Nga Olta Xhaçka
Ky është një moment kur të gjithë ne duhet të ndihemi krenarë. Sepse janë bërë vërtet shumë gjëra dhe ka vërtet shumë arritje që nuk kanë qenë aspak të lehta.
Të gjithë e dimë se sa shumë punë, sa shumë përpjekje janë dashur për secilën prej tyre.
Por ato janë njëkohësisht edhe prova më e padiskutueshme e bindjes sonë që rruga drejt Europës kalon nga modernizimi i vendit, e mbi të gjitha, nga ndërtimi i një shoqërie dhe shteti demokratik e të bazuar tek sundimi i ligjit.
Rezoluta që miratojmë sot është dëshmia më e qartë e vullnetit tonë për të çuar përpara procesin e integrimit.
Në fakt, miratimi i kësaj rezolute duhet të kishte qenë një moment bashkimi. Një moment për t’i treguar partnerëve dhe aleatëve tanë, që pavarësisht dallimeve apo mosmarrëveshjeve, kur vjen puna tek integrimi në BE ne jemi të bashkuar.
Jemi të bashkuar dhe të vendosur për të bërë gjithë çfarë duhet, të gjithë bashkë, pavarësisht bindjeve politike, sepse Europa është objektivi dhe interesi më i madh i çdo qytetari shqiptar. Anëtarësimi në BE gëzon mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, socialistë e demokratë, të majtë e të djathtë, burra e gra, të rinj e të moshuar.
Por ja që nuk është kështu. Kjo anë e sallës së Kuvendit, protesta përpara hyrjes së Kuvendit, na kujtojnë të gjithëve që nuk është kështu.
Ky nuk është një moment bashkimi sepse për herë të parë shqiptarët kanë një opozitë e cila qartazi, në mënyrë cinike, ka vendosur interesin e saj të ngushtë mbi interesin madhor të shqiptarëve. Kanë një opozitë që ka vendosur me vetëdije të plotë të sabotojë interesin kombëtar dhe procesin e integrimit për hatër të problemeve të saj të brendshme, që nuk janë problemet e Shqipërisë e shqiptarëve, por thjesht e vetëm problemet e PD dhe LSI.
Nëse ketë do ta thoshim vetëm ne, sigurisht që shumëkush me të drejtë mund të na kritikonte që po e akuzojmë opozitën në emër të luftës politike. Dhe do të kishte të drejtë sikur këto t’i thoshim vetëm ne. Por në fakt, edhe më qartë se ne, këto kritika për atë që po bën sot opozita i kanë artikuluar miqtë e partnerët tanë.
Ky është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara që në krye të herës, ky është qëndrimi i Bashkimit Europian. Ky është qëndrimi i shprehur qartë e prerë e pa asnjë hapësirë për ekuivok nga çdo përfaqësues i çdo vendi partner e aleat të Shqipërisë.
Jo më larg se pardje, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën përsëriti këtu, në Tiranë, atë që partnerët tanë amerikanë kanë thënë që në fillim të kësaj krize të stisur, se “mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike.”
A nuk është kjo ajo që ne kemi thënë që në krye të herës kur opozita ju fut kësaj rruge pa krye? A nuk është kjo ajo që ka thënë që në krye të herës Ambasada e Shteteve të Bashkuara, për t’u akuzuar pastaj me lloj lloj teorish komploti nga goja e zyrtarëve më të lartë të opozitës se gjoja nuk shpreh qëndrimin zyrtar të SHBA?
“Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën punojmë mirë dhe ngushtë. Institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve, dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva”.
Po këto i thamë ne? Dua t’i pyes kolegët e opozitës çfarë komploti qëndron pas kësaj deklarate që është në fakt një shprehje e qartë mbështetje për qeverinë shqiptare?
Në fakt, ka filluar të qarkullojë një teori komploti edhe për këtë. BE dhe SHBA, thonë ata, s’ju intereson demokracia e zbatimi i ligjit në Shqipëri. Ju intereson stabiliteti.
Një tezë cinike dhe e rrezikshme e hedhur nga ata që shohin sesi i kanë braktisur jo vetëm shqiptarët, por edhe e gjithë bota. Dhe që tani të braktisur e izoluar nga të gjithë, kanë vendosur të gënjejnë veten e ata pak që akoma ju besojnë duke u përpjekur të mbjellin në Shqipëri farat e një fryme antiperëndimore.
Ne jemi krenarë për stabilitetin e Shqipërisë. Jemi krenarë që Shqipëria është sot një shtyllë stabiliteti në të gjithë rajonin. Jemi krenarë që faktori shqiptar në Ballkan është një faktor stabiliteti. Dhe këtu dua t’ju kujtoj rolin e rëndësishëm që Shqipëria e shqiptarët kudo që jetojnë në rajon kanë luajtur për ta bërë rajonin tonë më paqësor, më të mirë. Rolin që kemi luajtur në zgjidhjen e krizës në Maqedoninë e Veriut apo në hedhjen e urave të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
Ne jemi krenarë që Shqipëria është sot një eksportuese neto e sigurisë në rajon e kudo që ka nevojë NATO. Pasi ju kujtoj që jemi prezent në misionet e aleancës në Afganistan, Bosnje, Letoni, jemi prezent në Detin Egje, jemi prezent në Mali dhe jemi duke përgatitur një kontingjent për misionin e OKB në Sudanin Jugor.
Është një rol që aleatët tanë e kanë vlerësuar dhe shprehje e këtij vlerësimi është vendimi për të ndërtuar në Kuçovë një bazë të rëndësishme ajrore të aleancës apo bashkëpunimi dhe mbështetja e vazhdueshme që na kanë dhënë veçanërisht aleatët tanë amerikanë.
Por a do të thotë kjo që në emër të stabilitetit, BE dhe SHBA, po sakrifikojnë demokracinë?
Që të besosh këtë, në fakt, nevojitet një akrobaci mendore që është në fakt e pamundur. Duhet të besosh që të gjithë – shqiptarët, evropianët, amerikanët – paskan vendosur ta sakrifikojnë demokracinë në altarin e stabilitetit dhe të vetmit që me rezistencën e tyre heroike po i fusin shkopinjtë në rrota këtij komploti global, janë… PD dhe LSI. Këtë, në fakt, nuk e ha as çuni i Fahriut.
Është vërtet një ditë e zymtë, kur një forcë politike që u krijua si një forcë e shpresës për ndryshim, nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe një tjetër forcë që e ka pagëzuar veten si integrimse, e tradhtojnë në mënyrë kaq cinike e të paprinciptë ëndrrën evropiane të shqiptarëve, duke zgjedhur të avancojnë interesat e tyre të ngushta politike e personale, mbi sabotimin e procesit të integrimit dhe, ajo që është e pafalshme, duke u përpjekur të mbjellin farën e dyshimit për atë që përfaqëson BE dhe SHBA.
*Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë
Leave a Reply