Klementin Mile/
Nuk dola në protestën e opozitës për të hequr Xhafajn nga posti i ministrit të Brendshëm. Një javë më vonë, asgjë s’ka ndryshuar. Jo prej mungesës sime në protestë (apo dhe të tjerëve që do e rrisnin numerikisht), po prej mosmarrjes seriozisht të dimensionit social të protestës në shoqërinë moderne – të atij dimensioni që njeh diversitetin e këndvështrimeve, interesave dhe vlerave në shoqëri.
Por çfarë konkretisht nuk shkon me konceptimin e protestave? Pse janë të dënuara të sjellin vetëm alienim dhe apati, por aspak ndryshim? Le ta nisim nga premisa që bota ku jetojmë është një e vetme, por realitetet janë të ndryshme. Çdo sistem social dhe psikik zhvillon mënyrën e vet të veçantë të vëzhgimit dhe përshkrimit të botës dhe, në këtë kuptim, kemi pluralizëm sistemik par excellence. Ndryshe nga shoqëritë primitive dhe ato tradicionale, shoqëria moderne nuk ka më një pozicion të privilegjuar nga i cili ta vëzhgojë dhe përshkuajë veten. Në shoqëritë paramoderne ky pozicion i takonte Zotit (fesë) dhe më vonë pushtetit sovran (politikës). Por diferencimi funksional i shoqërisë moderne nuk i jep prioritet asnjërit prej funksioneve të shoqërisë dhe, rrjedhimisht, asnjërit prej sistemeve funksionale të saj. Kështu, një problem themelor i shoqërisë moderne është ai i integrimit të perspektivave të ndryshme për faktet dhe ngjarjet në kushtet e mungesës së një qendre ose kreu të privilegjuar për ta bërë këtë.
Në këtë kontekst, semantika e protestave shfaqet moniste. Ajo presupozon unitet vlerash, interesash dhe këndvështrimesh, kur në fakt ka diversitet. Ky diversitet synohet të kapërcehet me skema vëzhgimore të tipit marksist, duke bërë dallimin ndërmjet ndërgjegjes “false” dhe ndërgjegjes “së vërtetë”. Me fjalë të tjera, sapo njerëzit t’u shpëtojnë kthetrave të ideologjisë sunduese (duke rënë në kthetrat e një tjetër ideologjie?), ata do të mund t’i hapin sytë për të parë “të vërtetën” e ekzistencës së tyre në shoqëri dhe kjo e vërtetë s’mund të jetë veçse një për të gjithë. Rrjedhimisht, pozicionet e ndryshme do të krijojnë një pozicion të përbashkët, realitetet e ndryshme do të transformohen në një realitet të përbashkët, dhe pas konsensusit do të vijë mobilizimi dhe veprimi kolektiv. Fushatat e ndërgjegjësimit janë një formulë e spikatur për arritjen e këtyre synimeve. Por fakti që fushatat e ndërgjegjësimit rrallëherë ndërgjegjësojnë duhet t’i bëjë protestuesit të reflektojnë.
Të gjitha protestat e legjitimojnë veten nëpërmjet ideve morale, etike ose “intelektuale”. Por kjo semantikë është e papërshtatshme, pasi ajo nuk i merr parasysh kushtet strukturore të shoqërisë moderne. Moraliteti nuk gjen më vendin e dikurshëm në shoqëri, si parim organizues i saj. Në shoqërinë moderne moraliteti mund të luajë vetëm një rol suplementar, por edhe këtë rol jo në mënyrë të unifikuar. Kështu, aktiviteti politik rregullohet para së gjithash nga konsideratat e pushtetit dhe të dallimit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Para se të gjykohet moralisht, veprimi politik gjykohet nga kriteret e suksesit elektoral.
