• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
Një arsye përse PD nuk arrin të bindë
Home
Blog

Një arsye përse PD nuk arrin të bindë

May 31st, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Maklen Misha/ 

Sikur Edi Ramës dhe Kryesisë së Partisë Socialiste t’u kishin dhënë laps e letër e t’u kishin thënë zgjidhni ju sesi do të jetë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, gjasat janë që nuk do të kishin sajuar dot një listë si kjo që përfaqëson sot PD në Kuvend. Sado dashakeqë të kishin qenë, drejtuesit e PS nuk do të kishin guxuar kurrë të shkonin kaq larg. Për shembull, nëse dikush mes tyre do të kishte thënë “po sikur të vëmë Ervin Salianjin?” jam i sigurt, që të gjithë të tjerët do ta kishin kundërshtuar e do ta kishin ftuar të bëhej serioz, sepse pavarësisht se i kemi kundërshtarë nuk mund të tallemi me PD në këtë farë feje. Por ja që ky është një nga ato raste ku realiteti ia ka kaluar fantazisë.

Mes gjithë problemeve që ka sot Partia Demokratike, përbërja e grupit të saj parlamentar është padyshim një nga më seriozët. Unë personalisht nuk kam qenë kurrë mbështetës i PD. Nuk kam pasur kurrë ndonjë simpati të madhe për këtë forcë as gjatë kohës që ka qenë në pushtet e as gjatë kohës që ka qenë në opozitë. Kjo ka qenë punë preferencash e bindjesh, por ama, sado të mos më pëlqente mua Ridvan Bode, apo Jozefina Topalli apo Sokol Olldashi, nuk mund ta mohosh kurrsesi që ata ishin politikanë kalibri. Ishin njerëz që kishin staturën dhe eksperiencën dhe aftësinë për të bërë karrierë e për të arritur në majat e Partisë Demokratike dhe të shtetit shqiptar. Ç’është më e rëndësishme akoma, ishin njerëz që dinin t’u flisnin militantëve e simpatizantëve të PD me gjuhën që ata kuptojnë, t’i frymëzonin e motivonin, por ishin njerëz që dinin të komunikonin edhe me një publik më të gjerë sesa baza e PD.

Po sot? Krahasojini këta me shumë prej prej atyre që përfaqësojnë sot PD në Kuvend. Për shembull, sa qytetarë apo militantë të PD mund të frymëzojë Klevisi? Çfarë politikash mund të elaborojë në mënyrë bindëse Gent Strazimiri? Sa serioze duket vallë në sytë e publikut një forcë politike që ka një deputet që flet e shkruan në mënyrë aq vulgare sa Myslim Murrizi apo për Kryetar Grupi një personazh me gjuhën e Edi Palokës?

Ose le ta çojmë diskutimin një hap më larg. PD është një forcë që pretendon të qeverisë. Atëherë me të drejtë gjithkush mund të shtrojë pyetjen: me kë do të qeverisë PD nëse vjen në pushtet sot? Sigurisht që ndër anëtarët e mbështetësit e PD ka shumë njerëz të aftë e ekspertë. Por puna është që këta nuk i sheh kurrkund. Nuk janë ata protagonistët e PD sot. Ata janë të destinuar të stonojnë e të lihen në hije në një parti ku tonin e vendosin personazhe të tipit Paloka, Salianji apo Balliu. Por a mund të formosh një qeveri me personazhe si këta?! Ose për ta bërë diskutimin më konkret akoma, sa qytetarë do të votonin për një kabinet të përbërë nga Salianji, Paloka, Balliu apo Murrizi?

Në njëfarë mënyre kjo që po ndodh sot në PD, është si një version i përmbysur i historisë së KOP. KOP arriti ta hapte Partinë Demokratike, të sillte në të prurje të reja, t’i jepte energji të reja

partisë, të motivonte mbështetësit e PD pas një opozite të gjatë e të vështirë, dhe, ç’është më e rëndësishmja, të fitonte besimin e qytetarëve shqiptarë. Mesazhi i KOP ishte që PD kishte ndryshuar, ishte e besueshme dhe gati për të qeverisur.

Çfarë mesazhi jep PD sot? Në fakt, mjafton të shohësh se kush rradhitet në të majtë e në të djathtë të kryetarit gjatë konferencave për shtyp, për ta kuptuar që PD sot është thjesht një karikaturë e PD së dikurshme, një forcë që nëse nuk ndryshon shpejt, është e destinuar të tkurret e të bëhet gjithnjë e më irrelevante.

Kur një forcë pretendon të vijë në pushtet ajo duhet të jetë në gjendje të fitojë mbështetjen e qytetarëve. Duhet të jetë në gjendje të ushqejë shpresën se mund ta bëjë më mirë punën e qeverisë. Si bëhet kjo? Duke ofruar së paku një vizion, por edhe një ekip drejtues, një qeveri në hije, që është në gjendje të fitojë besimin e qytetarëve se mund ta përkthejë atë vizion në punë e arritje konkrete. Dhe ekipi nuk mund të jetë kurrsesi një tufë çunash e burrash që duket se janë të prerë vetëm për të bërtitur e për t’i rënë tavolinës, por të paaftë për artikuluar kurrfarë ideje e platforme. Një tufë burrash e çunash ku të vetmit personazhe me eksperiencë në qeveri janë Aldo Bumçi dhe Flamur Noka!

Kjo tkurrje e kapaciteteve intelektuale dhe politike të PD, që natyrshëm përkthehet pastaj në një tkurrje në vota, në fakt, është një lajm shumë i keq edhe për ata si unë që nuk kanë qenë kurrë me PD e s’kanë pasur kurrë simpati për PD. Sepse ky është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri, të cilës i kanoset seriozisht rreziku që të mbetet pa opozitë fare.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ANRI BALA/ “Arkimed”, a rrëzohet Rama me një levë?!
Previous article Nuk është sharlatan Panuçi, por varrmihës Armando Duka

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k