• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
DRITAN XHEMALAJ/ Misteri i vdekjes së Shpëtim Ginës në 1974-ën, autorit të “Armiqtë” (dhe disa foto të rralla)
Home
Blog

DRITAN XHEMALAJ/ Misteri i vdekjes së Shpëtim Ginës në 1974-ën, autorit të “Armiqtë” (dhe disa foto të rralla)

March 14th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të Drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e shtatë, me titull ”Demonët e Ginës – Misteret e një ikje të koduar”.

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të. Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, sjellin në këtë dokumentar historinë e një personazhi pothuaj fare të panjohur, Shpëtim Gina, i diplomuar në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1974. Dramaturg, skenarist dhe libretist, i cili në fillimin e viteve ’70-të, falë talentit të jashtëzakonshëm, me punën, veprat dhe krijimtarinë e tij, “tronditi” institucionet artistike të Tiranës, si Teatrin Popullor, Teatrin e Operas dhe Baletit, Institutin e Lartë të Arteve dhe Radiotelevizionin Shqiptar.

Ishte një nga më të kërkuarit e shefave dhe drejtuesëve të lartë të këtyre institucionneve kulturore dhe artistike, ku në periudhën kohore 1971-1974, ai la gjurmët e tij, pasi kishte bashkëpunuar ngushtë me disa prej emrave më në zë të këtyre institucioneve, kollosët e skenës dhe ekranit, si: Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Pirro Mani, Mario Ashiku, Zhani Ciko, Nikolla Zoraqi, e deri tek më të rinjtë e talentuar të asaj asaj kohe, regjizorin Mevlan Shanaj dhe operatorin Pali

Kuke, të cilët njëkohësisht ishin dhe dy miqtë më të ngushtë të tij në Radio-televizionin Shqiptar, ku Gina punoi si skenarist në redaksinë e dokumentarit.

Por gjurmët që ai la në këto institucione kulturore dhe artistike në bashkëpunimet me emrat e sipërcituar dhe mjaft të tjerë të asaj periudhe kohe, fatkeqëësisht humbën apo u tretën në pluhrin e kohës dhe heshtjen zyrtare tw regjimit komunist?! Pasi në gushtin e vitit 1974, Shpëtim Gina humbi jetën në rrethana ende të pasqaruara, “duke u mbytur në dy pëllëbë ujë”, diku në lumin Drojë të Mamurrasit, ku ishte dërguar për të kryer zborin ushtarak së bashku me studentët e tjerë. Që nga ajo kohë e më pas, deri në fund të periudhës së regjimit komunist, emri i Shpëtim Ginës nuk u përmënd asnjëherë nga propaganda zyrtare, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë?! Por fatkeqësisht, emri i tij pothuaj ka mbetur i panjohur dhe është lënë në heshtje edhe pas viteve ’90-të?!

Por kush ishte Shpëtim Gina, nga cila familje vinte ai, si dhe kur e kishte nisur krijimtarinë e tij, si arriti ai që të shkruante shtatë drama (kur ende nuk kishte mbushur 24 vjeç), e disa skenarë e librete dhe përse ato pezulloheshin në momentet e fundit, përse ndiqej ai nga Sigurimi i Shtetit, kush urdhëroi që ai të shkonte në zborin ushtarak, ndonëse ishte me raport mjeksor, çfarë i shkroi ai Ministërit të Mbrojtjes dhe përse i vuri Fletë-Rrufe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm një ditë para se ai të ndahej nga jeta në mënyrë tragjike?

Si ndodhi “mbytja” e tij në lumin e Drojës, kush ishte studenti i Mjeksisë që shkoi bashke me të dhe e nxorri të mbytur nga pellgu i ujit?! Përse ish-mjeku i repartit të studentëve të Drojës në atë kohë, shprehet para kamerave se: “nuk e pamë fare kufomën, as në vëndin e ngjarjes, as rrugë në vajtje dhe kthim”, kurse shoku i tij, (student i Mjeksisë) deklaron se trupi i mbytur i Shpëtim Ginës, ka qëndruar aty në rrugë për pesë gjashtë orë deri sa erdhi grupi ekspertizo-hetimor nga Tirana? Përse motra e Ginës, (ish-gazetare dhe dramaturge) dhe gjithë familja e tyre që nga ajo kohë dhe më pas kanë dyshuar se nuk ishte trupi i Shpëtimit ai që ata përcollën në banesën e fundit, nën mbikqyrjen e një personi të panjohur që rrinte pranë arkëmortit, duke mos lejuar njeri që ta hapte?! Përse e motra e tij, librin që ka shkruar dhe botuar në SHBA, e ka titulluar: “Ku e çuat Shpëtimin”?!

Nisur edhe nga këto fakte, dy bashkëautorët ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën”, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, si dhe stafi i tyre, e kanë përfshirë historinë e Shpëtim Ginës në projektin në fjalë, duke tentuar ta “zbardhin” misterin Gina, nisur qe nga jeta dhe karriera e shkurtër të tij, e deri tek ngjarja tragjike ku ai humbi jetën në rrethana ende të paqarta dhe sot.

Kjo gjë, bëhet e mundur në dokumentarin në fjalë, me anë të dëshmive para kamerave të disa prej emrave më në zë të gazetarisë, skenës dhe ekranit shqiptar, ish-shokë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq të ngushtë të Ginës, personalitete të njohur si: Zhani Ciko, Mario Ashiku, Mevlan Shanaj, Pali Kuke, Bashkim Hoxha, Bedri Islami, etj, të cilët sjellin kujtimet e tyre dhe hedhin dritë mbi atë personazh që me talentin e tij shkëlqeu në fillimin e viteve ’70-të dhe “u shua si një meteor”.

Përveç dëshmive të gjalla të ish-miqëve, shokëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të Shpëtim Ginës, dy bashkëautorët e dokumentarit, ”Demonët e Ginës – Misteret e një ikje të koduar” Kaloçi dhe Stafa, si dhe stafi i tyre, kanë bërë publike edhe dokumente arkivore dhe foto të rralla të panjohura më pare. Ky dokumentar që realizohet me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Radio-Televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm, Thoma Gëllçi, vjen premierë të mërkurën, dt.14 mars, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 16 mars, në ora 13 e 20 në Radio Televizionin Publik Shqiptar./Tema

 

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MIKE ECKEL/ Mandati i shkurtër dhe i zhurmshëm i Tillersonit
Previous article SKËNDER MINXHOZI/ Halli i Lulzim Bashës “këmbehet” në lekë, jo në dollarë apo rubla

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k