“Europa, për disa shekuj rresht u bë kaq e huaj për gadishullin ballkanik dhe Shqipërinë, sa dukej sikur ndodhi një çarje tektonike. Në të vërtetë, as Shqipëria nuk u zhvendos askund e aq më pak zhvendosjen e bëri Europa.
Por, largësia e brendshme mendore dhe shpirtërore ishte e tillë sa që çoi në krijimin e një paradoksi”, shkruan Ismail Kadare.
Ky është një paradoks që vendimi i djeshëm i Komisionit Europian nis të ndreqë një herë e përgjithmonë.
Jemi mbledhur këtu sot, si përfaqësues të popullit, në një ditë historike për vendin tonë.
Rekomandimi pa kushte i Komisionit Europian përbën arritjen më të shkëlqyer në rrugën tonë të gjatë europiane, që nis pothuajse 30 vjet më parë, kur nën thirrjet “E Duam Shqipërinë si e gjithë Europa” shembëm regjimin më të egër komunist që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kjo është një arritje edhe më e veçantë, duke pasur parasysh shfaqjen e padenjë të seancës së fundit parlamentare, kur të zgjedhur të këtij populli lëshuan vezë, miell, bidona dhe fyerje kundër integrimit europian.
Megjithatë, sot nuk është momenti për të ndarë as medalje dhe as për të gjetur fajtorë, sepse rruga që mbetet përpara është ende shumë e gjatë. Një gjë ama është e qartë.
Rekomandimi për hapjen e pakushtëzuar të negociatave tregon qartë për progresin e vazhdueshëm që ka realizuar vendi ynë në përmbushjen e përparësive kyçe.
Ndryshe nga shumë prej këtyre që lanë sallën duan të bëjnë të besohet, duke hedhur me përpikmërinë më të madhe baltë ndaj qeverisë çdo të enjte në sallë, apo në çdo zyrë parlametesh të vendeve të BE-së, Bashkimi Europian, si një arbitër i pavarur, ka njohur dhe ka vlerësuar reformat tona, të cilat tanimë na kanë shndërruar në një partner të besueshëm dhe të denjë për t’u ulur në të njëjtën tryezë me ta me vendet më të përparuara të kontinentit, për të negociuar për anëtarësimin me të drejta të plota në BE.
Ky vendim i Komisionit është një tregues i qartë se reforma në drejtësi është duke dhënë rezultate të qarta, duke nisur ta transformojë drejtësinë nga themelet, nga hallkën më të kalbur të shoqërisë tonë, në një gur themeli të një shteti të mirëqënë europian, ku ligji vjen përpara gjithçkaje, e ku ligji i trajton të gjithë si të barabartë.
E pra, mos jini kurrë pishman, për votën e dhënë për reformën në drejtësi.
Rekomandimi pozitiv vendos vulën përfundimtare mbi reformën në drejtësi, e cila gëzon mbështetjen unanime të publikut, por ende vazhdon të ngjallë pakënaqësi tek disa segmente të politikës.
Sot, të gjithë mund të vërejnë qartë se sa e rëndësishme është reforma në drejtësi për të ardhmen e vendit tonë. Është reforma në drejtësi, ajo që ka vendosur Shqipërinë në rrugën e Europës!
Rekomandimi nuk është një notë kaluese, por një vlerësim i shkëlqyer për arritjet tona edhe në fushën e ekonomisë, në progresin e bërë për zbatimin e të drejtave të njeriut apo në luftën tonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Për të gjithë ata që ishin skeptikë, rekomandimi pozitiv dhe pas asnjë kusht, tregon se Shqipëria mund të jetë po ashtu si edhe të gjitha vendet e tjera antare të BE. Nëse shqiptarët i vënë qëllim diçka vetes, mund t’ia dalin mbanë.
E nëse vazhdojmë në këtë rrugë, mund të bëhemi edhe ne, në një të ardhme të afërt, pjesë e familjes së madhe europiane, çka do të bënte më të mirë jetët e të gjithë qytetarëve.
Zonja dhe zotërinj, më shumë se një shekull më parë, Naim Frashëri, i përvuajtur i thurrte lavde perëndimit duke shkruar: “O dritëz e bekuar, që për ne lind andej nga Perëndon”.
Me këto vargje, Naimi riafirmonte identitetin europian të vendit tonë, këtë identitet që sot është më i prekshëm se kurrë, pasi për herë të parë, e ritheksoj, Shqipëria konsiderohet jo më një kandidat i mundshëm në të ardhme të largët të pacaktuar, por një partner me të cilin, vendet më të civilizuara të Perëndimit mund të ulen në tavolinë për të biseduar.
Ne ditën e djeshme, pamë se si përfaqësuesit e opozitës, të njëjtët, që jo gjithmonë e kanë parë dritën andej nga ajo perëndon, u treguan të shpejtë për të gjetur edhe ata meritat për këtë vendim historik të Komisionit, duke thënë “që rekomandimi vjen pikë së pari për shkak të durimit të treguar nga kjo opozitë, që na ka bërë të gjithëve një nder të madh, duke mos braktisur sallën e këtij Kuvedi”.
Për më tepër mjaftonte ta degjoje dje logorenë e Lulzim Bashës, për të marrë vesh se sa shumë ishte lodhur kryetari i opozitës për të bërë avokatinë e Shqipërisë.
Se cfarë ka thënë e cfarë ka bërë në Berlin, Lulezim Basha, jo vetem e dimë ne, por e kupton çdo shqiptar i ndershëm i këtij vendi.
Me dëshirën për t’i lënë polemikat mënjanë zgjedh të mos komentoj mbi deklaratat e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
E vërteta është që nëse dikush duhet të marrë merita, ata janë vetëm qytetarët shqiptarë, qytetarët më pro-europianë në Europë, më europianë se edhe vetë qytetarët e vendeve anëtare. Kjo aspiratë e flaktë perëndimore është arsyeja parësore, përse integrimi qëndron në majën e përparësive të politikës shqiptare.
Integrimi është një çështje tek e cila të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë, pavarësisht bindjeve të tyre politike bëhen bashkë. Është detyra jonë që me këmbëngulje, të tejkalojmë ndasitë tona politike dhe të bëhemi bashkë, përsa i përket rrugës së gjatë që na mbetet ende përpara.
Për ne, sot nuk është dita për të hedhur valle gëzimi, por është dita për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë partive të tjera, të bëhemi bashkë në rrugën e Europës dhe në rrugën e përmbushjes së kritereve të mbetura. Nëse jemi bashkë, rruga drejt Europës do të jetë shumë më e thjeshtë dhe e shpejtë për ne.
E sotmja është një ditë e gëzuar për Shqipërinë, por që sot, duhet t’i rikthehemi punës sepse ka ende shumë për të bërë që njerëzit të ndiejnë rezultatet e reformave tona në jetët e tyre të përditshme.
Shqipëria nuk është ende pjesë e BE-së dhe standarti ynë i jetës është ende shumë larg të qenit ai që ne duam.
Por, rekomandimi pozitiv na dëshmon se cila është rruga e duhur për të mbërritur deri atje.
“Faik Konica thoshte se ‘Rruga e vetmje është europianizimi dhe modernizimi i kombit, si një komb nga më të lashtët në kontinentin e vjetër, me identitet dhe vitalitet historik që meriton, vendin e vet e gjen në familjen e bashkuar europiane
Leave a Reply