Pavarësisht se raporti i Spartak Ngjelës nuk kaloi në Kuvend, ai ekziston dhe në të vërtetë ka disa të vërteta të pamohueshme, ndonëse nuk u shkon deri në fund të vërtetave. Kjo është e kuptueshme.
Ngjela ishte deputet demokrat në atë kohë dhe bënte përpjekje për të zbutur ca të vërteta të hidhura. Për shembull ai përpiqet të largojë sa më shumë nga përgjegjësia ish-Presidentin Sali Berisha, ndërsa nuk kursen Agim Shehun, Bashkim Gazideden e të tjerë si Xhait Xhaferi, Sokol Mulosmani, si drejtues të strukturave ushtarake të shtetit, që kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur një rol të veçantë në këtë situatë në përplasjet me revoltat paqësore të popullit në fillimet e saj në Vlorë, duke ndikuar direkt në acarimin e situatës.
Ato që nuk i thotë Njgela, i kemi thënë ne të tjerët që ishin në atë komision hetimor në raportin që kam lexuar unë në Kuvend dhe që më pas iu dorëzua Prokurorisë për të vijuar hetimet, të cilat fatkeqësisht nuk u bënë asnjëherë.
Duhet të vendosemi në kohë për të kuptuar situatën. Revoltat nisën në Vlorë, aty ku pakënaqësia ishte më e madhe për mashtrimin gjigant me firmat piramidale të fajdeve.
Nga ky raport i Ngjelës del qartë se zjarrvënësi i Vlorës ishte Agim Shehu, gjeneral dhe ish-zëvendësministër i Brendshëm, një nga figurat më famëkeqe të asaj kohe dhe një nga përgjegjësit kryesor të tragjedisë së pranverës së vitit 1997. Ishin pikërisht forcat e SHIK-ut dhe të policisë që provokuan popullin e revoltuar dhe që shkaktuan gjakderdhjen me viktima të shumta, jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Shqipërinë.
Por mbi të gjithë ishte Sali Berisha. Kjo nuk del në raportin e Ngjelës, por del në raportin që kam mbajtur unë dhe që iu dërgua Prokurorisë.
Nuk ka asnjë hiperbolë në këto që po them. Por edhe në raportin e Ngjelës nënkuptohet fare qartë se në ngjarjet e vitit 1997 kemi të bëjmë me një krim kundër njerëzimit. U vranë mijëra njerëz. E këta njerëz nuk u vranë as në Afganistan dhe as në Irak. U vranë në Shqipëri. Dhe dihet se kush është kryepërgjegjësi…
Pavarësisht se në këtë raport nuk thuhet hapur, kemi të bëjmë me një ndarje të ndyrë krahinore, një nxitje të luftës vëllavrasëse të Veriut kundër Jugut. Këtë e bëri Sali Berisha. Besoj se ekzistojnë diku urdhërat e tij ogurzinj për të shtypur pamëshirshëm Jugun e rebeluar në atë kohë.
A e dini se Sali Berisha është arkitekti i një lufte vëllavrasëse veri-jug? Është thënë shpesh në shtyp, por nuk është vërtetuar me dokumente. Unë personalisht kam kërkuar për këto dokumente, por kam konstatuar se ato janë fshehur me shumë kujdes.
Por diku ekzistojnë. Spartak Ngjela nuk e shmang dot këtë fakt. Është një nga faktet më diskredituese për një politikan, pa le për një burrë shteti sikurse mbahej Berisha dikur. Flitet shumë shpesh për krimet e Gërdecit dhe vrasjet në bulevard më 21 janar. Mirë bëhet. Por nuk duhet të harrohet se kryetrimi është viti 1997, pavarësisht se i amnistuar. Atë njollë të zezë në historinë e Shqipërisë nuk ka asnjë fuqi që ta amnistojë. Ne që e kemi jetuar atë kohë jemi dëshmitarë autentikë dhe jemi gati në çdo kohë ta provojmë atë krim shtetëror.
Por këto do të dalin shumë qartë në raportin që do të botohet pas Ngjelës në ‘DITA’…
Relacioni Ngjela (Pjesa e dytë)
Pra kërkesa dominante e revoltave të kësaj periudhe, është kthimi i parave të humbura. Po ta vështrojmë çështjen vetëm në këtë prizëm, qeveria e atëhershme duhej të kërkonte zgjidhje brenda strukturave të veta ekonomike, ose të jepte dorëheqjen. Nga hetimi, Komisioni konstaton se instituti i dorëheqjes si masë neutralizuese e provuar nëpër shoqëritë demokratike perëndimore, edhe kësaj here si gjithmonë mbetet i papranueshëm nga mentaliteti i qeverisjes në shoqërinë shqiptare i forcës politike, qeverisëse.
