Takimi në Kretë i shefave të diplomacisë së dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, shihet, sidomos në kushtet e tanishme, mjaft i nevojshëm për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe. Bisedimet, përballë memecllëkut apo më keq, presioneve, megalomanisë, nuk kanë asgjë të keqe; ato vetëm ndihmojnë në kapërcimin e situatave, për të zgjidhur me më shumë vullnet ato çështje që sëmurin, si në rastin konkret, këto marrëdhënie. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për bisedime.
Flasim për dialog të hapur, pa paragjykime, për t’u dhënë jetë marrëveshjeve reale, vizitave në të gjitha nivelet e për të mos mbetur në një dosje marrëdhëniesh, mbushur vetëm me ato çka janë bërë më parë. Edhe ato nuk mund të nënvleftësohen dhe t’u anashkalohet problemeve reale, duke i parë me cep të syrit, por drejtpërdrejt, pa drojë nga njëri-tjetri. Kur flasim për drojë, kërkohet nga pala jonë të mos mbahen larg as njerëzit tanë, ngaqë vetë “i dinë të gjitha”.
Këta mund të jenë në radhë të parë diplomatë që kanë punuar me pasion dhe dashuri, pa paragjykime, për përparimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, akademikë, historianë, specialistë me përvojë të çmuar të fushave të ndryshme, për zgjidhje të matura dhe efektive të problemeve të mbartura, të atyre që ekzistojnë dhe që kërkojnë t’u zënë frymën këtyre marrëdhënieve, në interes të të dyja palëve. Nuk ka ndonjë filozofi të veçantë të konkludosh aktualisht, që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë po përjetojnë një rrugë të vështirë, duke qenë madje, në nivelin më të ulët, në ditët më të këqija të tyre.
Sigurisht, takimi i sotëm në Kretë nuk do të jetë çelësi magjik që do të zgjidhë gjithçka, sepse, sikurse thamë, takime të tilla nuk kanë munguar dhe më parë. Por, në këto momente, mendoj se merr me të drejtë rëndësi të veçantë. Bisedohet sërish për problematikat e njohura dhe me vullnet më të mirë nuk u hapet udhë anatemimeve të njohura, që vinë nga njëra apo tjetra palë. E themi këtë, sepse kohët e fundit nga pala greke, nëpërmjet Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, ka pasur një inflacion deklaratash, madje dhe nga autoritetet më të larta të vendit, në dobi të qarqeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Ato vetëm i zbehnin këto marrëdhënie dhe nuk mund t’i shërbenin një klime tjetër të shumëdëshiruar. Duket se, dhe nga pala shqiptare, për shkak edhe të këtyre qëndrimeve, ka pasur stepje, në vend të përpjekjeve serioze për progres real të një bashkëpunimi të frytshëm. Ose, për të dalë pyka me pykë, nuk ka munguar edhe ndonjë deklaratë, më tepër provokuese, si shprehje më shumë e një patriotizmi arkaik e për t’u kënaqur me faktin që “ia mblodhi fqinjit”, se “grekut i duhet treguar vendi”.
Situata me ngarkesa të tilla ç’mund të sjellin? Vetëm nervozizëm. Ky patriotizëm i rremë e ngarkon mjedisin tonë, i cili, siç dihet, është më i zhveshur realisht, në krahasim me palën tjetër nga nacionalizmat. Dy vjet më parë, para vizitës së tij në Tiranë, në kuadër të turit në vende të Ballkanit Perëndimor, edhe kryediplomati grek, Nikos Kotzias, pranoi në një fjalim, të mbajtur në Universitetin e Oksfordit, se Greqia dhe Shqipëria kanë shumë probleme që kanë mbetur nga e kaluara, duke fajësuar për disa prej tyre udhëheqësit e dy vendeve.
Tani, çështja është, sa Kotzias dhe homologu i tij shqiptar do të vinë me vullnet më të mirë në Kretë, larg retorikave, me mesazhe të qarta, pa prapavija, për të shkrirë akujt real, që këto të mos kthehen në masive. Traktati i ri i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit nuk mund të rrijë pa përfshirë heqjen e gangrenës së marrëdhënieve dypalëshe, Ligjit të Luftës me Shqipërinë, Çeshtjen e njohur Çame, Marrëveshjen e Detit dhe problematika të tjera. Por këto nuk bëhen pa një besim më të madh te njeri tjetri, te kompromiset që do të gjenden. Mungesa e besimit, e pranishme te të dy palët, vetëm e zgjat zgjidhjen e problemeve të mësipërme.
Vlerësimi i Greqisë, si partneri ynë i rëndësishëm strategjik, me korsi të përbashkët të integrimit europian, nuk mund të mos vlerësohet nga ajo vetë. Nga ana tjetër, nuk mund të zërë pluhur historia e përbashkët, faqet e së cilës ruajnë mijëra shembuj të përpjekjeve të përbashkëta përballë të njëjtëve kundërshtarë, për marrëdhëniet njerëzore, duke hapur dyert dhe zemrat në pikun e nevojave për njëri-tjetrin. Apo, siç thoshte në fund të dy dekadave të fillimshekullit të kaluar, gjenerali i njohur grek, Pangallos, kryeministër dhe president, se “me shqiptarët na bashkojnë lidhje origjine, gjaku, luftërash të përbashkëta…”.
Kthimi i vështrimit ndaj tyre do t’u kthejë të dyja palëve besimin, jo me fjalë, por me vepra. Atëherë, kjo nuk do të jetë më utopi. Minoriteti grek, me të cilin kemi ndarë gjithashtu së bashku të mira dhe të këqija dhe që gëzon të gjitha të drejtat që u takon, e nëse duhet bërë më tej për të, legjislacioni ynë nuk ka pse të stepet, mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi, u japin më shumë frymëmarrje marrëdhënieve tona. Dhe të gjitha këto nuk janë të pakta për të besuar se nuk është e lehtë të helmatisen marrëdhëniet midis dy vendeve fqinjë, me ura të lashta të përbashkëta, pavarësisht ku janë dhe nga vinë qarqet e ndryshme ekstremiste, boriet e ngjirura të tyre.
Leave a Reply