• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
LORENC VANGJELI/ Dafina për kuzhinierë e politikanë, por të paktën, mjekët u rikthyen
Home
Blog

LORENC VANGJELI/ Dafina për kuzhinierë e politikanë, por të paktën, mjekët u rikthyen

May 28th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Në Shqipëri dhe kudo gjetkë ata janë shkëlqimi i çdo televizioni. Në qiellin gjithmonë e më të ulët të ekraneve me ngjyra, ata janë nga yjet më të larta, kurse në përditshmëri janë kartëvizitë ari e duarve flori.

Nga shprehja e trishtuar e varfërisë: “Na hëngri goja!”, që iu psherëtinte gjysheve mjerimi dikur, tek aksioma moderne që deklamojnë fashionistët e përkëdhelur të konsumit: “Shpirti vdes, por uria është e përjetshme!”, në Tiranë ka rrjedhur jeta e së paku një brezi. Gatimi si biznes dhe biznesi i të gatuarit, shijet e rafinuara dhe marinimi i shijes, artistët e gatimit dhe gatimi si art, janë dashuria moderne e kësaj kohe.

Që ndien, qesh e qan gjithmonë e më shumë me stomak ndjenjash dhe me emocione stomaku. Ata janë kult për një shumicë gjithmonë e më të madhe të publikut, që edhe betejat e gladiatorëve në ekrane apo dhe sherret në sheshe me përsheshe protestash, i ndjekin me delikatesë crudo-sh, duke i përcjellë me verë delikate. Nuk ka gjë që shkon më shumë me adrenalinën e luftës sesa pak verë e shijuar në paqe me veten.

Edhe një politikan është shndërruar nga kulti i vjetër i admirimit në tempullin e ri të faljes. Tipa të cilët në kohë normale do të duhej të ishin objekt i politikës, maksimumi deri vetëm si votues të thjeshtë, sot janë subjekte direkte politike.

Qesharakë si qenie, por lumturisht të nginjur me veten, të varfër në mendje, por frikshmërisht të pasur në xhepa, të aftë të shndërrohen në Koronasutrën e politikës shumëngjyrëshe, në këmbim të Kamasutrës humane, në Tiranë, por edhe gjetkë, ky soj sojsëzësh ka krijuar botën e tyre prej mushkash pa identitet seksual. Kanë krijuar botën vetjake të veshëgjatëve, në të cilën, mëkat janë veshët normalë.

E njëjta botë me atë ku jetojnë shpejt, por zakonisht jo gjatë, edhe pronarët e makinave me cilindratë të madhe. Ata janë të rinj që nuk arrijnë të plaken kurrë, që vdesin si rregull përpara prindërve të tyre, nën identikitin e njëjtë të kokave të qethura dhe tatuve të shumta në trup. Kanë mbi shpinë shumë vite burgu jashtë e edhe më shumë prona brenda.

Veshin atlete me pafta metalike në këmbë, por rrallë ecin si këmbësorë. Adhurojnë bizhutë e shtrenjta që i mbajnë në sediljen e parë të makinës, që si rregull janë zuzu’ ekrani që premtojnë të bëhen edhe këngëtare, edhe biznesëoman-e. Ato janë ca zemra të vogla me cica të mëdha, që e duan shumë sponsorin e tyre deri në momentin kur ai ose hyn në burg për të dalë vonë, ose hyn nën dhe për të mos dalë më.

Gjithmonë e më tepër ata nuk janë përjashtimi, por rregulli që mbizotëron. Shqipëria që politikanët e parë i improvizoi nga profesorët me gardërobë teritali, sot i gjen politikanët në teritalin e mendjeve groteske me gardërobë fashionistësh. Nuk dinë të bëjnë asgjë. Por dinë të qeshin me gjithë shpirtin e tyre të cekët me çdo gjë që thonë shefat e tyre. Njëlloj si ato prostitutat që shtiren sikur kalojnë në orgazëm, me shpresë se klienti do t’u japë më shumë bakshish radhës tjetër.