E theksojmë këtë sepse duke filluar që nga fundi i janarit të vitit 1997 e deri në mes të shkurtit 1997 jo vetëm demonstruesit por edhe pjesa më e madhe e partive politike e shohin dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike si solucion për zgjidhjen e krizës dhe kapërcimin e situatës, por administrata e lartë shtetërore dhe vetë Parlamenti dhe Presidenti i atëhershëm nuk pranojnë që ta shohin çështjen kështu.
Është Presidenti i Republikës ai që ndërmerr takime në Berat, Gjirokastër etj., për të dhënë argumentet se qeverisja aktuale i ka mundësitë për ta kapërcyer krizën financiare, duke ecur në një vijë demagogjike, dhe duke i lënë të kapërcyer deklarimin e tij të disa muajve më parë se “paratë e shqiptarëve janë të pastra”.
Nga analiza që i bëhet këtyre momenteve, mendojmë se nuk gabojmë kur theksojmë faktin se në këto momente në përplasjen e masës popullore të revoltuar si humbje financiare i është shtuar dhe momenti politik si pakënaqësi ndaj zgjedhjeve politike të majit 1996. Për këtë fakt, është e kuptueshme se çfarëdo lloj solucioni që mund të hidhte për zbutjen e krizës financiare pushteti i atëhershëm politik, ishte e pamundur që të neutralizonte revoltat sepse ne e thamë më lart që pakënaqësia politike ndaj zgjedhjeve të majit 1996, ishte fashitur edhe si pasojë e Iulëzimit të fenomenit të huadhënies me interesa të larta në mbarë shoqërinë shqiptare. Madje edhe kapërcimi i zgjedhjeve të tetorit 1996 është padyshim refleks i lulëzimit të huadhënies me interesa të larta që përmendëm. Për këtë arsye e gjithë ndërmarrja politike për sqarim financiar ose për përmirësimin ekonomik ishte e pamundur të pranohej nga të revoltuarit që vinin si pasojë e rolit financiar dhe atyre që vinin si pakënaqësi politike.
Pra nga një pikë vështrimi një vjeçar të këtyre ngjarjeve, mbërrijmë në konkluzionin se Presidenti i Republikës, Parlamenti dhe qeveria mund ta kishin neutralizuar precipitimin e mëtejshëm të këtyre ngjarjeve në këtë pikë të segmentit të tyre vetëm nëse do kishin goditur qeverinë e atëhershme Meksi për paaftësi në ndalimin e rolit financiar mbarëshoqëror, por në anën tjetër domosdoshmërisht duhej të kishin caktuar bërjen e zgjedhjeve të reja në një datë të pranueshme politikisht nga opozita, brenda vitit 1997, ashtu sikurse ndodhi më vonë por pasi i kishte kushtuar shumë shtrenjtë shoqërisë.
Le të vijmë tani tek analiza dhe përfundimi që ka arritur Komisioni për çështjen e tretë, që ka të bëjë me shkaqet që i shndërruan revoltat paqësore në konfrontime me shtetin, në përleshje dhune e të armatosura që u shoqëruan me viktima.
Përpara se të analizojmë çka thamë më sipër le të paraqesim disa nga faktet e hetuara nga komisioni:
Në datën 26.1.1997 me vendimin nr.294, Kuvendi Popullor autorizon Presidentin e Republikës dhe Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për të përdorur forcat e armatosura në ndihmë të rendit publik për ruajtjen e institucioneve shtetërore. Për këtë ditë, pra në 26.1.1997, presidenti Berisha nën tagrin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nxjerr urdhrin nr.25 “Për përdorimin e forcave të armatosura në ndihmë të rendit publik”. Në kontekstin e vendimit nr.294, dt. 26.1.1997 të Kuvendit Popullor dhe urdhrit nr,25, dt.26.1.1997 të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, shohim se ka një kapërcim në precizimin e kontekstit të vendimit me përmbajtjen e urdhrit, sepse nëse vendimi nr.294 i Kuvendit Popullor shprehet për përdorimin e forcave të armatosura në ruajtjen e institucioneve shtetërore në mbarë vendin, urdhri nr.25, dt.26.1.1997 i Komandantit të Përgjithshëm nuk shprehet sesa duhet të jenë forcat që do kalojnë nga ushtria në rend, dhe që përdorimi i tyre do të jetë vetëm për mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Diskordanca impreçize midis vendimit nr.294, dt.26.1997 të Kuvendit Popullor dhe urdhrit nr.25, dt.26.1.1997 të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura z.Sali Berisha, na sjell në urdhrin nr. 19 të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë z.Sheme Kosova dhe më pas të urdhrit nr.22, dt.28.1.1997 të Ministrit të Mbrojtjes z.Safet Zhulali që urdhëron Brigadën Komando të Tiranës të çojë në Fier përforcime për Brigadën e Fierit.
