Kombi shqiptar në shekuj është paraqitur para historisë si një komb i lartë me cilësi të rralla, në veçanti atë të humanizmit njerëzor dhe të bashkëjetesës vëllazërore të tri feve. Humanizmi është një virtyt themelor i njerëzimit, por ai mori përmasa gjigande, në veçanti kur lindën fetë, ajo katolike, myslimane dhe ortodokse. Institucionet e këtyre feve u bënë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut. Ata jo vetëm që shërbyen për jetën e gjallë në rende të ndryshme, por ndërtuan një filozofi të re për jetën e përtejshme, për shpirtrat e tyre dhe për shpërblimet në atë botë.
Kështu, kishat dhe xhamitë që mbuluan kontinentet u bënë institucionet më të rëndësishme për edukimin e përgjithshëm njerëzor, për edukimin fetar si dhe për edukimin kulturor të këtij populli. Kur shikon këto institucione me një pamje madhështore, me një arkitekturë të jashtëzakonshme, kupton se sa forcë edukuese kanë dhe me të cilën veprojnë këto fe. Vlerat historike të këtyre institucioneve u rivlerësuan në periudha të ndryshme historike, veçanërisht në fillimin e shek.VI kur në skenën historike doli “Islami”, i cili në një periudhë shumë të shkurtër u përhap dhe mesazhi islam u bë bashkëjetuese historike me fenë katolike e cila pati konsolidim të plotë. Njerëzit e mëdhenj filluan ti drejtohen gjithnjë figurave themelore të krijimit të feve. Kështu, Jezu Krishti dhe Hazreti Muhammedi filluan të gjejnë shprehje konkrete në humanizmin e madh për njerëzit e varfër, robërit, për njerëzit me fatkeqësi ë mëdha natyrore, për jetimët dhe për moshat e treta.
Lindën institucione bamirëse, të cilët edhe sot kanë peshë të madhe në ndihmë karshi popullit dhe vendeve të varfëra. Kryqi i Kuq, Gjysmë Hëna e Kuqe e të tjera e të tjera u gjendën pranë njerëzve në nevojë. Sot në botë shihen kisha dhe xhami me një madhështi të jashtëzakonshme, të cilët janë jo vetëm krenari për edukimin por edhe për arkitekturën e madhe të tyre. kaluan shumë shekuj dhe këto objekte ruhen me fanatizëm në shumë vende të botës, psh: unë kam parë me sytë e mi disa kisha të mëdha në Afrikën e Veriut, ku nga madhështia e tyre, megjithëse ishin në tokë arabe ruanin me fanatizëm vlerat e tyre, psh: në qytetin Apollonia (Sabrata) çdo gjë ruhej me fanatizëm të madh. Feja islame iu përgjigj kësaj madhështie me ndërtimin e disa xhamive gjigande dhe arkitekti i madh shqiptar me famë botërore, në mesin e shek XVI kurorëzoi ndërtimin e xhamive madhështore nga arkitekt Mamir Sinani nga Elbasani.
Sot shikimi im drejtohet te katedralet e mëdha në Paris, Romë, Madrid etj, ku bota i vlerëson dhe miliona njerëz drejtohen për t’i parë këto objekte. Por analoge me këto janë edhe xhamitë madhështore në Mekë, Medinë, Marok, Algjer etj. Në Shqipëri pati një rrezatim të bukur në ngritjen e këtyre institucioneve, shqiptari jo vetëm që diti të ndërtojë, por i bëri dhe një zgjidhje të plotë, të harmonisë fetare duke u ndërtuar kishat dhe xhamitë në zemër të qytetit dhe shumë pranë njëra tjetrës. Nuk ka qytet në botë që tre besimet të kenë institucionet e tyre në një largësi të barabartë prej 100 m nga njëra tjetra, duke formuar tre kulme të një trekëndëshi trebrinjshëm siç e ka Shkodra e disa qytete të tjera të Shqipërisë.
Kombi im shqiptar, i njohur historikisht nga populli europian për ndërtimin e kalave historike, duke u prezantuar si një mbrojtës i fortë i trojeve të veta. Është vështirë të gjesh një vend ku janë ndërtuar kaq shumë kala, të cilat nga cilësia dhe arkitektura e jashtme prezantohen me një krenari për kombin shqiptar. Shembull tipik është Kalaja e Rozafës. Kalatë u ndërtuan për të mbrojtur trojet, por pushtuesit e perandorive të ndryshme kishin një grafik të rrallë për pushtimin e trojeve shqiptare, Roma e Vjetër, Greqia e Vjetër, Bizanti, Perandoritë Sllave dhe së fundmi ajo turke janë dyndur disa herë kundër trojeve tona. Pushtimi i tyre ka qenë i gjatë dhe i vazhdueshëm por edhe me pasoja të rënda historike për vendin tim. Por ai në këto flake të rënda pushtimi diti të orientohet dhe të krijojnë një vëllazërim tëri mes shqiptarëve dhe feve të ndryshme. Ja një shembull historik, në një fshat të thellë të Kelmendit të quajtur Nikç me 35 shtëpi ka në përbërje të tij dy fise me fe të ndryshme, myslimanë dhe katolikë. Unë kam parë me sytë e mi në vitin 1970 varrezat e fshatit, ku kushërinjtë ishin të ndarë në dy anët e varrezave, njëra palë myslimane dhe tjetra katolike, e kjo ndarje e parcelës bëhej nga dy breza pemësh në mes tyre që i jepte një pamje shumë tërheqëse. Ato si fise jetuan pra në këtë fshat dhe në shekuj qëndruan përsëri vëllezër, pavarësisht se u desh të konvertohej njëra palë ose pala tjetër. Prandaj ndodh që mëson që tek ky fshat ose tek një tjetër në Shqipëri ka emra të cilët janë tipikë për fenë kristiane dhe tipikë për fenë myslimane por që në mbiemër janë të njëjtë siç është rasti p.sh. i Zef Ded Aliaj dhe i palës tjetër Brahim Kasem Aliaj. Shembuj të kësaj natyre mund t’i gjejmë në shumë zona të veriut ku flet për harmoninë e plotë të dy feve të një fisi.
