• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
JONAS MARTI/ Demokracia dhe aritmetika: “Formula magjike” zvicerane, për qeverisjen e mirë
Home
Blog

JONAS MARTI/ Demokracia dhe aritmetika: “Formula magjike” zvicerane, për qeverisjen e mirë

March 24th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

A është e mundur që e djathta, e majta dhe populistët të mund të bëjnë pjesë në të njëjtën qeveri? Po, dhe ndodh në Zvicër, ku nuk ka nevojë për një shumicë, por të gjitha forcat politike udhëheqin së bashku vendin. Në të gjitha nivelet. E quajnë “formula magjike”, por për zviceranët është një koncept kaq i ndërfutur natyrshëm në traditën politike, saqë në çdo fund zgjedhjesh, mrekullia ndodh spontanisht: kur vjen momenti për t’i dhënë jetë një qeverie të re, partitë kryesore të pranishme në parlament e formojnë së bashku. Duke respektuar (pothuaj) gjithmonë një praktikë të konsoliduar, që merr parasysh raportet e forcës mes formacioneve të ndryshme politike, pa patur nevojë për goditje të befta, konsultime pa fund dhe shumica të çala.

2 + 2 + 2 + 1, ky është sot përpjestimi mes përbërësve, receta magjike e marrëveshjes helvete: dy vende për Partinë Socialiste (e majtë), dy për Partinë Liberale Radikale (e djathta ekonomike), dy për Unionin Demokratik të Qendrës (e djathta populiste dhe euroskeptike) dhe një për Partinë Popullore Demokratike (e qendrës dhe me frymëzim kristian). Një kokteil ndjeshmërish dhe programesh politike, që funksionon jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe lokal. Qeveritë me marrëveshje të gjerë në Zvicër janë të pranishme në çdo nivel, nga ai federal, deri në atë të kantoneve dhe bashkiak. Gjithmonë duke kërkuar, rast pas rasti, territor pas territori, pasqyrimin e forcës reale elektorale të partive. Një përrallë e bukur, në këtë Evropë të mbushur me luftëra postelektorale. Në Gjermani, Merkelit iu deshën pesë muaj për të gjetur një marrëveshje, dhe në fund ia doli me socialdemokratët e Schulzit. Tre vjet më parë, në Spanjë as nuk ia dolën të formojnë një qeveri dhe u desh të rikthehen në kutitë e votimit, gjashtë muaj më vonë. Në Itali, e dimë se çfarë po ndodh.

Për të thënë të vërtetën, në konfederatën helvetike nuk është gjithçka fushë me lule. Sa për të marrë një shembull, formula magjike ka nevojë për kohë që të përshtatet me përfaqësimin real të partive. Në 1928 socialistët ishin formacioni më i fortë në vend, por u desh të prisnin mbi tridhjetë vite, deri në 1959, për të patur dy ministra. Në 11 vitet e fundit, ka patur disa trazira. Partia popullore e djathtë, UDC, sot më e votuara në Zvicër, në 2003 arriti t’i marrë një vend Partisë Popullore Demokratike, që për herë të parë pas disa dekadash mbeti në qeveri me vetëm një ministër. Katër vjet më vonë, Unioni u nda pasi parlamenti nuk zgjodhi kandidatin e propozuar nga udhëheqja e partisë. Ekuilibri u prish për tetë vite, por në 2015 gjithçka u rikthye në normalitet. Dridhje të vogla, po t’i krahasosh me tërmetet që shkundin rregullisht gjysmën e Evropës.

Në Zvicër, qytetarët kanë perceptimin që në nivel institucional gjërat funksionojnë, për shkak edhe të sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë, që i lejon të shprehen me referendume për shumë tema. Madje zviceranët i shohin shpesh përvojat politike të fqinjëve me një krenari të hapur për sistemin e tyre, që betohen se nuk duhet ndryshuar kurrë. Dialog konstant, kompromis, refuzim i parimit shumicë/pakicë. Politologët e quajnë demokraci konsociale, që bën kontrast me atë konkuruese. Unus pro omnibus, omnes pro uno. “Një për të gjithë, të gjithë për një”, shkruhet nën kupolën e Pallatit Federal në Bernë. / La Stampa – Bota.al

  • GAZETAR I RADIO-TELEVIZIONIT SHTETEROR ZVICERAN
Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Mos e torturoni më Sali Berishën!
Previous article FAREED ZAKARIA/ Bëhuni gati, ky është fundi i mbretërimit të Facebook dhe Google

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k