Nga Piero Biannuci – La Stampa
Një nga lajmet e para të rreme, që u kthye në viral, ka ardhur nga Hëna. Prej 20 vjetësh janë të panumërta faqet në internet që flasin për zbritjen e astronautëve në Hënë, si një ngjarje që nuk ka ndodhur kurrë. Sipas tyre, bëhet fjalë për një simulim të shërbimeve sekrete amerikane. Historia e ka origjinën në vitin 1976, kur doli libri i Bill Kaising, me titull “Nuk kemi zbritur kurrë në Hënë”, por interneti i ka dhënë shpërndarje të jashtëzakonshme.
Argumentet që duhet të mbështesin tezën mohuese të konspiracionit janë hedhur poshtë një e nga një. Së fundi, është një sondë e vendosur në orbitën rreth Hënës, e cila ka fotografuar në detaje të gjithë satelitin tonë dhe kështu edhe gjashtë pika në të cilat gjatë misioneve të njëpasnjëshme të viteve 1969-1972 janë ulur 12 astronautët. Në foto duken mjetet e lëna në vendin e zbritjes dhe madje edhe gjurmët e astronautëve në rërë hënore gri dhe gjurmët e rrotave të Rover-it.
Fotoja e mësipërme tregon rajonin ku punonin astronautët e misionit Apollo 17, i fundit i serisë, nisur nga Toka në dhjetor 1972. Por lajmi i rremë mbetet ende në qarkullim dhe ka gjithmonë nga ata që besojnë në të. Sot, informacioni është bërë si besimi, si tifozllëku sportiv. Nuk i intereson njeriu e vërteta, por të ndiejë se i japin të drejtë. Dhe natyrisht kjo vlen.
Realiteti si një histori
Kohët e fundit, lajmi i rremë është bërë kaq i përhapur dhe i fuqishëm saqë është në gjendje të rishkruajë realitetin. Pra, shumë janë të bindur se siguria në Itali është e kërcënuar nga rritja e krimit (duke zvogëluar), ose se “Ligji Fornero” me shtyrjen e daljes në pension e ka lënduar shëndetin e popullatës, ndërsa, përveç konsideratave ekonomike, studimet shkencore tregojnë se ata që dalin më herët në pension rrezikohen më shumë nga sëmundja e Alzheimerit dhe mesatarisht preken rreth 15 për qind më pak se ata që vazhdojnë të punojnë edhe përtej moshës së daljes në pension.
Ne jemi një përzierje e emocionesh dhe arsyetimi. Ky është gjithashtu një faktor i rëndësishëm në mekanizmin e lajmeve të rreme. Kush nuk mban mend se ku ishte dhe çfarë bënte kur ra ura Morandi në Xhenova? Kujtimi i atij 14 gushti mbetet shumë i qartë për secilin prej nesh. Arsyeja është e thjeshtë: lajmi është i lidhur me një emocion të fortë, edhe personal. Shumë prej nesh mund të kenë kaluar në atë urë. Ka një mekanizëm themelor të informacionit: faktet dhe të dhënat, të cilat flasin me trurin racional, fiksohen më mirë nëse i flasin edhe trurit emocional, më i lashtë nga pikëpamja e evolucionit.
Rasti i urës Morandi
Lajmi i urës Morandi është një shembull i mirë që tregon si funksionon informacioni sot. Njoftimi i parë nisi nga telefonat celularë të disa dëshmitarëve okularë të tragjedisë. Mediat tradicionale – radio, televizion – e kanë përhapën lajmin në shkallë kombëtare. Menjëherë pasi lajmi hyri në kanalet kapilare u pasua nga telefonata dhe imazhe nga mijëra telefona celularë dhe një rrjedhë e madhe mesazhesh në rrjetet sociale. Komentet dhe interpretimet e lira u përhapën me shpejtësi. Teza e konspiracionit nuk mund të mungonte: ura mund të ishte minuar.
Kjo është peizazhi pjesë e të cilit ne bëhemi. Një mjedis ku komunikimi është kaq i madh dhe ku transmetimi i fakteve (i vërtetë, i pjesshëm ose i rremë) ka më shumë rëndësi se vetë faktet dhe gjeneron të reja.
Gazeta, radio, televizioni: deri disa vjet më parë burimet e informacionit ishin mjaft të shumta, por të kontrollueshme. Secila prej këtyre burimeve është e centralizuar, duke transmetuar drejt periferisë, duke filluar nga një pikë e vetme, nga ku informacioni shpërndahet të një numër të madh marrësish që nuk janë të lidhur me njëri-tjetrin.
