Në fushën e sigurisë publike dhe në luftën kundër krimit, duket se qeveria e parë e majtë dhe ajo aktuale e dytë, kanë fare pak ndryshime. Të dyja dallohen për afishe të mëdha, me karakter demagogjik, të ekspozuara kudo dhe me çdo mjet dhe realizime të dobëta ose më ekzaktësisht me mosrealizime spektakolare. Të çuditshme. Siguria, në qeverinë e parë, u dominua nga slogani “Një Shtet, një Polici”. Ajo përfundoi tërësisht në të kundërtën e asaj që u premtua.
Qeveria e dytë, në të njëjtën logjikë zgjodhi krijimin e Task-Forcës “Forca e Ligjit”. E shpalosur në prani të shumtë ndërkombëtare. Por, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër kjo nismë vërtetohet thjesht si demagogji e radhës. Me gjetje të ndryshme nga paraardhësja. Në të dyja rastet, ajo që bie në sy është mungesa e çuditshme e vullnetit dhe e aftësisë së të dy qeverive, për të ndjekur dhe realizuar atë që shpalosin para publikut. Atë që premtojnë. Mjafton t’u hedhësh një sy njoftimeve mediatike lidhur me ecurinë e TaskForcës “Forca e Ligjit”, duke u përqendruar te datat e tyre dhe nuk është e vështirë të dallohen deklarime kontradiktore.
Me gjithë shenjat e dukshme me karakter demagogjik në formë, nisma për TaskForcën pasoi me mungesë të dukshme realizimesh konkrete. Në datën 07 nëntor të vitit 2017, ministri i Brendshëm njoftoi krijimin e TaskForcës “Forca e Ligjit”, e cila do të kishte për objektiv kryesor luftën kundër krimit të organizuar, konfiskimin e aseteve kriminale, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë si dhe drejtime të tjera të veprimtarisë kriminale të lidhura me krimin e organizuar.
Në prezantimin e tij, drejtuesi i asokohe i Policisë Kriminale, njoftoi publikun se “Policia e Shtetit ka filluar identifikimin e të gjitha grupeve kriminale që operojnë në vend, duke bërë një skanim si të aktivitetit të tyre, të lidhjeve midis grupeve të tjera kriminale, të lidhjeve të ndryshme me persona apo subjekte që kanë influenca qofshin këto politike, ekonomike, mediatike, të cilët krijojnë lehtësira për ushtrimin e aktivitetit të tyre kriminal”. Gjithmonë sipas ish-drejtuesit, nga skanimi që i kishte bërë Policia grupeve kriminale, rezultonte se 58% e tyre operojnë në vend dhe janë të përfshirë në aktivitetin e narkotikëve, kryesisht kultivimi dhe trafikimi i tyre.
11% janë të përfshirë në trafiqe të paligjshme, 18% në krime të rënda dhe 18% të tjerë të përfshirë në krimin ekonomik. Po të shohim median, në 28 nëntor 2017 raportohet edhe harta e shpërndarjes së grupeve kriminale në Shqipëri, të cilët ishin skanuar nga ana e Policisë. Aty thuhej se në Durrës dhe Shijak janë 7 grupe kriminale, Vlora renditej e dyta me 5 grupe, Elbasani me 3 grupe kriminale e kështu me radhë. Nga këto njoftime, të bëra publike zyrtarisht nga Policia, duket qartë se Policia e kishte përfunduar fazën e njohjes, apo skanimin e grupeve kriminale në gjithë territorin e vendit. Pra, pritej dhe pritet goditja e tyre.
Në 10 janar 2018, Ministria e Brendshme njofton se Prokurorja e Përkohshme Arta Marku në takimin me ministrin Xhafaj është fokusuar te zbatimi i operacionit “Forca e Ligjit”. Të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmetaj, kreu i SHISH-it dhe ai i Policisë. Për këtë takim u fol gjerë e gjatë, nëse duhej apo jo që Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme të ishte e pranishme në zyrën e ministrit të Brendshëm. Kurse njoftimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme nuk bëri ndonjë bilanc të operacionit deri në atë fazë, në një kohë që më parë ishte njoftuar skanimi i grupeve kriminale, shpërndarja e tyre gjeografike dhe përqindjet, sipas drejtimit kriminal që ndjekin.
