“Është ekonomia, budalla” është togfjalëshi i thurur nga James Carville, strategu i fushatës elektorale të Bill Cinton të vitit 1992. Fraza gjeti një sukses të madh në kontekstin ekonomik në të cilin ndodhej Amerika. Përsëritja e përditëshme, e palodhshme, gati pedante e një slogani, bëri që një temë jetike të mbetej në qendër të debatit, dhe dihet që nëse arrin t’i diktosh kundërshtarit agjendën, por edhe retorikën, je fitues.
Skandali që erdhi nga Italia hapi kutinë e Pandorës nga ku dolën të këqijat për të cilat qeveria e shkuar dhe aktuale ishte akuzuar nga opozita, dhe si pasojë krijoi një efekt domino mbi të gjitha akuzat e ngritura në këto vite, të cilat njëra pas tjetrës zunë nën të mazhorancën.
Por, për shumëkënd, kjo nuk ishte një risi apo një vetëtimë në qiell të hapur. “Është krimi, o budalla”, ka qenë refreni i liderit të PD-së, Basha për katër vite me radhë; produkt i parë i betejës së tij për moralizmin e politikës ishte ligji për dekriminalizimin, një imponim i “dhunëshëm” që opozita bëri ndaj një mazhorance të gjerë në numra dhe të pasur në krim.
“Është krimi, o budalla”, vijon te thotë ende Basha, ndonëse ka tentativa për ta “shitur” këtë qëndrim te qytetarët si një “gjueti shtrigash”. Por, duket qartë se këtë radhë murmurimat kaotike nuk do triumfojnë mbi faktet dhe sasinë e zullumeve të prodhuar në vetëm katër vite.
Nëse duam të zgjidhim një problem, së pari duhet të pranojmë që kemi një problem. Kryeministri nuk e pranon, por problemi jonë si shoqëri është krimi dhe ndërvarësia e tij me politikën; pikërisht krimi që mbajti në këmbë këtë radhë Edi Ramën dhe qeverinë më të akuzuar për trafik droge dhe korrupsion në historinë e tranzicionit shqiptar. Është qeveria ku janë konstatuar më shumë fije me botën e krimit se të gjitha qeveritë e mëparshme të marra së bashku. Është qeveria që ka prodhuar më shumë skandale korrupsioni në gjithë historinë e pluralizmit. Nëse dikush, i majtë apo i djathë, nuk pranon këtë premisë, atëherë ose është i keqinformuar ose është bashkëfajtor për këtë stinë mizore të demokracisë tonë.
Ndoshta mazhoranca do të mbijetojë deri në fund të këtij mandati; sasia e kartonave i’a lejon, dhe sigurisht makutëria për pushtet do të triumfojë mbi dinjitetin e atyre që ndodhen sot në sallën e Parlamentit me ndihmën e kushërinjve të Saimirit; por kurrsesi, ato të këqija që dolën nga kutia e Pandorës, nuk do të kthehen më në të.
“Mëkati origjinal”, kriminalizmi i politikës, që është guri i themelit të kësaj mazhorance duhet ekspozuar në çdo hapësirë të jetës politike dhe publike, përpara se të legjitimohet nga makineria e konsensusit që kjo shumicë di të vozitë aq mirë.
Mazhoranca, e fuqishme dhe zëshme, siç është në këtë situatë, në mungesë të ideve dhe alternativave reale për të dalë nga moçali në të cilin hyri me këmbët e veta, tenton që ta fusë debatin e ditës në hullitë e retorikës dhe përplasjeve me mediat, në labirintin e errët të propagandës.
Shpresëplotë se qytetarët do ta kenë më të lehtë të fajësojnë mediat për pabesueshmëri sesa t’i kërkojnë llogari kryeministrit për lumin e akuzave që derdhet mbi të çdo ditë.
Dje radhën për t’u fajësuar e kishte Top Channel, nesër me shumë gjasa do ta ketë një tjetër; por problemi nuk janë mediat.
Eshtë krimi, o budalla!
Leave a Reply