Nisur nga rëndësia e veçantë që paraqet figura e Prokurorit të Përgjithshëm si dhe funksionet e tij Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, çmova të paraqes disa mendime në lidhje me këtë Autoritet. Por, para se të jap këto mendime, mund të them dy fjalë për Prokurorinë në tërësi, si institucion i ngritjes së akuzës dhe mbrojtjen e saj para Gjykatës. Duke e parë dhe ndjekur ecurinë e saj në këtë drejtim, konstatohet fakti se, ajo në përgjithësi ruan po të njëjtin karakter të përcaktuar nga Kushtetuta e Vendit tonë, ashtu dhe Ligji Penalo–procedural. Kjo, ka një rëndësi të veçantë pasi është themelore për një shtet demokratik, sepse nga njëra anë ka të bëjë me luftën ndaj elementit kriminal duke e vendosur atë para përgjegjë- sisë ligjore, kurse nga ana tjetër, siguron respektimin e të drejtave njerëzore të individit të shoqërisë sonë. Qenia e saj në fushën penalo – procedurale, është konditë e domosdoshme, pasi ajo siguron dhe garanton dy elementet që bëjmë fjalë pak më sipër.
Parlamenti shqiptar ka më se një vit që po i kushton një rëndësi të posaçme këtij institucioni të akuzës. Nga njëra anë, këtë institucion e ka trajtuar në linjën Kushtetuese, kurse nga ana tjetër, nëpërmjet Kodit të procedurës Penale. Mendova të trajtoj atë të parën, që lidhet me Kushtetutën, për figurën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Aksi i Institucionit të Prokurorisë, nuk është më ai i mëparshmi si “Institucion rreptësishtë i centralizuar”, d.m.th. monokratik, që përfaqë- sohej dhe komandohej nga një person i vetëm: Prokurori i Përgjithshëm, por nga një Organ Kolegjial: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që materializohet te Prokurori.
E parë në këtë drejtim, Ligjvënësi, figurën e Prokurorit të Përgjithshëm, në raport me figurën e tij para ndryshimeve kushtetuese, del se kompetencat e tij ligjore nuk janë identike me ato të mëparshmet. Ai nuk ka më funksionin e ndjekjes penale, pasi ajo i ka kaluar prokurorit. Kjo e fundit, funksioni i ndjekjes penale, lidhet me llojin e veprës penale të kryer. Kështu, për veprat penale që lidhen me Nenin 148/4 të Kushtetutës, sipas të cilit: “Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të Korrupsionit, Krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi i dytë të Kushtetutës, janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Një- sia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme”.
Këtë funksion e ka Prokuroria e Posaçme, ndërsa për të tjerat, veprat penale që parashikon ligji penal, e ka Prokuroria e Përgjithshme. Një ndarje të tillë të funksionit të ndjekjes penale nga këto dy organe, dhe të pavarura njëra nga tjetra, e vlerësoj pozitivisht. Koha provoi se përqendrimi i funksionit të ndjekjes penale në një “dorë” të vetme, nuk dha efektivitet, qoftë kjo për shkaqe objektive ashtu dhe subjektive. Pa shtuar këtu se ajo dëmtoi luftën kundër kriminalitetit, si dhe indirekt u dha mundësi personave të prirur për t’u pasuruar nëpërmjet korrupsionit, drogës, prostitucionit e kështu me radhë. E ripërsëris: Kërkesa për një ndarje të tillë të ndjekjes penale në dy organe të veçanta, ishte imperative! Kjo imponon nevojën e domosdoshme të krijimit dhe plotësimit të strukturave përkatëse sa më shpejt e me kualitet ligjor, për t’u kryer lufta frontale ndaj kësaj të keqeje që ka “pushtuar” vendin tonë.