Siç shihet, jemi në momentet kur popullsia e qyteteve të jugut Vlorë etj., është ende e paarmatosur, por ushtria të krijon përshtypjen se po përgatitet për goditje. Këtu lind një pyetje që duhet sqaruar nga hetimet e mëtejme: A ishte në gjendje popullsia civile e zonave të jugut të Shqipërisë të bëjë qartë dallimin për përdorimin e ushtrisë në mbrojtje të institucioneve nga përdorimi i saj kundër revoltave?
Po kështu, në rrjedhën e kësaj mbështetjeje juridike, në datën 10.2.1997, me shkresën nr.8 Ministri i Brendshëm, z.Halit Shamata, kërkon të furnizohet nga Ministria e Mbrojtjes me 5 transportues të blinduar në ndihmë të rendit, ndërsa në datën 28.2.1997, nxjerr vendimin nr.22, për kalimin kapital të mjeteve themelore prej 20 transportuesish të blinduar dhe 2 mjete të rënda nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Në datën 1.3.1997, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, z.Sheme Kosova, ka lëshuar urdhrin nr.25, për lëvizjen e Brigadës së Tankeve Zallher në drejtim të Fierit me synim Vlorën.
Por le të japim edhe një dëshmi tjetër të bërë para komisionit nga njëri prej drejtuesve të policisë së Vlorës:
Në datën 5.2.1997 në mbrëmje ka ardhur në Vlorë Zv/Ministri i Brendshëm Agim Shehu së bashku me shumë forca nga Tirana. Së bashku me të kanë ardhur edhe Pashk Tusha (aktualisht pedagog në Akademinë e Rendit), Muhamet Rrumbullaku (aktualisht në dispozicion të Drejtorisë së Tiranës), Arben Prenjasi (aktualisht pedagog në Akademinë e Rendit), Hilë Lushaku dhe disa forca të reparteve speciale si Brisku, Renea etj.
Në mbrëmjen e asaj dite këto forca u ndeshën me popullin tek vendi i quajtur Kali i Trojës, por forca e tyre u mposht menjëherë nga masivi i madh i njerëzve. Gjatë periudhës së ndeshjes, unë kisha frikë se mos duke përfituar nga ndeshja që bënin forcat e policisë me popullin, persona të caktuar mund të godisnin Bankën apo institucionet shtetërore dhe duke qenë vetë pranë Bankës mbaja lidhje të vazhdueshme të koduar me oficerët dhe agjentët për të rejat që mund të kishte për objektet që mbanin në vëzhgim.
Edhe paraditen e datës 6.2.1997 forcat e policisë u konfrontuan përsëri me popullin por vetë populli u miqësua me to dhe policët e plagosur i shoqëruan për në spitale. Kur u mblodhën në zyrën e shefit të komisariatit atë mbrëmje Agim Shehu tha se përfundimisht Vlora nuk shtrohet me forca speciale. Atëherë kam ndërhyrë dhe i kam thënë zv/Ministrit që është mirë që nga Vlora të iki edhe shefi i komisariatit Sokol Mulosmani pasi nga turma ka reagime të ashpra ndaj tij. Bile atë ditë kur turma ka manifestuar edhe përpara komisariatit dëgjoheshin sharje e kërcënime kundrejt tij. Ashtu u bë, ditën e nesërme shef komisariati u komandua Kolonel Pashk Tusha.