Dhe jemi rreth dy muaj pas krijimit të Task-Forcës. Në mars 2018, ministri i Brendshëm, gjatë një interviste, deklaronte se “Policia e Shtetit ka përfunduar fazën e identifikimit të krerëve të 40 grupeve kriminale në Shqipëri dhe ka rezultuar që shumë prej tyre, paratë e pista i kanë investuar në biznes”. Po megjithatë, megjithëse kishin kaluar 4 muaj që nga fillimi i aktivitetit të Task-Forcës, ministri nuk njoftoi publikun për ndonjë bilanc konkret. Publiku nuk u njoftua, nëse arrestimet në rastin e ngarkesës së sasisë rekord të kokainës ishin apo nuk ishin të skanuarit e grupeve kriminale të Policisë.
As ata që u arrestuan në rastin e kontrabandimit të emigrantëve drejt SHBA-ve dhe vendeve të tjera. Por ajo që të shqetëson më shumë, gjatë kësaj interviste të ministrit të Brendshëm, është fakti se ai deklaroi: “Janë ngritur TaskForcat Speciale në nivel qendror dhe ato rajonal, në funksion të të cilave janë vendosur prokurorët e dedikuar për këtë operacion, si dhe agjenci të tjera, si shërbimi sekret, hetimi doganor, pastrimi i parave etj., të cilat janë të përfshira në këtë proces”. Të krijohet përshtypja se gjithçka ishte vënë në punë dhe rezultatet nuk do vononin.
Por nuk ndodhi kështu. Vetëm një muaj më pas, përsëri media jep njoftime të cilat kundërshtojnë pastër deklarimin e mësipërm të ministrit. Në njoftimet mediatike të datës 27 prill 2018 njoftohet njëzëri caktimi i pesë prokurorëve të Tiranës si pjesë e Task-Forcës “Forca e ligjit”. U dhanë edhe emrat e tyre. Këta pesë prokurorë ndjekin tre të tjera, në qytetin e Fierit. Kush gënjen këtu?
Ministri, një muaj më parë, kishte thënë se janë vendosur prokurorët e dedikuar për këtë operacion. Përveç kësaj pasaktësie të rëndë, emërimet e prokurorëve duket se janë bërë qorrazi, pa marrë parasysh hartën kriminale të hartuar nga Policia. Në Tiranë janë emëruar 5 prokurorë në dispozicion të Task-Forcës, ndërkohë që në skanimet e veta, Policia thotë së në Tiranë ka identifikuar 2 grupe kriminale, kurse Fieri ka tre grupe kriminale dhe po aq prokurorë të emëruar në dispozicion të Task-Forcës. Askush në publik nuk ka njoftim në se janë emëruar apo jo prokurorët e tjerë, në rrethe të tjera, në dispozicion të Task-Forcës.
Task-Forca “Forca e Ligjit”, pesë muaj pas formimit të saj, fillon të plotësohet më prokurorë të vënë në dispozicion për këtë qëllim. Pyetja që del është e natyrshme: A ka përfunduar plotësimi organik i TaskForcës? A ekziston ajo? A ka ndonjë përgjegjshmëri që dikush të dalë para medias dhe t’i thotë publikut të gjerë se cili është bilanci i kësaj njësie? Sa nga grupet e skanuar janë vënë para drejtësisë? Sa asete kriminale janë sekuestruar? Nga ajo që ka ndodhur deri tani, duket qartë se Task-Forca do të ketë të njëjtin përfundim si slogani “Një Polici, Një shtet”. Endet e endet, por nuk përfundon.
*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit
Leave a Reply