Qendra është kudo
Me ardhjen e internetit dhe rrjeteve sociale (Twitter, Facebook, Instagram, mail, blog etj), qendra nuk është më e njëjta. Ose më mirë: ajo është kudo. Gjeografia e komunikimit përkon me gjeografinë e rrjetit. Dhe rrjeti punon me mekanizmin e “gjashtë gradë ndarje” të përshkruara nga psikologu Stanley Milgram në bazë të një eksperimenti shoqëror bërë në vitin 1967: me një numër të kufizuar hapash, informacioni arrin pika të largëta të rrjetit. Pra, brenda pak orësh, një mesazh mund të bëhet viral, pavarësisht nga korrektësia e tij. Sa më shumë që një mesazh të përhapet, aq më shumë përfundon duke u dukur si i vërtetë.
Interneti lindi me kontributin e një numri të madh njerëzish dhe institucionesh, veçanërisht universiteteve dhe qendrave kërkimore. Vendimtar ishte Cern, laboratori i madh evropian për fizikën e grimcave, i cili prezantoi protokollin www (world wide web). Prandaj rrjeti është zhvilluar si një e mirë të përbashkët, diçka si ajri që thithim. Shumë shpejt , sidoqoftë, sipërmarrës të aftë dhe shpesh të shkëlqyer arritën ta përdorin këtë të mirë të përbashkët për qëllime private duke ndërtuar biznese miliardash. Google, Amazon, Facebook kanë buxhete të krahasueshme me shtetet e vogla dhe veprojnë brenda një logjike globale pa rregullat me të cilat funksionojnë shtetet.
Dhoma e jehonave
Vetë rrjeti, neutral nga ana e tij, as i mirë as i keq, ka marrë kështu në një vlerë të madhe ekonomike dhe sociale – pra është motori i biznesit – është kthyer në mjet të fuqishëm saqë politika e ka përdorur me shpejtësi në mënyrë direkte, duke boshatisur ndërmjetësimin klasik të demokracisë përfaqësuese, pra parlamentin.
Në çdo moment në rrjet prodhohet një sasi e pallogaritshme lajmesh dhe përhapja e tyre drejtohet nga algoritmet, të projektuar për trajtimin e informacionit dhe për ndërtimin e konsensusit. Në këtë lojë të madhe vepron mekanizmi që studiuesit e komunikimit e kanë cilësuar si “echo-chamber” (dhoma e jehonave). Ndodh që zakonisht përdoruesit e rrjetit konfirmojnë opinionet e njëri-tjetrit, secili prej tyre u bën jehonë të tjerëve, duke çuar në polarizim ekstrem për çështje të caktuara: pro ose kundër taksave, vaksinave, inceneratorëve, ndryshimeve klimatike …etj.
Pa pagesë? Është iluzion
Tabloja komplikohet duke shtuar se në pazarin e madh të rrjetit gjithçka duket sikur është falas. Në të vërtetë nuk është kështu. Përdoruesi i internetit është një burim i të dhënave të çmuara për ata që në pamje të parë ofrojnë shërbime, dhe çdo klikim ka një vlerë, siç tregohet nga reklamat e synuara që shohim të shoqëruara me rezultatet e kërkimit tonë.
Ekzistojnë dy aspekte të tjera thelbësore të informacionit në internet: një subjektiv dhe një objektiv.
I pari përfaqësohet nga koha e vëmendjes: sondazhet thonë se leximi në internet konsumohet në 20-30 sekonda. Vendosja e teksteve dhe imazheve përcaktohet nga një faktor që e bën të vështirë të propozojë thellim në tema të caktuara dhe analiza kritike. Leximi i njëjtë në video kompjuterike dhe madje edhe më shumë në telefon, dekurajon përqendrimin dhe dobëson kuptimin kritik që ne jemi mësuar të ushtrojmë në letër.
Kush certifikon?
Aspekti objektiv është që rrjetit i mungon autoriteti i certifikimit, që në media përfaqësohet nga redaksia dhe drejtori përgjegjës, në revistat shkencore nga grupet e posaçme. Vlefshmëria e përmbajtjes në dispozicion në internet mund të kalojë vetëm nëpërmjet sensit kritik të përdoruesit. Kjo, sigurisht, është e bukura e rrjetit, por është edhe rreziku i tij.
Të dhënat e fundit duhet të mbajmë parasysh: motorët e kërkimit, duke filluar me Google, rrisin sipërfaqen e uebit, më pak se 10 për qind. Nën shtresën sipërfaqësore shtrihet oqeani i thellë i uebit dhe akoma më thellë ai që njihet si “dark ueb” (interneti i errët). Këtu mund të lundrojmë vetëm duke përdorur motorë të veçantë kërkimi, që janë motorë motorësh, zakonisht me pagesë. Dalin harta dhe lidhje, të cilat nga ana tjetër duhet të interpretohen, një çështje kjo që do të na çonte shumë larg. Por mbetet edhe një terren i pakufishëm “gjuetie” për gazetarinë hulumtuese.
Leave a Reply