hera e parë në historinë e NATO-s që qëndrueshmëria e Aleancës u mor në pyetje duke u konsideruar si “e zbehtë, nëse jo e zymtë”. Duhet pasur parasysh se në periudhën para këtyre komenteve, anëtarët europianë të NATO-s kishin prerë në mënyrë të vazhdueshme buxhetet e tyre të mbrojtjes që nga fillimi i krizave ekonomike në Europë. Edhe njëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbanin peshën më të madhe, me 71.5 për qind të barrës së aleancës.
DIREKTIVA 2 PËR QIND
Duke tërhequr edhe një herë vëmendjen e publikut, tema e ndarjes së barrës së drejtë financiare ishte kryesore në rendin e ditës në Samitin e NATO-s të Wellsit në 2014-n. Gjatë Samitit, vendet anëtare u zotuan të përmbysnin prirjen e rënies së buxheteve të mbrojtjes, si edhe premtuan të ndjekin direktivën e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes deri në 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2024.
Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij premtimi, shpenzimet europiane të mbrojtjes u rritën në vitin 2015, për herë të parë në njëzet vitet e fundit. Në vitin 2017, vetëm gjashtë vende të NATO-s përmbushën kriteret e udhëzimit prej 2 për qind (Shtetet e Bashkuara, Greqia, Mbretëria e Bashkuar, Estonia, Polonia dhe Rumania). Jo shumë ka ndryshuar për Shtetet e Bashkuara, e cila vazhdon të mbajë 72 për qind të barrës së buxhetit të NATO-s për mbrojtjen, e cila kontribuon 693 miliardë dollarë në totalin prej 946 miliardë dollarësh të NATO-s.
Në Europë, tre shpenzuesit më të mëdhenj të mbrojtjes (në terma nominalë) janë: Britania e Madhe me 55 miliardë dollarë, Franca me 44 miliardë dollarë dhe Gjermania me 43 miliardë dollarë. Së bashku, këto tri vende europiane kontribuojnë vetëm 15 për qind të totalit. Udhëzimi për 2 për qind është aspirues dhe një objektiv jodetyrues. Por në të vërtetë, duhet të konsiderohet si një angazhim i fortë politik i aleatëve. Kjo është veçanërisht e vlefshme për anëtarët e rinj të NATO-s, të cilat kanë ekonomi të vogla dhe aftësi të kufizuara ushtarake.
Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë e rëndësishme të shqyrtohet se si shpenzohen buxhetet përballë investimeve të reja ose mirëmbajtjes operacionale. Ndarja më e mirë e barrës financiare është e pandashme nga “mbrojtja e zgjuar” (smart defense), e cila ka qenë në “listën e detyrave” që nga Samiti i NATO-s në Lisbonë më 2010-n. Me sfida të parashikueshme në horizont, ndjekja e koncepteve të mbrojtjes së zgjuar do të ishte një mundësi kritike për të mbyllur hendekun midis kërkesave dhe aftësive të mbrojtjes. Ngjarjet e fundit kanë theksuar rëndësinë e angazhimit politik, besimit dhe unitetit midis aleatëve të NATO-s.
Gjermania është një nga vendet që po merr një rol udhëheqës në Europë për të mbështetur grumbullimin dhe shkëmbimin e aftësive të mbrojtjes, me një fokus të fortë në efikasitet. Disa lajme të mira po vijnë nga Europa në këtë drejtim. Njëzet e tre vende anëtare europiane të NATO-s ranë dakord javët e fundit për t’u angazhuar seriozisht në kornizën e Bashkëpunimit të Përhershëm e të Strukturuar Europian (PESCO). Qëllimi i PESCO është të krijojë një kornizë ligjore detyruese dhe gjithëpërfshirëse europiane për investime në siguri dhe mbrojtje, duke përfshirë përkushtimin e përbashkët për të rritur shpenzimet buxhetore në terma realë, zhvillimin e aftësive të përbashkëta të mbrojtjes, investimin në projekte të përbashkëta dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.
A DO TË RRISIN VENDET EUROPIANE SHPENZIMET E TYRE USHTARAKE?
Mjedisi gjeopolitik ka ndryshuar. Rrethanat ekonomike të vendeve europiane janë të ndryshme nga shtatë dekada më parë, kur Shtetet e Bashkuara ofruan një angazhim të madh ushtarak për mbrojtjen dhe sigurinë e Europës. Sot, Bashkimi Europian është ekonomikisht blloku më i pasur dhe me aftësitë tregtare më të larta në botë. Është i integruar dhe shumë i aftë ushtarakisht. Vendet e Bashkimit Europian varen nga sistemet globale të sigurisë dhe për këtë arsye duhet të marrin më shumë përgjegjësi për të mbrojtur veten dhe aleancën transatlantike.
Në analizën përfundimtare, Shtetet e Bashkuara presin që anëtarët europianë të NATO-s të angazhohen për të përmbushur pjesën e tyre të drejtë të barrës së NATO-s. Situata aktuale e sigurisë në Europë e kërkon këtë gjë. Më shumë sfida dhe kërcënime të reja po bien në portofolin europian. Agresioni rus në Ukrainë dhe aktivitetet e saj ushtarake agresive në rajonin e Baltikut bëjnë një argument bindës për të rritur angazhimet ndaj NATO-s. Sfida të tjera përfshijnë migrimin masiv të parregullt nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme dhe kërcënimet në rritje prej terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në fakt, kërkesa për një angazhim më të madh brenda NATO-s nuk është një opsion, por një imperativ strategjik.
*Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Programit te Detit te Zi dhe Euro-Azisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politiken zyrtare të Qendrës Marshall dhe të Qeverive të SHBA-së dhe Gjermanisë.
Leave a Reply