Mosdhënia e së drejtës së ndjekjes penale për Prokurorin e Përgjithshëm, nuk duhet interpretuar si rënie e tij nga “Pushteti”. Ai mbetet një figurë dinjitoze e një organi po dinjitoz. Duke iu referuar Kushtetutës, si dhe ndryshimeve përkatëse në drejtim të kësaj figure, të parashikuara këto në nenin 148/b germa “a” del se Ai, ka kompetencë të përfaqësojë akuzën në Gjykatën e Lartë si dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese”, me përjashtim të atyre çështjeve që trajtohen nga Prokuroria e Posaçme. Kompetenca të tilla procedurale janë të një shkalle të lartë në raport me funksionin e ndjekjes penale, pasi vendimet e këtyre dy Organeve *Të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese janë kulmi i “piramidës” në dhënien e drejtësisë në vendin tonë. Pra, Prokurorit të Përgjithshëm, vendi dhe roli i tij, nuk ka pësuar deformime esenciale duke u “shmangur” gjoja nga linja e fushës penale, sikundër duan ta paraqesin disa, pasi ai, jo vetëm që ka kompetenca ligjore në këtë drejtim, por dhe më vendimtaret, pasi parashtrimi i tij, për qëndrimin ose jo të akuzës, është vendimtar si Institucion i Prokurorisë dhe jo individual i tij. Ky është interpretimi ligjor për sa folëm më sipër. Për rrjedhojë, pasja apo mospasja e funksionit të tij për realizimin e ndjekjes penale, nuk mund të shërbejë si bazë për të arritur në konkluzione të gabuara se, gjoja ai, është privuar nga ndjekja penale. Megjithatë, pavarësisht nga mendimet e gabuara rreth këtij problemi, mendoj se ai duhet ta ketë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e ndjekjes penale, ashtu sikundër ligjvënësi një të drejtë të tillë ia ka dhënë homologut të tij, Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Kjo, jo për t’i rritur autoritetin formalisht, por është një mjet efikas në duart e tij, duke mënjanuar zvarritjen e ndjekjes penale, si dhe sigurinë në drejtim të korrektësisë së saj në zbatim. Ligjvënësi, ndërkohë, Prokurorit të Përgjithshëm, duke u nisur nga vendi dhe roli i tij në luftën kundër kriminalitetit, i ka dhënë të drejtën dhe detyrimin të raportojë në Kuvend, për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri, funksion ky i veçantë i tij.
Sipas nenit 148/a pika 4 e tij, të Kushtetutës: “Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shpallet i emëruar”. Mendoj se një zgjidhje e tillë, është e gabuar mbasi del jashtë sistemit Kushtetues. Si teorikisht ashtu dhe praktikisht, te ne, pushtet janë të ndarë njëri nga tjetri: Legjislativ, Ekzekutiv dhe ai Gjyqësor. Pushteti Legjislativ, midis të tjerave, ka në pushtet të tij, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, me anë të votimit në Kuvend. Kjo e drejtë e tij është e paprekshme dhe as e delegueshme prej një pushteti tjetër, si dhe pa u votuar. Kjo nuk varet as nga Kuvendi dhe as dy pushtetet e tjera apo cilado figurë e lartë shtetërore qoftë ajo. Mënjanimi i këtij parimi themelor kushtetues, është i paarsyetuar ligjërisht, është një prishje e balancimit të tri pushteteve, pavarësisht se ai mund të mënjanojë zvarritjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Zgjidhja e tij duhet të ndodhë vetëm dhe vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe kurdoherë nëpërmjet votimit në Kuvend. Jashtë këtij parimi themelor, çdolloj zgjidhje tjetër është në kundërshtim me Kushtetutën dhe arbitrare. Prandaj, Kuvendi, mendoj se duhet ta shfuqizojë këtë paragraf të Kushtetutës, pasi vjen në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Diçka tjetër që mendoj se do të ishte e arsyeshme që, Prokurorit të Përgjithshëm, t’i jepej e drejta e ngritjes së kërkesës për raste që ai çmon se duhen trajtuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo të mbetej në çmimin e këtij të fundit. Kjo e drejtë, pa u lidhur me mënyrën e zgjidhjes së problemit të ngritur prej tij, pasi ai këshill është absolutisht i pavarur në marrjen e vendimit.
Dhe, e fundit është ajo, nëse Prokurorja e Përgjithshme i ka kompetencat e plota ose jo si Prokurori i Përgjithshëm real. Mendoj se, ajo i ka kompetencat e plota për t’i ushtruar. Përkohshmëria e saj nuk ka lidhje me pajisjen e kompetencave. Ajo, deri sa të ushtrojë një detyrë të tillë, është e pajisur me kompetenca të plota.
Duke na u dhënë rasti, nëpërmjet këtij shkrimi, i urojmë suksese në këtë detyrë të vështirë, por fisnike, për të mirën e shtetit dhe të popullit tonë, duke e kryer denjësisht dhe me korrektësi. Ju dha rasti dhe mundësia të lerë gjurmë pozitive në historikun e Prokurorisë shqiptare.
*AV.PROF. ASOC. DR. Jorgo Dhrami
Leave a Reply