• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
MUSTAFA NANO/ Shoqëria shqiptare është burrërore, shikoni Foltoret e Berishës!
Home
Blog

MUSTAFA NANO/ Shoqëria shqiptare është burrërore, shikoni Foltoret e Berishës!

October 28th, 2021 F.autor Blog 0 comments

Gjatë dy javëve të fundit, për pesë net, unë kam vendosur në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” një stand-up comedy me titullin “Dielli lind andej nga perëndon”. Ashtu siç sugjeron edhe titulli, unë jam përpjekur të nxjerr në pah, të qortoj e të kritikoj disa tipare të shoqërisë shqiptare; tipare që e largojnë dhe e ftohin shoqërinë tonë me botën perëndimore, të cilën ne dëshirojmë ta përqafojmë (të paktën në planin deklarativ). Besoj se e mbani mend mantrën që ka dominuar në vitet ’90: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”.

Mirëpo në harkun e tre dekadave të fundit, shoqëria shqiptare është bërë më patriarkale sesa ka qenë. Duket paradoksale, por është e vërtetë. Dhe nuk ka ditë që të mos ndodhi diçka për të cilën ne informohemi nëpërmjet medias tradicionale, por edhe rrjeteve sociale. Këto janë zhvillime që na e sjellin shoqërinë shqiptare me tiparin patriarkal.

Në Top-Channel ka filluar një reality show, nën titullin “Big Brother VIP”. Në këtë program, njëra nga konkurrentet është një gazetare që ka punuar për emisionin “Fiks fare”. Ajo quhet Paloma. Në një moment të caktuar, teksa kjo e fundit, gjatë lojës, po bisedonte me dikë, ajo i konfidon konkurrentes tjetër se jeta e saj ka qenë nën efektin e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti. Sipas saj, dhuna nuk ishte episodike, por një dhunë që ka përbërë refrenin e jetës së saj. Madje, Paloma tregon në mënyrë të detajuar skena që e bëjnë me të vërtetë tragjike atë që ajo ka pësuar.

Ajo rrëfen se bashkëshorti i saj vinte i dehur në shtëpi, e në momente të caktuara e tërhiqte zvarrë, e përplaste në dysheme, dhe ajo kishte frikë se koka do t’i ndahej në copa. Ky është rrëfimi i Palomës. Top-Channel e shfrytëzoi këtë rast dhe ftoi në të njëjtin program bashkëshortin e saj dhe krijoi mundësinë që ky i fundit të takohej me Palomën. Ata biseduan, dhe në bisedë e sipër burri i kërkon që të mos e ekzagjerojë situatën. Sipas tij këto janë gjëra që ndodhin.

Është për të ardhur keq që produksioni i këtij programi nuk u ndal në këtë moment, në mënyrë që ta denonconte fort, qartë dhe pa asnjë ekuivok, natyrën e dhunshme të burrit të Palomës. Ishte një gjë që duhej bërë patjetër. Publiku e priste këtë gjë. Megjithatë, me përjashtim të moderatores, që pati një reagim të zbehtë, askush nuk u ndal për ta denoncuar ashtu siç e kishte hak të denoncohej natyra e dhunshme e dikujt, brenda një programi që ka një audiencë maksimale. Kjo tregon edhe një herë se sa patriarkale është shoqëria jonë.

Por ka edhe një situatë tjetër. Ditën e martë, Sali Berisha, një nga njerëzit më patriarkal të shoqërisë shqiptare – ndoshta më patriarkali, pasi ai është përfaqësuesi më besnik i patriarkalizmit në Shqipëri (të paktën në opinionin tim) – ishte në Kavajë. Mesa duket ishte në vendin e duhur. Nëse shikoni fotografitë e bëra gjatë atij tubimi, në sallën ku gjendej Berisha është pothuajse e pamundur të shquash ndonjë imazh gruaje. Në total mund të bëhen vetëm dy silueta grash.

Në masën 99%, pjesëmarrja është vetëm burra. Dhe kjo nuk është hera e parë. Kudo ku shkon Berisha e presin vetëm burra, të cilët i thonë: “japim jetën për ty”, “vdesim për ty” etj., etj. Dhe kjo është një shpalosje spektakolare e patriarkalizmit në Shqipëri. Berisha nuk ka pasur kujdesin ta evitojë këtë gjë. Nëse nuk quajmë kujdes faktin se pas shpinës së tij janë katër vajza.

Mesa duket është i persekutuar nga ideja se e presin vetëm burra, megjithatë ai nuk bën asgjë për ta ndryshuar këtë fakt. Ai thjesht mban pas vetes katër-pesë vajza vetëm për efekt televiziv. Ngado që ta kapësh këtë ngjarje, ajo mbetet një shpalosje spektakolare e natyrës patriarkale të shoqërisë shqiptare.

Gjej rastin që anë të këtij monologu ta denoncoj fuqimisht këtë fenomen.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Teoria më e fundit e "Trekëndëshit të Djallit", sipas Bashës dhe misteri i Bermudës
Previous article NAMIR LAPARDHAJA/ Shërbimi i fundit që Berisha po i bën Lulzim Bashës

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k