Nga Donika Omari/
Mirë që bota nuk na ka në vëmendje, se ndryshe do të bëheshim fare qesharakë në sy të asaj bote që i drejton shqetësimet te thelbi i problemeve e jo te faktorë të dorës së dytë a te tretë. Se vërtet që është për të qeshur ky pasion i jashtëzakonshëm për një godinë që e provon me vetë materialin me të cilin është ndërtuar se është bërë si një ndërtim i përkohshëm. Kush ka jetuar në kohën kur ngrihej ajo godinë, e di qysh atëherë që italianët po e ndërtonin për nja dhjetë a njëzet vjet.
Ata që pretendojnë se ka vlera meqë është me një arkitekturë të veçantë, duket se nuk e kanë parasysh se ç’do të thotë ky vlerësim. Të kesh parë qoftë edhe arkitekturën me më pak rëndësi në Itali apo në Spanjë, Angli a Indi, nuk mund ta bësh këtë pohim pa u dukur si i paditur. Disa aktorë e përligjin protestën e tyre duke përmendur godina të famshme 500 a 600 vjeçare, të kohës së mesjetës. Mjaft të mendosh pak, po fare pak, se me ç’material janë ndërtuar, dhe kush i ka projektuar, e ç’arkitekturë të mrekullueshme kanë, e ç’punë është bërë për realizimin e atyre mrekullive, që të kuptosh sesa nuk qëndron ky krahasim.
Ka histori ndërtesa apo teatri i luajtur në të? A nuk bëhen në botë rindërtime objektesh kulturore-artistike që u ka kaluar koha? Dhe ndërkohë që shpenzohet kaq kohë e energji për godinën prej pupuliti, kush po shqetësohet për problemet e vërteta që ka sot teatri?
Aktorët tanë të sotëm bëjnë mirë të lexojnë librat plot vlera të Mihal Luarasit për problemet e teatrit, bëjnë mirë të kujtojnë mësimet bazë të aktrimit, të mbrojnë vlerat e vërteta të vetë pjesëve që vihen në skenë. Kam dalë e revoltuar nga salla e teatrit prej një vënieje në skenë të dramës së njohur të Çehovit Dajë Vanja. Fillon me personazhet që flenë gjumë e po kështu edhe përfundon, të gjithë në gjumë. Ku është Çehovi këtu? Ku është ai emocion i thellë, i fortë që ka kjo dramë e këtij shkrimtari kaq të ndjeshëm ndaj vuajtjes njerëzore, kaq delikat e shijehollë në artin e tij? Në dramën e Çehovit një keqardhje e madhe deri në lot të pushton kur Sonja, në fund të pjesës , e ngushëllon dajë Vanjën e pagushëllueshëm me: “Do të punojmë, dajë Vanja, do të punojmë.” Se në atë shkreti që ishte provinca ruse, nuk mbetej tjetër mbështetje shpirtërore për të vazhduar të jetoje veç punës, qoftë kjo edhe në përfitim të një tullumbaceje të fryrë siç është personazhi i “shkencëtarit të madh”. Se puna është mirëbërëse në vetvete. Është një mjet efikas për t’i vënë gur zemrës. Por nuk është vetëm ky shtrembërim i shëmtuar, kjo humbje themelore që i është bërë kësaj kryevepre të pavdekshme. Është banalizuar e vulgarizuar deri në neveri sjellja e personazheve, që hanë byrek në skenë e sillen si histerikë. Dhe për të gjithë këtë kërdi, asnjë reagim nga askush!
Bota sot gjen mënyra të reja si ta afrojë publikun te teatri. Ne s’po mendojmë si të kthejmë as ato vlera që i kishte teatri ynë. Për ta nisur nga më elementarja: Robert Ndrenika a s’duhet t’u mësojë aktorëve të rinj kushtin parësor të aktorit: diksionin? Mjaft të bëhet krahasimi me aktorët e vjetër e me vetë Ndrenikën. A s’duhet të shqetësohet për punën e pamjaftueshme që vjen nga mungesa e durimit dhe e pasionit te një pjesë e mirë e aktorëve të sotëm? “S’bëjnë as atë që italianët e quajnë scioglilingua”, më thoshte një pedagoge dhe aktore e vjetër. (Ushtrime të të folurit duhet të bëjnë edhe folësit e televizioneve, që mjaft të kujtojnë folësit e dikurshëm, si Stoli Belin, Vera Zhejin, Haki Bejlerin, Viktori Xhaçkën etj. që respektonin fjalën, duke i lënë secilës fjalë vendin e vet, pa e përngjitur me fjalën pasardhëse, që nuk hanin tinguj e rrokje, që i përmbaheshin intonacionit të frazës shqipe e s’merrnin huazime të panatyrshme nga gjuhë të tjera… ) Në teatër nuk zbatohet më as masa që duhet të marrë regjisori në mënyrë që të dëgjohet mirë deri në radhët e fundit të sallës.
Problem është disiplina e aktorëve. Vetëkënaqja dhe puna e paktë e një pjese të mirë të tyre. Çka e çon dëm edhe punën e aktorëve të ndërgjegjshëm.
Problem jo i paktë është injorimi i figurave të njohura të teatrit, kur në ndonjë botim paraqiten me fotografi të dikujt tjetër. A ka fyerje më të madhe për një njeri, e aq më tepër për një artist të njohur? Kjo qenka mbrojtja e artit, mbrojtja e artistit, “vlerë kombëtare”, kur këtij i dhunohet portreti madje edhe duke qenë ende gjallë? Këta aktorë që përpiqen të mbrojnë me kaq këmbëngulje një ndërtesë, s’janë bërë pritë që këto dukuri skandaloze të mos përsëriten. Po zëvendësojnë shqetësimin për njeriun, për artistin, që, me fjalë, e quajnë madje të papërsëritshëm, me shqetësimin për një ndërtesë të përkohshme, të zëvendësueshme.
Të gjithë kemi kujtime aty. Po mos vetëm aty? A s’e lamë të dhunohej aq keq një ndërtesë edhe me më shumë histori si ajo e ish-shtëpisë së oficerëve të kohës së Zogut, pastaj ish-lidhje e shkrimtarëve? Salla madhështore e saj u shndërrua në një sallë të prerë në mes, të ndarë më dysh, ku ke përshtypjen se tavani do të të bjerë mbi kokë! Të mos flasim pastaj për të gjithë Tiranën, ku ndërtimet pa kriter kanë zhdukur kujtime të hershme, të çmuara, të qytetit të dikurshëm.
Energjia e atyre që u dhemb shpirti vërtet për teatrin a nuk duhet përdorur për të kërkuar mjetet e mënyrat se si mund të gjallërohet vënia në skenë e pjesëve teatrore kombëtare? Se si të përtërihet tradita e humorit, sjellja në skenë e aktorëve me humor të lindur e jo të sforcuar (shembull: Zef Deda në vend të të birit). Etj., etj… Nuk është nevoja të shpiket gjë e re. Mjafton të merren shembujt nga bota.
Leave a Reply