Në datën 7.2.1997 paradite turma u drejtua përsëri në drejtim të Bashkisë e më pas në Sheshin para Prefekturës, por nuk ishte agresive si një ditë më parë. Komunikuam me ta derisa u shpërndanë dhe nga forcat e policisë nuk u ushtrua dhunë. Kur u mblodhëm për të raportuar në zyrën e shefit të komisariatit aty kam parë Agim Shehun, Muhamet Rrumbullakun, Arben Prenjasin, Adriatik Ago, Hile Lushakun, Shik Stermasin, Vasil Soten dhe shumë oficerë të tjerë të Tiranës, të cilëve nuk ua di emrat. Kur më pyeti Agim Shehu se çfarë thotë turma unë i thashë që ajo është e heshtur dhe nuk ka pasur asnjë incident. Ai më pyeti: Po sikur t’i godasim? Unë iu përgjigja, në asnjë mënyrë sepse do të përfundojë siç përfundoi dje. Në këtë kohë shumë oficera që ishin në zyrë i thanë që të bisedonte me Ministrin për një zgjidhje politike, por ai nuk foli por u largua qysh atë ditë në Tiranë. Në mbrëmje si çdo ditë unë mblidhja inspektorët dhe agjentët dhe u thoshja të bënin raporte shërbimi për gjithë konstatimet e karakterit kriminal që kishin ndodhur gjatë ditës. Ndërsa ekspertët kriminalistë i porositja të ruanin kasetat dhe të bëheshin gati për filmime ditën e nesërme.
Në datën 9.2.1997 turma e irrituar meqenëse nuk po merrte asnjë përgjigje nga qeveria vendosi të nisej për në Fier. Kur turma u nis, unë kam shkuar në zyrë dhe i kam thënë Pashk Tushës se a do ta shoqërojmë turmën. Ai më tha se do ta shoqëroni si edhe më parë pa krijuar incidente. Në këtë kohë në zyrë vjen Xhait Xhaferi dhe na thotë se përse nuk e ndaloni turmën. Unë i thashë se janë shumë dhe nuk mund të ndalohet. Ai tha që ata janë vetëm 300 vetë dhe po nuk i ktheni ju do t’i kthej unë dhe doli nga zyra.
Unë dola për të zbatuar detyrën e shefit të komisariatit dhe së bashku me turmën, herë në fund, herë në mes e herë në krye të saj e shoqëroja atë së bashku me shefin e rendit dhe me policë të tjerë. Rrugës bisedonim qetësisht me njerëzit në turmë dhe fjalët e tyre në përgjithësi ishin që me policinë nuk kemi punë, ju lodheni bashkë me ne.
Rreth orës 14 kur kishim mbërritur në fshatin Panaja, në fund të turmës u dëgjuan disa krisma armësh. Njerëzit të frikësuar u grumbulluan tek unë dhe shefi i rendit Kristaq Ferro dhe na thanë që po vrasin njerëzit në shpinë. U ndodhëm të pa përgatitur dhe nuk dinim çfarë të bënim veç u thashë që nga forcat e policisë askush nuk ka qëlluar. U ktheva menjëherë prapa dhe pashë një grup rreth 10 vetësh me automatikë në dorë që po qëllonin në ajër dhe popullin që u drejtua me egërsi në drejtim të tyre. Bashkë me ta ishte edhe Xhait Xhaferi, të cilët kur e panë që populli u nis drejt tyre, ata u ngjitën sipër rrugës për në fshatin Oshëtimë. Personat e armatosur ishin punonjës të SHIK-ut, të cilët nuk kishin marrë ndonjë detyrë prej nesh.
Me sa mësuam aty ata kishin shoqëruar në Komisariat edhe një person. Atëherë turma u kthye dhe pas një ore u grumbullua e gjitha në komisariat dhe filluan të manifestonin për personin që ishte shoqëruar. Unë për të qetësuar turmën, e cila fillimisht godiste me gurë, mora tre gra nga turma dhe shkova brenda në komisariat nga ku nxora nga dhomat e shoqërimit personin e shoqëruar. Atij nuk ja mbaj mend emrin por ka qenë rreth 40 vjeç. Në këtë kohë turma u qetësua përsëri.
Ndërkohë që turma u qetësua dhe po fillonte të largohej, pranë Firmës Kamberi që është rreth 100 metër larg komisariatit, mbërritën shumë makina të policisë të tipit IVECO, të cilat vinin nga Tirana dhe turma e irrituar u nis drejt tyre. Aty filloi një përleshje e ashpër me gurë dhe Paulin Sterka, i cili ishte komandant i tyre mezi mundi të futej në Komisariat. Brenda në komisariat filluan të qëllonin me armë forcat e ardhura.
Armët e komisariatit të policisë ishin çuar qysh më 1 shkurt në Repartin e Bunavisë pasi kishim informacione që mund të sulmohet komisariati. Nga radhët e turmës u hodhën shishe me lëndë djegëse dhe u plagosën disa policë. Efektivi i komisariatit të policisë gati ishte larguar i gjithi dhe komanda jepej vetëm nga forcat e Tiranës. Forcat e ardhura nga Tirana kapën taracat përpara komisariatit për të bërë mbrojtjen e tij. Hile Lushaku mundohej të hynte në negociata me turmën por ishte e pamundur. Atëherë forcat e policisë mbroheshin duke goditur me gurë. Kjo situatë vazhdoi deri në orën 20.00. Pas kësaj kohe situata u qetësua.