Kjo u bë simbolikë edhe për krahina të tjera. Mbi të gjitha ajo forcoi fisin në këto krahina. Forcimi i fisit ka kaluar etapa historike ndër shekuj, por edhe pushtuesit nuk arritën që të ndajnë këto vëllezër të një gjaku me besime të ndryshme fetare. Kjo flet qartë për një tolerancë të jashtëzakonshme të shqiptarit. Shqiptari i njohur në veçanti për jetën blegtorale por që shkëmbej eksperiencë shumë të madhe edhe me traditat sllave në bujqësi, prandaj ato gjatë shekujve patën shkëmbim përvoje me sllavët e jugut në veçanti në sektorin e bujqësisë. Në periudhën e Perandorisë Turke, ajo që spikati më shumë, ishte fakti që shqiptarët e tri feve u bashkuan në një ideal të madh, me thirrjen e madhe që feja e shqiptarit është shqiptaria. Dhe njeriu që pa nga afër skenat e rënda të betejave të shqiptarëve në fushat dhe në shkretëtirat e thella të Sirisë, të Shamit, të Egjyptit, etj, ishte Guvernatori i famshëm Pashko Vasë Shkodrani. Tri vitet e tij në administratë ushtarake në Alepo dhe dhjetë vitet si guvernator në Berut, janë periudha kur thirrja e tij e madhe është kushtrim për të gjithë shqiptarët në veprën e tij të pavdekshme “Moj Shqipëri, e mjera Shqipëri”. Dhe ashtu siç bëri thirrjen luftarake “Çohu shqiptarë prej gjumit, çohu”. Të gjithë rilindasit e mëdhenj u bashkuan në një front të fuqishëm dhe ndërtuan Doktrinën e Rilindjes së Madhe për Liri dhe Pavarësi. Këtu duhet pranuar se vetë rilindasit u bënë bashkë dhe nuk njohën fare se ishin të besimeve të ndryshme. Vërtetë Pashko Vasa ishte katolik, Anton Zako Çajupi ishte ortodoks, Sami Frashëri ishte mysliman, por ata u gjendën të gjithë së bashku, duke krijuar frontin e madh për zgjimin e atdhedashurisë dhe të rilindjes kombëtare. Nuk do e harroj se shembuj të kësaj natyre i kemi pasur dhe i kemi edhe në Shkodër. Kështu i madhi Luigj Gurakuqi, një nga shokët më të mëdhenj të idealit ka pasur Bajram Currin ose siç është rasti i Fan Nolit me shokët e tij të tjerë të feve të ndryshme. Periudha ku drejtoi perandorinë e faraonëve nga viti 1805 dhe deri në vitin 1952, pra për 150 vjet, nga dinastia shqiptare e Muhamet Ibrahim Alisë, ka një evoluim të fuqishëm të tolerancës të këtyre udhëheqësve e në veçanti të djalit të tij, Ibrahim Alisë, për emancipimin dhe favoret e katolikëve në shkretëtirat e Sirisë. Ai shquhet sot nga njerëzit e mëdhenj të botës në harmonizimin e jetës së besimeve të ndryshme, në trojet e Shamit. Fakte historike të humanizmit do të gjejmë kudo në shekuj dhe kjo është një e vërtetë që historia e ka shkruar me shkronja të arta, që shqiptari ka pasur si bashkudhëtar humanizmin dhe tolerancën fetare. Ajo që i hapi një faqe të re është figura e Nënë Terezës e cila hapi një epokë të re për humanizmin e ri shqiptar dhe që sot respektohet nga e gjithë bota, po ashtu strehimi i hebrenjve është një moment historik i një akti të madh human. Humanizmi i shqiptarëve është treguar jo vetëm në lindje apo në perëndim ku drejtuan shqiptarët e mëdhenj, qoftë në kancelaritë e mëdha të Romës apo të Perandorive të tjera, por ajo është parë edhe gjatë dekadave në mes të shqiptarëve në trojet e tyre.
