• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
KOZETA KURTI/ Për ata që i përdorin gjenitalet veç për të shkuar në banjë kur i mbërriti në celular ajo videoja intime e asaj vajzës
Home
Blog

KOZETA KURTI/ Për ata që i përdorin gjenitalet veç për të shkuar në banjë kur i mbërriti në celular ajo videoja intime e asaj vajzës

April 18th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Si jeni? Mirë? Si po ju shkon karantina? Ju është bërë ëndrra realitet ë? Keni më shumë kohë se kurrë për t’u marrë me tjetrin! Shumë mirë, se mezi shtyhen këto kohë pa kafe e lloqe vërdallë.

Pa hë, më thoni pak, si u habitët, çuditët, llomotitët, mrekulluat, shfrenuat fantazinë, shatë, mallkuat, kur ju mbërriti në celular ajo videoja intime e asaj vajzës që e bëtë sikur kishte kryer seks te stacioni i trenit a autobusit dhe kishte meruar mijëra njerëz… Krim është! Juve veglat tuaja i përdorni veç për të zbrazur atë që ju mban fshikëza dhe zorrët.

Ju që shtratin, divanin, kolltukun, sediljet e makinave, banjot e klubeve të natës i përdorni kryesisht për të hekurosur rrobat, do keni vënë duart në kokë, do keni shkulur flokët nga marazi e do keni klithur të lebetitur: O Zot, ku po shkon kjo botë? Apo i shkulët flokët nga marazi, se thellë brenda vetes keni ëndërruar miliona herë të jeni në vendin  e atyre të dyve?

Nuk është kjo arsyeja? A prit! Juve ju dogji ankthi dhe kurioziteti për nderin dhe moralin?  A ishin të martuar,  a ja kishte dredhur kush kujt? Këtu keni shumë të drejtë, se ju keni gjithë atë siguri për gratë dhe burrat, partnerët a partneret  që keni nëpër shtëpia. Juve s’ka se si t’ju shkojë nëpër mend që ai a ajo ju gënjen për vendndodhjen, nuk ka fare dëshirë të kthehet në shtëpi tek ju, sepse u dukeni të mërzitshëm… Që të kuptohemi drejt, s’po e mbështes a promovoj këtë situatën, por po pranoj atë që e di se ndodh e nuk fshihem pas gishtit ta mohoj. Shkëmbimi i lëngjeve të trupit është i fundit shqetësim. Nëse dikush tjetër ka pushtuar mendjen, vëmendjen dhe kohën që mëtojmë se na përket neve, pesë, dhjetë a pesëmbëdhjetë minutat e aktit janë thjesht vetëm disa minuta më shumë.

Prit! Mbase ja futa kot! Ndoshta juve keni ndjerë keqardhje dhe keni sharë e mallkuar atë burrin…plehrën që ja nxorri dhe shpërndau videon. Po, mund të ketë qenë kështu, por plehra mund të ketë qenë edhe secili prej jush, nesh, që në një rrethanë të caktuar, i ka rënë në dorë celulari i atij fatkeqit. Sidoqoftë, kushdo që e shpërndau e për më tepër edhe publikisht, është edhe më mbeturinë se ai që e bëri për herë të parë.

Tani bëni një gjë me mend, se aty nëpër shtëpi, nuk ju sheh e dëgjon askush. Dilni para pasqyrës dhe pyeti veten: ore  ku janë këto burrat e gratë tona, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit sa herë thonë se kanë punë e do vonohen? Pastaj pyeteni prapë: ore e hanë këta të shkretë e këto të shkreta sa herë u themi: kam punë e do vonohem?

Dhe mos harroni të qëndroni me ankth e me gishtërinjtë e ngritur drejt qiellit që ajo që keni bërë brenda, të mos ju dalë jashtë një  ditë! Iku kjo tani! Gjeni ndonjë gjah tjetër se karantina do zgjasë edhe ca. Nuk shtyhet pa ngrënë bukën tonë e pa bërë davanë e tjetrit!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ZILIE FEÇI/ Për Taulantin, jo atë që kërkon një motër, por për atë që kërkon famën e humbur!
Previous article ILIR BEQAJ/ A po dobësohet SARS-Co-V-2?

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k