…Problemi, sot për sot, nuk është që presidenti nuk e shpërndan dot Parlamentin dhe qeverinë, përkundrazi, këtë e bën “tak-fap”! Halli më i madh është që nuk gjendet një kryeministër në krye të qeverisë dhe jo vetëm kaq, por të jetë edhe i “lënë nga mendtë”.
Ky është halli më i madh që ka sot presidenti. Nuk pranoi të merrte këtë post as Berisha “i vogël” gazetar kur presidenti i drejton pyetjen: “Hë, a pranoni juve të merrni këtë post”?
“Po mua, nuk më ka lënë mendja”, i përgjigjet gazetari që edhe ky, është si presidenti, në opozitë me mazhorancën. E po e sheh pra, ku të gjejmë një kryeministër me “mendje të lënë”, përderisa edhe ti nuk pranon?
Dhe jo vetëm kaq, por unë, “Parlamentin jo vetëm që e shpërndaj, por e shpërndaj edhe qeverinë, por problemi, edhe në këtë rast, është ku të gjejmë nja 20 burra dhe gra që t’i vendosim në krye të institucioneve, që ato të “demokratizohen”!..
Pyetjes së gazetarit, se :”A e keni në kompetencë me ligj këtë.? Aty për aty, flakë për flakë, presidenti që i dridheshin duart nga zemërimi, i përgjigjet: “Po Edi Rama, pse shkeli ligjin duke prishur teatrin”? “Hane fshat, hane Bagdad”!
“A e dini juve se Edi Rama, me prishjen e teatrit, ka treguar që është në shërbim të një lobi të caktuar serb dhe një lobi rus në Washington? Unë, për këtë kam shumë dokumenta, por do të vijë dita e do të flasim”!
Një akuzë e rëndë kjo për një president, por edhe për një kryeministër, që ose njëri ose tjetri të vihet para përgjegjësisë që komplotojnë me interesat e vendit. Deri këtu ka arritur një president që duket se i ka ardhur laku në fyt. Nejse, të tjera muhabete këto.
Më të mirë dhe më adap se Rama për detyrën e kryeministrit, më “mendje të lënë” nuk mund të gjesh. Pse e themi këtë? E themi sepse ky kryeministër pavarësisht që nuk e ka të mbushur me mend kafkën e kokës, ka bërë për vete edhe Europën, edhe Amerikën, edhe ambasadorët e huaj në Tiranë edhe lobin pro serb dhe atë pro rus në Washington, pra i ka bërë “çarçaf” të gjitha.
Ky, u ka hedhur “trutë e gomarit” të gjithëve pa përjashtim qofshin këta kombëtarë apo ndërkombëtarë. E parë në këtë aspekt, Rama, ka kapur edhe reformën në drejtësi, ka “karfosur” edhe ambasadorët e huaj, ka paralizuar edhe opozitën dhe e ka futur në qorrsokak.
Po mirë deri këtu, që ky Kryeministër i tillë është. Po sikur të gjejmë ndonjë tjetër me “mendje të lënë” (sepse “trutë” nuk mund t’ia peshojmë dot) dhe mos o Zot të ketë më pak mend se paraardhësi i tij Rama, që përveç atyre që thamë, të na bëjë për vete edhe UFO-t që jetojnë në planetë mijëra vite dritë larg nesh, si do t’i vejë halli?
Më tej, gazetari e pyet: “A ndjeni ndonjë gabim juve z. president gjatë karrierës suaj si President i Republikës”? “Jo, i përgjigjet ai, unë nuk ndiej asnjë gabim, përkundrazi, marrëdhëniet e mija kanë qenë shumë korrekte, shumë institucionale dhe kam bërë gjithçka për më të mirën, për të zgjidhur krizat, kam sheshuar mosmarrëveshjet, jam munduar t’i pajtoj palët, por nuk kam mundur, unë kaq kam mundësi të bëj”.
