Kristo MËRTIRI
Dy punonjës me uniformën e Policisë Bashkiake të Tiranës (shpesh është vështirë t’i dallosh qartë tërë këto policira), hynë serbes-serbes në një kafene të zakonshme rrotull ish “7 xhuxhave” të famshëm për fëmijët e prindërit e tyre te rruga e Elbasanit. Dy policët bashkiakë iu afruan banakut të rëndomtë të kafenesë, futën duart në xhepa, nxorrën me qetësi olimpike bllokun e gatshëm të gjobave dhe kërkuan një stilolaps nga lokali. Mirëpo, sapo nisën të shkruanin fjalët e para, befas disa borie automjetesh shpërthyen sikur do canin kupën e qiellit me retë e grisura. Të mos u hamë hakun : Asnjërit nuk i lëvizi qerpiku ! Me përjashtim të 4 vogëlushëve që u tromaksën pak sekonda dhe nisën të mblidhen kruspull te prehëri I prindërve që po mbaronin rrufisjen e filxhanëve të kafesë ekspres…
Zallamahia irrituese e borive ulëritëse, herë ulej e herë ngrihej. Dikush shtrëngonte nofullat e shante rëndshëm nëpër dhëmbë shoferët “trima” që matanë kufirit rrinë gatitu e si pula të lagura; shtetin; policinë; menefregizmin e padurueshëm e vrasës të heshtur. Asnjë sokëllimë a protestë e dukshme. Policët po mbaronin të kënaqur misionin e gjobitjes së pronarit të lokalit, sikur s’ndodhte e s’pipëtinte asgjë ! Kur futën bllokun ndëshkues në xhep dhe po dilnin, një pensionist (ish inxhinier në Kombinatin e Tekstileve ku fillimi zulmëmadh i Tranzicionit cmendurak flaku në rrugë të madhe mbi 10 mijë punonjës, shumica gra e vajza të reja), u ngrit me kujdes nga tavolina dhe përshëndeti krejt natyrshëm policët bashkiakë. Madje, me shumë mirësjellje i ftoi edhe për kafe e cigare, por nuk u qasën…
-Më falni, jam banor i vjetër i Tiranës, një taksapagues i rregullt. A mundem t’iu pyes për dy gjëra të vogla, meqenëse jeni nga Bashkia e Madhe, se ajo e vogla njësi në lagje as flet e as dëgjon ? E para, për boriet e përditëshme shurdhuese të makinave te semafori, sic e dëgjuat edhe vetë ju, kush do na bëjë derman, se po na luan tepeleku i kokës ?…
-Ke të drejtë, por duhet të shkoni e të ankoheni te zyrat e Policisë së Qarkullimit Rrugor,-dhanë xhevapin shkurt e prerë.
-E dyta dhe e fundit, mos harroni që rrogat i merrni nga taksat tona. As 5 metra larg murit të pallatit ku banojmë, ka vite që rri djerrë e ferrë trualli i një shtëpie të vjetër private. Është mbushur e po mbushet me lloj-lloj mbeturinash e deri gjarpërinj me një e dy koka. Në periudhën e beharit unë iki në fshat, por njerëzit lemerisen duke karfosur mirë penxheret dhe mbajnë hundët me dorë. Kam marrë në telefon edhe te zyrat tuaja, por meazallah se lëviz ndokush…
-Aaa, të lutem zotni, duhet të dërgoni letër-ankesë me postë a të vini te sportelet personalisht dhe ta dorëzoni dorazi zyrtarisht. Takohuni me inspektorë të Mjedisit…(Kur sapo kishin gjobitur pronarin e kafenesë, sepse nuk kish përtërirë në 31 dhjetor lejen e mjedisit për këtë vit (?!).
Ai inxhinieri i ish Kombinatit Tekstil ishte burrë i lexuar dhe nuk përtoi të gjente edhe Ligjin përkatës. Dhe citoi pakëz nga Ligji përkatës: “Konstatimi, parandalimi dhe ndëshkimi i kundravajtësit administrativ për ndotjen e mjedisit, hedhjen e mbeturinave të ndryshme” ose “Konstatimi dhe ndëshkimi i kundravajtjeve administrative në fushën e Qarkullimit Rrugor”. Dhe së fundi, “Sigurimi i qetësisë publike…duke shmangur zhurmat nga rënia pa vend e borive të automjeteve në rrugë e mjedise të tjera publike”. E dini sa janë sot në kurrizin tonë ? Nga 30 inspektorë e policë, vetëm në Tiranë janë rreth 400 vetë !
Mirëpo, në zjarrin e debatit të ciltër e pa filtër, një elbasanlli i thekur në humor e qesëndi, i ra shkurt:” Dëgjoni mua, se po më ikën furgoni. Një herë një gjeneral ishte nxehur me një rreshter dhe i bërtiti:- Kush ka qenë ai gomar që të ka dhënë gradën ty ?
-Zotëria juaj, zoti gjeneral,-iu përgjigj rreshteri.
Leave a Reply