• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ Një përleshje “sporadikós physikós”
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ Një përleshje “sporadikós physikós”

October 25th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Disa gjëra ndodhin. Për shembull, në Kosovë ndodhin shpesh rrahje. Shtyrje me grushte, me bërryla, me supe, me kokë, me hundë. Gjatë rrahjeve zakonisht përdoret grushti ose shpulla. Grushti është simbol i forcës burrërore shqiptare, të atyre burrave që krejt burrërinë e shohin te përdorimi i gjymtyrëve të ndryshme. Gjuha shqipe e ka edhe një fjalë tjetër për gjymtyrët: anësi. Anësitë e sipërme. Anësitë e poshtme.

 

«Ik, largohu, budallë», i pati thënë dikur një lider muskuloz opozitar një punëtori të sigurimit të Kuvendit. Pastaj, lideri muskuloz hyri në Kuvend me një grumbull nënshkrimesh që i kishte nënshkruar populli kundër demarkacionit. Ky kapitull me demarkacion është harruar, sepse këtë talent e kanë politikanët: sapo të marrin pushtetin u shlyhet kujtesa, i harrojnë qëndrimet që kanë përfaqësuar si opozitarë. Grushtime ka edhe në televizionet e Kosovës. Për t’iu dhënë hov argumenteve protagonistët përdorin grushtet. Dhe ca fjalë të rënda, vulgare, ballkanike, shqiptare.

Disa gjëra ndodhin. Si sot. Sot një i fortë, me grushte të forta, rrahu dy më pak të fortë. Viktimave – shërim të shpejtë! Vëllai i grusht-fortit tha: «Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike». Pas kësaj fjalie shërim të shpejtë duhet t’i urojmë edhe gjuhës shqipe. Si ta kuptojmë fjalën «sporadike». Fjalori i Gjuhës Shqipe e shpjegon kështu: «Që bëhet, që ndodh a që shfaqet herë pas here, në mënyrë të rastit e jo të rregullt; i rastësishëm. Raste sporadike. Shembuj sporadikë. Në mënyrë sporadike». A domethënë kjo se grusht-fortit i ndodhë që herë pas herë t’i shfaqet dëshira për të grushtuar dikë nga fusha e biznesit, nga bashkëpunëtorët e tij, rivalët politikë, rivalët në biznes, rivalët në tenderë? «Përleshje sporadike fizike» – ç’është kjo? Nëse e përkthejmë duke u bazuar në rrethanat aktuale politike kosovare domethënë përleshje sipas domosdoshmërisë së rastit.

Fjala sporadike tingëllon e përshtatshme për disa qarqe (para)politike në Kosovë. Tingëllon paksa poetike-metalike. Pastaj është fjalë e huaj, kjo u bën përshtypje shqiptarëve. Disa shqiptarëve. Thonë: vetëm një i mençur mund të përdorë këso fjalësh. Kush grushton tjetrin në mënyrë sporadike, duhet të jetë njeri serioz, me gjasë, i pasur gjithsesi.

Mbiemri «sporadik/e» përshkruan gjëra konkrete dhe abstrakte, por edhe veprime, ndodhi e vaki, të cilat ngjajnë rrallë ose jo shpesh. Në gjuhën shqipe, gjermane dhe gjuhë të tjera fjala «sporadik/e» ka hyrë nga frëngjishtja – «sporadique». Rrahje «sporadique»? E dëgjoni jehonën pothuaj erotike të kësaj fjale, ta merr mendja se je në kinema duke e shikuar filmin e famshëm francez «Emmanuelle – shkolla e kënaqësisë» të Just Jaeckinit, të xhiruar më 1973 dhe 1974 në Francë dhe në Tajlandë. Rrahje «sporadique»? Tingëllon si albumi i kompozuar për këtë film nga ana e Pierre Bachelet – dhe i shitur 1,4 milionë herë.

«Sporadique», megjithatë, nuk është fjalë franceze. Edhe francezët janë shërbyer diku – dhe ku më mirë se në Greqinë antike? Presidenti i grekëve të lashtë kur dëgjonte se vëllai i tij ka rrahur ndonjë spartan, hynte në Facebook dhe shkruante: «Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadikós physikós». Por, këto përleshje «sporadikós physikós» ndodhin vetëm në momente pivotale.

Nuk ju kujtohet fjala pivotale? «Sot shënojmë ditëlindjen e Presidentit të ndjerë dr. Ibrahim Rugova. Kosova Republikë, e pavarur dhe demokratike, e orientuar thellësisht kah komuniteti euro-atlantik, ka qenë synim i Presidentit të parë me të cilin kam pasur bashkëpunim në momentet pivotale të historisë sonë të re». Po të përdorej fjala vendimtare në vend të pivotale – shqiptar i gjallë nuk do ta kuptonte. Mirë se vini në botën pivotale-sporadike!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SPARTAK BRAHO/ Ja plani për të masakruar Vlorën
Previous article MERO BAZE/ Lufta e ftohtë mes Berishës e Bashës, për zgjedhjet

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k