• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

July 19th, 2026
  • HOME
LUTFI DERVISHI/ Një letër për grupin e gatshëm të replikuesve
Home
Blog

LUTFI DERVISHI/ Një letër për grupin e gatshëm të replikuesve

May 10th, 2025 F.autor Blog 0 comments

I dashur komentues.

Po të shkruaj në njëjës sepse edhe pse jeni shumë, një mendje keni.

Qofsh ti trim i profileve pa foto, qofsh profil i sapo hapur, qofsh komentues me foto duke ngrënë në restorant…, po e shkruaj këtë letër në emër të atyre që kanë humbur shpresën për një diskutim/debat normal në Facebook.

Mos harro se ti, me çdo koment, çdo “like” dhe çdo “share” po shkruan një kapitull të ri të heroizmit virtual, ku e ku më të lavdishëm se heroizmi i popullit tonë në shekuj.

Mos harro se je ti që, me guximin e një Skënderbeu digjital, po mbron atdheun nga kërcënimi i madh i mendimit ndryshe, nga humori, satira dhe ironia.

Je ti që me fjalë banale apo me “bravo” dhe shqipe mezi të lexueshme, po shpartallon armiqtë e partisë.

Je ti që, si partizanët e dikurshëm, e ke të qarte se beteja e vërtetë nuk është në male apo në rrugë, në punë apo në pushime, por në seksionet e komenteve, aty ku gjallon jeta dhe lulëzojnë veprat 3D.

Dua të jem i sinqertë, me ty i dashur komentues.

Ti nuk shkruan për ide. Kjo të bën me dhimbje koke. Idetë janë të rrezikshme. Ti nuk shkruan as për ngjarje, se kjo kërkon të lexosh lajmet, të përpiqesh të kuptosh dhe kush ka nge për këtë kur mund të kalosh kohën duke përgjuar postimet “armiqësore.

Ti shkruan për njerëzit, për ata që nuk mendohen dy herë para se të shkruajnë, për ata që guxojnë të mos jenë dakord me ty, apo ca më keq me partinë tende apo, larg qoftë, me liderin tënd të dashur.

Dhe ndërsa shkruan pa frikë e pa filtër, mos harro se ti mund të jesh nga ata që ke vite që nuk jeton në Shqipëri, por ndihesh i obliguar të ruash nderin e partisë nga 1000 kilometra larg, me një filxhan kafe në dorë dhe Wi-Fi të lodhur.

Ti ke mbërritur në atë pikë sa beson që Skënderbeu nën udhëheqjen e partisë dhe mësimeve të ndritura të LIDERIT, i mposhti turqit. Amen!

Por ti mund të jesh nga ata që për një vend pune të kanë zënë halli të bësh like, komente “bravo” e share. Të mirëkuptoj.

Por ti mund të jesh edhe nga ata që shqetësohen më shumë për fytyrën e liderit sesa për xhepin tend.

Ti mund të jesh nga ata që ankohen për korrupsionin, por e fal kur e bën partia jote. Ti mendon se partia bëhet më e fortë nga komentet e tua luftarake, por ti hesht si fija e barit kur një e vërtetë përvëluese djeg ata të krahut tënd politik

Por nëse ti je nga ata do vërtet të ndryshosh gjendjen për mirë atëherë nise duke diskutuar për ide, jo për njerëz. Bëhu i guximshëm në kërkimin e fakteve, jo vetëm trim me llogje. Dhe mbi të gjitha, mos harro: patrioti i vërtetë nuk është ai që i bën “like” komenteve negative, por ai që guxon të shohë të vërtetën, edhe kur ajo nuk ka shumë ‘like’.

Patriot i vërtetë është ai që e do gjuhën shqipe, shkruan bukur shqip, mendon pastër shqip dhe vepron si atdhetar duke thënë: kjo nuk shkon. Mjaft më!

Patriot i vërtetë mund të jesh edhe ti nëse i trembesh ditës kur të gjithë mendojnë njesoj dhe asgjë nuk ndryshon…

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article EDUARD ZALOSHNJA/ Vlerësim paraprak: Votuan 1.7 milionë shtetas, nga 3.71 milionë gjithsej në listat zgjedhore
Previous article BAJRAM PEÇI/ 5 Maji dhe 29 Nëntori ka ndarë e do ndajë ende për shumë kohë fituesin e çdo palë zgjedhjesh

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Blog Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

May 22nd, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k