• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
KLEMENTIN MILE/ Efektet perverse të mediatizimit të politikës
Home
Blog

KLEMENTIN MILE/ Efektet perverse të mediatizimit të politikës

July 28th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Pak kohë më parë gazeta Dita, në faqen e parë, shprehej e zhgënjyer nga qeveria Rama dhe shkruante se ndihej e detyruar të thoshte të vërtetën për problemet e qeverisjes, pasi vetëm duke thënë të vërtetën do mund t’i shërbente qeverisë, përkrah së cilës qe pozicionuar. Një gazetë që e gënjen publikun sistematikisht nuk i vlen askujt, pasi publiku nuk e beson dhe e injoron ekzistencën e saj si media. Ky apel i gazetës Dita prek në fakt çështjen thelbësore të raportit ndërmjet medias dhe politikës, ku pyetja mbetet: A mund të ketë media tërësisht të manipuluar nga politika?

Një mënyrë të pari e politikës është ajo që e konsideron praktikë sociale, e cila synon marrjen e vendimeve të detyrueshme kolektivisht. Këto vendime shprehen me anë të gjuhës ligjore dhe mund t’u referohen çështjeve të ndryshme, bie fjala shpenzimeve, rendit publik apo programeve ekonomike. Sidoqoftë, për marrjen e këtyre vendimeve, politikës në përgjithësi dhe partive politike në veçanti, u duhet të hyjnë në procesin e komunikimit me elektoratin. Nga ky proces komunikimi lindin vendimet politike. Këto të fundit mund të jenë cilësore ose jo, mund të përfaqësojnë interesat realë të njerëzve ose jo. Sot, ky proces komunikimi zhvillohet gjerësisht me anë të medieve të komunikimit masiv si televizioni, rrjetet sociale dhe gazetat dhe shumë pak me anë të mediumeve të pranisë fizike me tjetrin, të tilla si mitingjet. Nga pikëpamja e interesit publik mund të thuhet se mediatizimi i politikës e ka bërë komunikimin politik më abstrakt, më pak përfaqësues të grupeve sociale, më të personalizuar dhe më negativist.

Ligjërimi publik dhe politik mund të analizohet duke dalluar nivele të ndryshme të shfaqjes së tij. Për shembull, dhe duke ndjekur teorinë e komunikimit të Niklas Luhmannit, mund të dallohet niveli personal, i cili është niveli më konkret i artikulimit publik, niveli institucional, ku artikulimi bëhet nga pozitat e rolit në institucion, niveli programor, i cili shpreh këndvështrime që lidhen me mënyrën korrekte të veprimit për të arritur rezultatin, pra i jep përgjigje pyetjes “Si?”, dhe niveli parimor, kur artikulimi zhvillohet në bazë të vlerave që posedon ligjëruesi; ky i fundit është edhe niveli më abstrakt i ligjërimit. Që ligjërimi politik të zhvillohet si duhet ai ka nevojë për funksionimin e të katër këtyre niveleve. Për shembull, elektorati ka nevojë të dijë për personin që ka marrë një angazhim politik konkret (niveli personal), por nuk i duhet të dijë vetëm këtë; mbi të gjitha kërkon të informohet për rolin specifik të personit politik dhe për kompetencat dhe përgjegjësitë që lidhen me këtë rol, ndryshe nuk arrin dot të kërkojë llogari për performancën e dobët apo premtimet e parealizuara (niveli institucional). Së fundi, publiku kërkon të dijë pro çfarë dhe kundër çfarë është politikani ose partia (niveli parimor), ashtu siç kërkon të dijë edhe për mjetet se si do të veprohet për të realizuar atë që synohet (niveli programor).

