Pas debateve dje në Komisionin e Ligjeve për numrin e punonjësve të institucioneve të Vettingut, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kërkuar sot në mbledhjen e grupit që qeveria të mos kursehet.
Ai theksoi se duhet të shkurtojmë diçka diku tjetër dhe nuk duhet të kursehemi nëse kemi ndërmend të pastrojmë drejtësinë shqiptare, në mënyrë që të mos fshihen pas vendimmarrjes.
“Hajde të shkurtojmë dicka tjetër, këtu nuk duhet të kursehemi nëse kemi ndërmend të pastrojmë drejtësinë shqiptare.
Ditën e premte kur të fillojnë punën, këta njerëz të mos e kenë si justifikim këtë cështje. Kjo është një situatë e pazakontë që duhet të zgjidhen me mjete të pazakonta.
Ne duhet ti kërkojmë llogari për atë që bëjnë dhe të mos fshihemi pas vendimmarrjeve tona.
Ne nuk na shërben qasja e kontabilistit në historinë e vettingut dhe nuk duhet parë në çështjet financiare” deklaroi ai.
Ndërsa ministri Ahemtaj reagoi duke thënë se struktura është e plotë, pasi janë bërë shtesa të konsiderueshme financiare.
“Do kenë 100% rritje rroge, apo 120% dhe 150%? Struktura është e plotë. Nuk ka logjikë kontabiliste, por funksionale. Shtesa e tyre është e konsiderueshme” deklaroi ai.
Diskutimin e ka mbyllur Rama duke deklaruar se asnjë institucion nuk duhet të zgjerohet dhe rritet për të akomoduar njerëzit nëpër zyra.
“Në rastin konkret është respektuar plotësisht principi bazë që është mbështetje ekstra për reformën.
Të gjithë duhet ta dini që pagat për këtë institucion janë ekstra. Të tilla do të jenë edhe pagat për gjykatësit dhe prokurorët që do dalin pa njollë në skanerin e vettingut” përfundoi ai.
Komisioni i Ligjeve miratoi dje 110 punonjës në staf për këto institucione të rëndësishme të Vettingut, nga 185 që ishin kërkuar.
Në fund, vetëm me votat e mazhorancës, Komisioni miratoi 50 punonjës për Komisionin e Kualifikimit nga 65 që kishte kërkuar. Komisionerit Publik i dha 26 nga 53, ndërsa atij të apelimit vetëm 37 nga 68.
Ndërsa PD dhe LSI i bënë thirrje shumicës që të reflektojë për të miratuar rritjen e numrit.
Leave a Reply