Fakt historik është se vizitat e Papëve të Romës në Shqipëri, duke filluar nga viti 1993, dhe në veçanti në qytetin e Shkodrës, ka bërë që harmonia fetare të gjejë mishërim të plotë në formë më të bukur, në qytetin e Shkodrës, ku tre institucione fetare të ndërtuar në shekuj janë mu në zemër të qytetit dhe të baraslarguara nga njëra tjetra, jo më shumë se 100 metra në linjë ajrore. Kjo trashëgimi e mbjellë dhe e rritur me aq urtësi nga rilindësit tanë u ngrit në një lartësi të re dhe u bë pjesë e jetës së kombit duke marrë ngjyra edhe më të bukura në periudhën e pavarësisë. Shembuj të periudhës së pavarësisë janë aq kuptimplotë saqë sot shqiptari krenohet me atë harmoni që gatuan dhe e shpërndanë rilindasit e mëdhenj. Unë shpesh e kam trajtuar problemin e tolerancës fetare, por jeta solli që unë të jem prezent në përmbysje të mëdha post-komuniste, në fillimet e vitit 1992. Kështu rreth vitit 1993, në një takim miqësor, më jepet mundësia të jem prezent në Sofrën e Bajramit me patriotët Sabri Koçi (asokohe kryemyfti), prifti patriot Rrok Mirdita dhe Baba Reshat Bardhi. Në atë takim ajo që më është ngulitur përveç harmonisë në bisedë që kishin për fetë që ato drejtonin, por shprehën edhe një vlerësim të lartë duke thënë që shqiptarët nuk kanë nevojë për të importuar drejtues të feve të ndryshme sepse ky komb dhe ky truall ka nxjerrë gjithnjë njerëz të mëdhenj që i kanë dhënë shembuj të mirë edhe lindjes, edhe perëndimit. Kjo thënie e tyre për mua është një postulat dhe këtë e konkretizova në bisedën time me kardinal Koliqin.
Kështu në nëntor të vitit 1994 kur unë bëra një takim miqësor, rreth 2 orësh, me kardinal Koliqin, për t’ia uruar detyrën e re në emër të Dekanatit të Diplomatëve të Vendeve Arabe në Shqipëri. Pasi i urova detyrën e re të Kardinalit të Parë shqiptar të emëruar nga Papa, filluam një bisedë shumë të ngrohtë, në prezencë edhe të vëllait të tij, Guljem Koliqi, që kishte ardhur nga Amerika për t’ia uruar vëllait detyrën e re. Ai m’u shpreh në mes të tjerave që shqiptarin në shekuj e kanë rënduar tre male të mëdha. Dhe duke vazhduar ai u shpreh se pushtimet e Perandorive të Lindjes dhe të Perëndimit në shekuj, është njëri mal dhe se mali i dytë është varfëria e tejskajshme që e ka shoqëruar jetën e shqiptarit dhe si shkaktarë këtu rendiste edhe pushtuesit. Dhe mali i tretë ishte smirzia dhe egoizmi që shprehet shpesh në mes të shqiptarëve. Ai më këshilloi që në këtë detyrë të bukur që ke, duke qenë edhe djalë shkodran, të kontribuoja edhe më shumë për të forcuar harmoninë në mes njerëzve me besime fetare të ndryshme. Kjo këshillë e tij bëri që këtu e 26 vite më parë ne filluam që në shoqatën tonë të kenë gjithnjë anëtarë, jo vetëm mysliman, por edhe katolik dhe ortodoks. Dhe kjo është arsyeja e madhe që me këtë anëtarësim, kjo shoqatë ka festuar 26 vjetorin e krijimit të saj. Pra vetë shoqata e miqësisë Shqipëri – Vendet Arabe, ka qenë prodhuese konkrete e harmonisë fetare me strukturën e anëtarësimit të saj dhe me veprimtaritë praktike të saj. Shkodra sot është simbolika e gjithë kombit shqiptar për harmoni fetare. Do ishte me vlerë që gjithë konsideratat që kanë pasur dhe kanë figurat e mëdha të Papatëve, të Kardinalëve dhe të udhëheqësve të Konferencës Islamike, që t’i bëhej një propozim UNESCO-s për ta shpallur këtë qytet, qytet model i bashkëjetesës fetare të besimeve të ndryshme. Kjo do ishte edhe një nxitje edhe për situata të reja të kësaj periudhe kritike që po kalon Mesdheu dhe gjithë bota. Duke dashur të shpreh konsideratën për vlerat e klerikëve shqiptarë, jam i bindur se kontributi i tyre ka qenë i vazhdueshëm dhe me vlera të mëdha për kombin tim. Por unë dëshiroj që këto udhëheqës të besimeve fetare të qëndrojnë edhe më afër problemeve të mëdha sociale që ka sot kombi shqiptar, në veçanti në Shqipëri dhe në Kosovë. Ky shkrim shpreh në mënyrë simbolike një dëshirë për të nxjerrë në pah vlerat humaniste dhe tolerancën fetare të kombit tim kur sot në botë është më prezente se kurrë kriza e madhe e 8.000 refugjatëve dhe e miliona të tjerëve në gjendje të mjeruar.
Leave a Reply