Pra, nuk ka bërë asgjë. Të mos ketë vallë faj presidenti për marrëdhëniet e ngrira me kryeministrin? As Monika nuk e beson këtë. “Gjithçka e kam bërë në zbatim të Kushtetutës, sepse unë vetëm Kushtetutën njoh, asgjë tjetër”! Dakord, deri këtu, në rregull. Por ja që më pas, presidenti zotohet që: “Këtej e tutje, unë do të jem një president ndryshe, nga ç’kam qenë deri sot, do të jem një president danez”!
Tek e dëgjojmë këtë deklaratë, në fillim u çuditëm dhe kujtuam që do të na vinte ndonjë president nga Danimarka me mendimin që shqiptarët, këtej e tutje të harrojnë se do të kenë në krye të shtetit një president shqiptar. Më vonë e kuptuam.
Që këtej e tutje, do të kishim të bënim me një president shqiptar, por me sjelljen e një presidenti danez, që siç e kuptojmë ne, presidenti jonë, këtej e tutje, do të qëndrojë si ushtari në hyrje të Presidencës, do të mbajë në dorë Kushtetutën dhe kushdo që të kalojë atje pranë apo të hyjë në Presidencë, të shikojë, të lexojë çfarë shkruan Kushtetuta dhe më pas të veprojnë. “Këtej e tutje, do të shihni një President tjetër, tepër institucional, shumë të kujdesshëm, një president që do të zbatojë Kushtetutën, që nuk do të përfshihet më në biseda, që lënë vend për alibi e diskutime.
Me kryeministrin, jam i hapur për takime të mirëdokumentuara dhe me dëshmitarë dhe po kështu edhe me Bashën si kryetar i opozitës. Me Monikën, nuk kam nevojë sepse ajo ndjek Bashën. Po kështu edhe me ambasadoren e SHBA dhe të BE-së”.
Siç shihet, presidenti le të thotë sa të dojë që nuk ka bërë gabime, por, vetë e pranon që çdo takim e ka bërë kuturu, nuk ka mbajtur as shënime dhe nuk ka patur as dëshmitarë. Kanë patur të drejtë të gjithë që ja kanë “dredhur” presidentit dhe nuk i janë treguar korrektë, e nuk kanë mbajtur “llaf burri” që atë ç’ka i thoshin në mëngjes, ja “dridhnin” në darkë, “siç u thoshte Rama”.
Tani e tutje, do ta njihni juve kombëtarë e ndërkombëtarë se kush është presidenti ynë. Ai, tregoi edhe një shembull me një nen të ligjit për hapjen e kutive të votimit, ku ambasadori i huaj, ishte aq “elifimatrak” saqë rëndësinë e neneve për këtë ligj, e maste nga renditja e tyre, sipas të cilit ata që ishin në fillim, ishin më të rëndësishëm nga ato nene që ishin në fund si të parëndësishme.
Presidenti ynë, qesh me këtë perëndimor. Ajo ç’ka është e rëndësishme, këtej e tutje, nuk do të ketë më “hani Muco pini Muco” sepse ç’do gjë do të shkojë në “vrimë” të gjilpërës dhe ç’do takim, do të bëhet me dokumenta, me dëshmitarë.
Nuk kanë kaluar më shumë se dy vjet kur Presidenti ynë, “e shiti” Amerikën, për të mbrojtur një Llalla. Sipas të tëra gjasave, Llalla me një thes shkeljesh të ligjeve, do të ndëshkohet, dmth. do të ndëshkohet edhe mbrojtësi i tij president. Amerika e ka fajin për këtë? Të paktën, presidenti, mirë bën që akuzon të tjerët, por këto me fakte dhe jo llafe “pazari” dhe njëkohësisht të tregojë që edhe vetë nuk është i larë.
Vitin e kaluar nga Pogradeci ku ndodhej për pushime, deklaroi: “Po nuk u zgjidh ngërçi politik i krijuar, unë do të vetëflijohem si Salvador Alende”! Ngërçi politik, jo vetëm nuk u zgjidh, por u “korkoleps” edhe më shumë. Nuk e përmbushi këtë “betim” dhe jo vetëm kaq, por “vetëflijimin” e ktheu në “flijim” për të tjerët, pra do të jetë një “Avni Rustem” e më pas një Mic Sokol.