Një shkrimtar apo një poet, qenie të cilat dynjaja i numëron te raca e vetmitarëve dhe e të trishtuarve, gjithë njerëzit e kësaj zejeje të hershme e të heshtur, kanë mbetur gjithmonë e më në hije. Dafinat që u kanë dhuruar dikur, ndërsa gatuanin ushqim për shpirtrat, tani u mungojnë.

Të dish të shkruash, të kesh miqësi me metaforat, të drithërosh shumë jetë, duke folur për jetë të tjera me fjalë, nuk janë më kushte të mjaftueshme për dafinat. Çmimi i lavdisë tani është krejt i ndryshëm dhe një mijë fjalë shkrimtari vlejnë më pak se një foto fundshpine Kardashiani. Njëlloj si aktorët që nuk ndeshen më për role, por e ndajnë Teatrin në dy anë bulevardi për të ngritur sqeparët ose mbi pupulit, ose mbi kokën e kujt vë në bursë mermerin e ardhshëm, përpara pupulitit të djeshëm.

Pandemia ishte një rast i rrallë që afroi përmbysjen e rendit të ringulitur të hierarkisë. Por e liga ekstreme e saj, solli së paku një të mirë. Riktheu Doktorët. Të paktën në Shqipëri, njerëzit me bluza të bardha që vizatoheshin gjithmonë me zemër të zezë, që konsideroheshin gjithmonë të korruptuar, të paaftë e të pafe, pre e lehtë dhe mish cirku për nervozizmin e publikut, tashmë po shihen si heronj të luftës për jetën.

Një luftë që në epilog e fiton gjithmonë vdekja, por që ata i japin jetës një shans më shumë. Nesër kur të ketë kaluar gjithçka, e liga dhe gjykimet e liga do të triumfojnë sërish. Gertës së shëndetësisë së sotme, Ilirit të djeshëm dhe Edit si shef të të dyve te shëndetësia, do t’u kujtojnë letrat higjienike të blera me tender dhe jo orët e gdhira në zyrë, do t’u kujtojnë koncesionet dhe jo revolucionin në shëndetësi.

Që nuk e bën domosdo më të mirë të sotmen për shkakun e tyre, por për ndryshimin e mentalitetit të nesërm. E donin vetë apo i ndihmoi fati, në kohën e tyre mjeku nisi të duket mjek. Është kaq e vështirë të ndryshojë një mentalitet, kaq e vështirë të shpëlahet ai lumë e llum urrejtjeje që është derdhur aq shpesh mbi ta, por po ndodh. Siç ndodhin mrekullitë. Papritur!

Çdo njeri është kuzhinier i fatit të vet! Politika lokale, mirë apo keq, është kuzhinier i fatit të gjithë shoqërisë shqiptare. Në Tiranë është duke u gatuar diçka. Një ushqim i keq ka sjellë fillimisht aromën e antipastës, por menyja nuk dihet ende. Në mos qoftë parandjenjë, është ndoshta skaji i parë i një cikli që ngjeth. Buçima po dëgjohet, por daullen që bie po e shohin shumë pak sy.

Rama e Basha, Meta e Berisha, Kryemadhi e ca pak të tjerë, pa përjashtuar Damianin, por jo Rudinën, dinë më shumë, por flasin për tjetër gjë. Heshtin për çfarë i pyesin dhe pyesin se pse duhet t’u trazohet heshtja. Ata, ndoshta më mirë se gjithë të tjerët dinë se në Shqipëri askush nuk vdes nga mërzia.

Dinë se mallkimi i hershëm: “Jetofsh në kohë interesante!”, e ka zënë për fyti Shqipërinë që jeton hareshëm në kohë interesante. Librat e Shenjtë i paralajmërojnë në mënyra të ndryshme shenjat e ditës së kiametit; një nga to është stina kur llumi shitet si diamant dhe diamantet zhyten në llum. Në kohën moderne, me kuzhinierë, politikanë dhe banditë e banditesha, si yjet më të ndritshme të ekranit, për paradoks, e liga shkëlqen më shumë!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article PANDELI BARDHI/ Në kërkim të një kryeministri, me mendje “të lënë” dhe 20 burrave të ngjashëm me të
Previous article SPARTAK NGJELA/ Sytë nga Yuri Kim

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k