• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Halli i Lulzim Bashës “këmbehet” në lekë, jo në dollarë apo rubla
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Halli i Lulzim Bashës “këmbehet” në lekë, jo në dollarë apo rubla

March 14th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Kur Berisha caktonte de facto Lulzim Bashën si pasardhësin e tij në verën e vitit 2013, vështirë se e kishte imagjinuar se brenda një katërvjeçari delfini i tij politik do të krijonte një situatë të tillë depresioni dhe pesimizmi brenda partisë që ngriti 26 vjet më parë. Tashmë është e vështirë edhe për një politikan të regjur si Berisha, që ta maskojë humorin e keq që i ka krijuar gjendja në PD. Shumë prej bashkëpunëtorëve të tij të dikurshëm janë armiq zyrtarë të kryetarit të partisë, një brez tjetër votuesish e përkrahësish ose nuk dalin të votojnë, ose kanë bërë prej kohësh zgjedhjen komode të kalimit drejt LSI.

Si të mos mjaftonin humbjet e njëpasnjëshme të zgjedhjeve dhe sherret pafund me drejtuesit e të gjitha niveleve, Bashës i ka lindur tani edhe problemi i lobistëve amerikanë të paguar me financime të ardhura nga kompani me sfond rus. Një dhimbje koke që e kanë shumë veta sot në Perëndim, duke nisur nga piramida më e lartë e politikës së sotme amerikane.

Po bëhet një zhurmë e madhe në Tiranë për dosjen e financimeve ruse të PD. Pak a shumë siç po ndodh paralelisht edhe në kryeqytete të tjera të botës, me raste dhe rrethana të ngjashme. Ofensiva ruse për të ndërhyrë në proceset zgjedhore, mediat dhe elitat politike të vendeve europiane dhe SHBA, ka ngjallur një dallgë të madhe reagimesh e cila duket se po rrezikon të marrë me vete, në këtë cep të Ballkanit Perëndimor, edhe atë pak stabilitet që kreu i opozitës shqiptare i kishte krijuar vetes, pas humbjes së zhurmshme të zgjedhjeve të qershorit.

Megjithatë nuk janë rublat ruse shqetësimi më i madh i Lulzim Bashës në këtë moment. Paçka se skandali në fjalë ka bërë të flasin edhe ata të cilët duke qenë në krye të PD në të shkuarën, shihnin sesi drejt lobistëve vërshonin rrëke dollarësh në 2005 apo 2009, e nuk thanë asnjë fjalë. Ishte koha kur PD e drejtonte Berisha dhe kur miqësitë e zëna me para në Uashington ishin një modë mjaft e përdorur në Tiranën politike.

Hallet e Bashës janë kaq të mëdha sot, saqë ky skandal, me të cilin kundërshtarët e tij po përpiqen të tërheqin sadopak vëmendjen e Uashingtonit, nuk ka ndonjë peshë të madhe në epikrizën politike të kryetarit demokrat. Partia ka marrë tatëpjetën, degë të tëra të PD janë praktikisht të paralizuara, ca nga zyrtarët që kanë dalë haptazi kundër kreut në Tiranë, ca nga plogështia që ka sjellë qëndrimi në opozitë edhe për katër vite të tjera. Nga ana tjetër, lënia pas e një eksperience traumatike si ajo e Çadrës së vitit të shkuar, i ka hequr de facto opozitës hapësirën për të ndërmarrë veprime të skajshme destabilizuese kundër qeverisë. Mitingjet nuk mbledhin më turmat e dëshëruara, grupi parlamentar duket sikur flet me vete, ndërsa Rama tallet treçerekun e kohës. Patozi, Topalli, Bregu e Imami vazhdojnë të kërcënojnë me organizim lëvizjesh paralele, kurse Berisha është kthyer në një lloj “objekti të gjallë kulti” të së djathtës, ku të gjithë shkojnë e përulen, por prej nga buron më shumë kujtimi i një fuqie që nuk është më, sesa frymëzimi i një projekti të ri.

Në mes të këtij hiçi politik, Lulzim Basha ka shumë më tepër arsye për t’u merakosur, sesa për financimet ruse. E ardhmja e shtëpisë, çelësat e të cilës mban në xhep, është më e zymtë se kurrë, ndërkohë që partneri i ri LSI, është një lloj entiteti i padeshifrueshëm, që nuk dihet nëse sjell apo merr vota. Një opozitë pa formë dhe pa direk, lundron pa instrumente, me sy të lirë, në det të hapur.

Lulzim Basha po hyn në vitin e pestë të kryesimit të Partisë Demokratike me një bilanc që, pa ironi dhe cinizëm, ndoshta do të kishte qenë më pozitiv nëse zyra e tij do të kishte qëndruar bosh. Atij i ra për hise të kapë kurbën më të keqe rënëse të partisë së dikurshme të mitingjeve qindramijëshe dhe të fitoreve spektakolare. Ajo që ka ikur tani s’është më dhe Basha duket i pafuqishëm të ndalë rënien. S’ka lobist, as në Moskë, as në Uashington, që e korrigjon sadopak këtë trajektore të pleksur kaq keq. Halli i Lulzim Bashës ka lindur në Shqipëri, jo jashtë saj. Ai “këmbehet” në lek, jo në dollarë apo rubla!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article DRITAN XHEMALAJ/ Misteri i vdekjes së Shpëtim Ginës në 1974-ën, autorit të “Armiqtë” (dhe disa foto të rralla)
Previous article ROMAN GONÇARENKO/ Rizgjedhja e Putinit varet nga gratë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k