Përdorimi i ideve etike nga protestat ndeshet me probleme të tjera. Duke e kuptuar etikën si reflektim për moralin, apo që trajton justifikimin e gjykimeve morale, lindin menjëherë dy probleme. Së pari, etika është një teori e zhvilluar në njërin prej sistemeve të shoqërisë, atë shkencor, dhe në kushtet e diferencimit funksional të shoqërisë moderne asnjë sistem nuk mund të përcaktojë zhvillimin e të tjerëve. Kështu, idetë etike vetëm mund të “irritojnë” sistemet funksionale të shoqërisë, por edhe këtë në kushte specifike, kur ndjeshmëria sistemike është e lartë. Referuar sistemit politik në një demokraci, kjo do të thotë që kur opinioni publik fokusohet mbi të gjitha te figura morale e politikanit dhe e gjykon vendimmarrjen politike në bazë të vlerave morale, atëherë politika mund të irritohet nga perceptimi i rrezikut të humbjes së votave, e për pasojë të reagojë. Por edhe në këtë rast, në kushtet kur distanca ndërmjet politikanit dhe elektoratit është e konsiderueshme (duke qenë se përgjithësisht është vetëm masmedia që ngre urat e komunikimit mes tyre), gjithnjë është i pranishëm rreziku i fshehjes së informacionit dhe i manipulimit të situatës. Së dyti, idetë etike janë shumë abstrakte për t’u aplikuar direkt në situatat konkrete të vendimmarrjes. Në fakt, ajo çka quhet “etikë” sot është thjesht një utopi, në kuptimin origjinal që i ka dhënë utopisë Thomas More, pra si një paradoks të “toposit”, i cili nuk gjendet askund dhe nuk ekziston fare. Kështu, edhe pse në parim të gjithë mund të shprehen dakord me idetë etike, aplikimi sjell divergjenca, pamundësi teknike, grupe interesi pro dhe kundër, si dhe konflikte territoriale, kulturore dhe funksionale.
Idetë e intelektualëve vuajnë nga fakti që shoqëria moderne nuk ka vend për ta. Për të marrë pjesë në shoqëri duhet të kesh një rol (profesion), të cilin shoqëria e vlerëson. Cilësitë individuale janë një premisë e mirë, por nuk mjaftojnë. Ato duhen përkthyer dhe përshtatur për të performuar në një rol. Nëse dikush është inteligjent, atëherë mund ta përdorë këtë aftësi për t’u bërë jurist, ekonomist, politikan, ose pedagog. Por në listën e profesioneve të shoqërisë moderne nuk figuron intelektuali. Nëse dikush megjithatë prezantohet si i tillë, atëherë kjo zgjon dyshime lidhur me identitetin social të personit. Hamendësime të llojit: “Si i siguron të ardhurat ky person?”, “Ku punon?”, “Kujt i shërben?” ngrihen natyrshëm për shkak të pamundësisë për të vepruar ndryshe në shoqëri përveçse nga pozitat e një roli. Rrjedhimisht, shoqëria moderne e delegjitimon apriori intelektualin dhe idetë e ashtuquajtura intelektuale.
Protesta synon të eliminojë artificialisht diversitetin social, duke kërkuar unitet dhe konsensus për kauzën e saj. Kjo strategji prodhon dy rezultate: alienim, kur konsensusi arrihet, dhe apati, kur nuk arrihet. Alienimi vjen ngaqë diversiteti i paketuar në një pako të shndritshme uniteti, nuk mund të rrijë gjatë aty pa e shpërthyer pakon. Protestuesit fillojnë të kuptojnë që synimet dhe interesat personale të tyre nuk përfaqësohen sa duhet nga kauza e përbashkët; fillojnë të kuptojnë që lëvizja është vënë në shërbim të interesave personale të disave dhe se të tjerët po përdoren prej tyre. Kështu, uniteti i dikurshëm dhe horizontal i lëvizjes së protestës merr formën e organizimit hierarkik, ku pushteti dhe të drejtat nuk janë më të barabarta. Në një kuptim, forma e re e lëvizjes i ngjan mjaft organizimit të institucioneve kundër të cilave protestohet. Nga ana tjetër, apatia që pason dështimin për të arritur konsensus dhe unitet, mund të interpretohet si shenjë dorëzimi para kompleksitetit dhe diversitetit social, dhe zakonisht kompensohet me anë të zhvillimit të semantikës së injorancës së publikut, sipas formulës “e ka fajin populli”.
*Pedagog në UET
Leave a Reply