As njërin as tjetrin “zotim” nuk i mbajti dhe lavdi Zotit që nuk i mbajti këto premtime, por të paktën, të mos i thotë sepse bëhet i pabesueshëm. Shkojmë më tej akoma. Në Kuvendin e “Dëshmorëve të Kombit” të 2 marsit, deklaroi: “Më 15 mars, do të shkoj të “plas bombën”, pra do të firmos mu në mes të Parlamentit të krimit, dekretin për shpërndarjen e tij”!
As këtë “premtim” nuk e mbajti. Tani, si të themi a kanë faj Parlamenti, kryeministri, qeveria, kryetari i opozitës, ambasadorët e huaj amerikanë dhe europianë e deri tek Monika e tij që nuk e dëgjojnë presidentin tonë? I kujt është faji? “Unë, i tha ai gazetarit opozitar që në të njëjtën kohë është edhe “gjykatës”, mbasi nuk merr opinionet e atyre që thërret në studio dhe më pas publiku le t’i vlerësojë, por ai i vë përpara “fronkës” dhe u kërkon atyre të shprehen ashtu si do ai, jo të thonë mendimet e tyre.
“Kam zgjidhur krizat” thotë Presidenti. Po si i zgjidhi këto kriza ky president, kur firmosi një dekret e ç’firmosi një tjetër e më pas firmosi një tjetër, pra ka krijuar përçarje në popull dhe opozitë – opozitë? “Po të kishte marrë pjesë opozita në zgjedhje sipas dekretit të 13 tetorit, tha, Shqipëria do të ishte integruar në BE”!
Edhe vetë Fevziun e habiti me këtë deklaratë dhe me të drejtë i tha: “Po edhe opozita vetë, nuk mori pjesë në këto votime, pra i bojkotoi”. “A, keni të drejtë nuk mbajti llaf prej burri kryetari i opozitës, Basha që mua më premtoi që do të futemi në zgjedhje dhe më pas, i bojkotoi ato. Basha, nuk më dëgjoi mua që i thashë: “Ore, futuni në zgjedhje, sepse jam i sigurt që e mundni Ramën dhe për këtë u jap fjalën që unë do të bëj ç’është e mundur që ju të fitoni”!
Ja pra që presidenti ynë, vetëm si president nuk ka vepruar në tërë karrierën e tij, por ka punuar si kryetar i opozitës bashkë me doktorin. Po këtë ja lejon Kushtetuta këtij presidenti që “fle” me Kushtetutën nën jastëk? Edhe Basha, nuk është aq “budalla” sa t’i lëshojë presidentit karrigen e kryetarit të opozitës.
Monika e tij, para disa kohësh u shpreh që “ta harrojë Ilir Meta që do të marrë detyrën e kryetarit të LSI-së”! Ja edhe Basha nuk i lëshon karrigen dhe presidentit i mbetet që nesër të mbetet i papunë! Po pse të shkojmë deri tek Basha përderisa atë nuk e dëgjon as Monika e tij?
“Ka bërë gabim të madh opozita”, u shpreh presidenti, që vitin e kaluar dogjën mandatet e deputetëve. Unë, nuk isha dakord aspak me këtë vendim sepse ata, përfituan nga rasti që unë ndodhesha në Gjermani dhe ndodhi ajo që ndodhi. Më ka marrë në telefon Monika dhe i kam thënë: “Mos e bëni këtë gabim fatal”.
Ajo nuk më dëgjoi. Prandaj edhe arritëm këtu ku jemi që Rama, për t’i marrë të gjitha në dorë vetë, siç i ka marrë”! Do të mbahen mend gjatë këto deklarata të presidentit, të cilat as më shumë e as më pak janë dështimi i tij në detyrën e Presidentit, për të cilën ai nuk ndihet fajtor, por fajëson të gjithë.
Por edhe faj nuk ka sepse kështu është katandisur. Të gjithë janë fajtorë sipas tij, edhe kryeministri, edhe Parlamenti, edhe qeveria, edhe ambasadorët e huaj. Problemi shtrohet ose të hapi rrugën ky president, ose të “shpallen” të gjithë këta, “non grata”!
Leave a Reply