Duke gdhirë data 10.2.1997 një numër i madh makinash (nuk e di se sa) erdhën në komisariat të policisë dhe bashkë me to edhe Agim Shehu. Ai urdhëroi Arben Prenjasin të bënte planin e dislokimit të forcave për ditën e nesërme. Forcat e policisë Vlorë shumë pak ose aspak janë impenjuar nëpër shërbime.
Veç mbaj mend që kanë ardhur forca nga Durrësi të komanduara nga Bedri Dani, forca nga Elbasani me Shemsi Prençin, forca nga Tirana me Nexhmi Zoton, Albert Dervishin, forca nga Lushnja, Mallakastra, Saranda dhe shumë të tjerë që nuk i njihja. Unë si zakonisht kam ndarë detyrat me një plan të veçantë në të cilën vija detyra që efektivi i policisë kriminale të dilte i pa armatosur dhe të kontrollonte gjithë objektet për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm.
Në orët e para të mëngjesit u bë shpërndarja e forcave nëpër udhëkryqet e qytetit dhe rreth orës 9.00 filloi përleshja me popullin, e cila zgjati rreth 15 minuta. Forcat u shpërbënë dhe shumë prej tyre ishin gjakosur. Unë kam qenë tek varrezat e Dëshmorëve dhe ndiqja me radio se si zhvillohej situata. Kam dëgjuar në radio që tek xhamia ka mbetur i rrethuar tek lokali Hollyday një grup i Sarandës dhe i Tiranës dhe Agim Shehu që thërriste në radio “Ndihmoni Mondin”.
Rreth orës 12.00 forcat e shpërbëra u grumbulluan në komisariat dhe aty u mësua që kishte mbetur i vrarë një person, të cilin më vonë e mora vesh që quhej Artur Rustemi. Turma erdhi përsëri në Komisariat dhe u zhvillua përsëri një përleshje e ashpër me gurë ku pati shumë të plagosur nga efektivat e policisë, të cilët filluan t’i çonin me helikopter në drejtim të Tiranës. Rreth orës 20.00 situata u qetësua dhe unë shkova në shtëpi të flija pasi isha shumë i lodhur. Në orën 24.00 vjen korrieri në shtëpi dhe më thotë që të kërkon Gjenerali. Shkova në komisariat dhe Agim Shehu më tha se ne do të ikim. Do të marrim gjithë letrat dhe të burgosurit. Në dispozicion të komisariatit do të lemë disa forca të Tiranës. Më kishin shkruar një plan masash për ruajtjen e komisariatit dhe u larguan. Në mëngjes forcat e Tiranës që kishin mbetur erdhën në komisariat që të mermin detyrën, por kur e panë që pjesa më e madhe e forcave ishin larguar më thanë që edhe ne do të largohemi.
Si konkluzion të atyre që thamë më lart rezulton se persona si Agim Shehu, Bashkim Gazidede, Xhait Xhaferi, Sokol Mulosmani, si drejtues të strukturave ushtarake të shtetit, kanë marrë pjesë dhe luajtur një rol të veçantë në këtë situatë në përplasjet me revoltat paqësore të popullit në fillimet e saj në Vlorë, duke ndikuar direkt në acarimin e situatës.
A ishte kjo e nevojshme e bazuar ligjërisht apo u bë qëllimisht për të shtypur me dhunë revoltat paqësore. Ne mendojmë se të gjitha veprimet e dhunës për të shtypur revoltat paqësore të popullit ishin veprime të pamotivuara ligjërisht, e me sens antidemokratik. Jo për herë të pare shteti dhe strukturat e tij, u sulën me egërsi për të frenuar dhe shtypur revoltat paqësore, për t’i dhenë fund kërkesës së saj të ligjëruar për ndryshime brenda kuadrit të ligjshëm të një shoqërie demokratike.
Kjo është gjendja e situatës në Shqipëri deri në çastet kur befas ndodh ngjarja që lidhet me provokimin e studentëve grevistë të urisë dhe pas saj djegia e ndërtesës së SHIK-ut në Vlorë dhe menjëherë pas kësaj armatosja e popullsisë së këtij qyteti, armatosje kjo që solli vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Leave a Reply