Ervis Iljazaj/
Kryeministri Rama, javët e fundit ka ndërmarrë një tur në kancelaritë europiane, për të lobuar për hapjen e negociatave. Kjo është një tentativë për t’u vlerësuar, por nuk është e mjaftueshme për një vendim pozitiv. Ajo që kërkon Bashkimi Europian nga Shqipëria, janë kushte të tjera më të rëndësishme, aq më tepër në një kontekst politik të brendshëm jo fort kurajues duke parë ngjarjet e fundit.
Vendimi i Qershorit për hapjen e negociatave, negativ apo pozitiv, politika shqiptare pritet të marrë zhvillime të rëndësishme.
Dhe, ky vendim do të ketë ndikimin e tij jo vetëm në politikën e jashtme të Shqipërisë, por sidomos në politikën e brendshme. Jo më kot javët e fundit ka një rritje të konfliktualitetit politik, pasi dihet që më procesin e integrimit, luhet shpesh dështimi apo suksesi i një pale politike.
Fatkeqësisht, palët politike shqiptare asnjëherë nuk arritën të dolën mbi interesat e mirëfilltë politikë në favor të atyre kombëtarë. Me sa duket, kjo klimë do të përndjekë vendin edhe për shumë kohë. Konteksti i politikës shqiptare të momentit nuk favorizon aspak marrjen e negociatave në Qershor, por përkundrazi, shkon në drejtimin e kundërt.
Çështje e fundit e Fatmir Xhafaj, me siguri, e ka nxjerrë Shqipërinë në një sy jo fort të mirë përpara ndërkombëtarëve. Pas asaj të Tahirit, Shqipëria gjenden në një moment ku dy ministrat e brendshëm janë në furtunën e opinionit publik. Edhe pse të dyja rastet janë të ndara, pasi për Xhafajn diskutohet vetëm moralisht, ndërsa Tahiri është në akuzë ligjore, fakti mbetet.
Dhe, është ulëritës për momentin specifik ku ndodhet Shqipëria, përpara hapjes së negociatave. Në këtë kuptim, ne duhet të japim mesazhin tek europianët të një vendi i cili e ka marrë seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar dhe hetimit të korrupsionit politik. Ndërkohë që, skandalet e njëpasnjëshme po japin mesazhin totalisht të kundërt.
Një nga kushtet thelbësore të hapjes së negociatave, është zbatimi i Reformës në Drejtësi, të cilin raportet ndërkombëtare nuk lënë pa e përmendur në asnjë raport të tyre. Me zbatimin e Reformës në Drejtësi, nuk duhet kuptuar vetëm zbatimi i saj në germë, por edhe si mesazh, si frymë që duhet të japim në sytë e Bashkimit Europian. Pikërisht këtë mesazh nuk po arrijmë dot të përcjellim jashtë Shqipërisë.
E megjithatë, hapja e negociatave nuk varet vetëm nga konteksti i brendshëm, por ka dhe një realitet të jashtëm. Është realiteti i frymës së euroskepticizmit gjithmonë e në rritje në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Për këtë arsye politika shqiptare, nuk duhet të krijojë asnjë alibi për Bashkimin Europian. Mirëpo, e kundërta po ndodh. Vetë ne jemi duke bërë të pamundurën për të ndaluar këtë proces dhe për të marrë vendim negativ në Qershor.
Ka dhe një kartë tjetër që Kryeministri Rama është duke luajtur me kancelaritë europiane. Është ajo e rrezikut gjeopolitik rus. Është pothuajse një “kërcënim” retorik kjo e Ramës me vendet e Bashkimit Europian, sa herë që ndodhet në dyer të saj për të kërkuar hapjen e negociatave. Mirëpo, është një kartë që nuk ka për të funksionuar, edhe pse ky rrezik kërcënon realisht.
Sepse, Bashkimi Europian nuk është një organizatë politike si në rastin e NATO-s, por një sistem qeverisës tipik. Dhe, si i tillë, kërkon standarde të përbashkëta ekonomike, shoqërore dhe juridike. Standarde të cilat, Shqipëria i ka ende larg
Leave a Reply