Mediatizimi i politikës i ka rrënuar dy prej këtyre niveleve – nivelin institucional dhe nivelin programor – dhe e ka zhvilluar së tepërmi ligjërimin politik në dy nivelet e tjera – personal dhe parimor. Së pari, qartësojmë se mediatizimi i politikës nënkupton një raport përfitimi dhe realizimi të ndërsjellë të medias dhe të politikës. Pra, në këtë raport, si politika ashtu dhe media vazhdojnë të mbeten besnike të logjikës së tyre të funksionimit: politika për të siguruar sa më shumë vota, ndërsa media për të pasur sa më shumë audiencë. Kështu, është nevoja e medias për të pasur sa më shumë audiencë dhe, me fjalë të tjera, për të bërë lajm, e cila kushtëzon formën që merr ligjërimi politik. Konkretisht, media orientohet drejt informacionit që lidhet me (1) atë çka është e re, risi, e pa publikuar më parë; (2) preferon konfliktet; (3) statistikat dhe shprehjet sasiore; (4) preferon mbulimin e ngjarjeve me rëndësi lokale; (5) orientohet drejt rasteve ku janë shkelur normat; (6) raporton reagimet morale ndaj shkeljes së normave; (7) portretizon pozitivisht ose negativisht njerëz të veçantë; (8) rubrikat, që shërbejnë për t’u dhënë kuptim serive të ngjarjeve; (9) vëmendja ndaj opinioneve të njerëzve.

Natyrisht, ky orientim i medias është historik dhe dikur mund të ndryshojë. Por ama sot, media, i ofrohet politikës për ta mediatizuar vetëm me kushtin që politika t’i nënshtrohet “formatit mediatik”, pra kritereve të mësipërme. Kështu, jo të gjitha ngjarjet politike bëhen edhe ngjarje mediatike, ose të paktën, jo të gjitha ngjarjet politike marrin rëndësi nëpërmjet mediatizimit. Disa prej tyre janë më të prirura të bëhen publike dhe t’i ofrohen elektoratit, siç janë p.sh. ngjarjet që lidhen me skandalin e ndonjë politikani të veçantë, pasi kjo i shkon përshtat formatit mediatik për të tërhequr sa më shumë audiencë. Është domethënëse që në këto lloj lajmesh jepen edhe shifra për të treguar përmasat e skandalit, duke i dhënë politikës një dimension sasior më shumë sesa normativ. Ajo çka mbetet jashtë interesit për t’u pasqyruar mediatikisht janë ligjërimet politike institucionale dhe programore. Kjo sepse që mesazhe të tilla të kuptohen, kërkohet nga audienca një nivel i lartë ekspertize, vëmendjeje dhe racionaliteti.

Si përfundim, ka arsye strukturore që i gjejmë te preferencat e medias për të zgjedhur çfarë përbën lajm, të cilat kushtëzojnë zhvillimin e ligjërimit politik kryesisht vetëm në nivelin personal dhe parimor, por jo në atë programor dhe institucional. Kështu, komunikimi politik që zhvillohet në nivelin parimor është abstrakt dhe jo përfaqësues i ndonjë interesi specifik. Fundja, të gjithë mund të jemi dakord me atë çka thuhet në parim dhe kjo s’na ndihmon për të kuptuar se cila forcë politike apo politikan është më afër zgjidhjes së problemeve tona. Nga ana tjetër, komunikimi politik në nivelin personal sjell një inflacion konflikti, sjell atribuime faji te persona specifikë, por duke lënë jashtë vëmendjes rolin e tyre në institucionet përkatëse, për të mos përmendur pastaj që përgjegjësia në fakt do të duhej kërkuar jo thjesht te një ose disa persona dhe integriteti i tyre, por te strukturat politike dhe institucionale që nuk funksionojnë, te programet politike që nuk merren parasysh kur qeveriset, tek opinioni i ekspertëve që shpërfillet për hir të interesave të ngushta politike dhe private. Publikut, si elektorat, i ofrohet ose një komunikim abstrakt dhe irrelevant, ose një komunikim konfliktual dhe i personalizuar, që fsheh problemet e vërteta dhe “lubrifikon” mekanizmat e ndryshkur politikë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article DANIEL SARGENT/ RIP Veçantisë Amerikane, 1776-2018
Previous article ERVIS ILJAZAJ/ Herët apo vonë Reforma në Drejtësi do të zbatohet, është pjesë e Kushtetutës

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k