E filluam fundjavën me këtë lajm që sot bëri bujë në rrjetet sociale.
Me siguri, ky imi nuk do të bëjë aq bujë sa shkrimi i zysh Silvanes ( të cilën nuk e njoh, por i respektoj profesionin), por do e ndaj për ju pak që do e lexoni.
Po, zysh Silvana iku si një nga shumë të rinjtë që po ikin, por zysh Silvana iku duke i lënë Shqipërisë një letër, të cilën kur e lexon herën e parë mendon që është kaq e drejtë dhe e vërtetë!
Sigurisht, zgjedhjet janë personale dhe unë nuk marr përsipër të komentoj ikjen në fjalë apo ikjen e ndonjë të riu tjetër, po Shqipëria ç’faj na ka?
A ta fajësojmë Shqipërinë për jugun mbresëlënës apo për Valbonën magjiplotë, a ta fajësojmë Shqipërinë për Osumin ujëkulluar a për kalatë plot histori, ta fajësojmë Shqipërinë për Korçën si Parisi a për Shkodrën si Venecia?
Për çfarë ta fajësojmë Shqipërinë?
Duhet të kuptojmë se nuk po ikim prej Shqipërisë, po ikim prej shqiptarëve, po ikim prej vetes sonë!
Unë jam më e re se zysha që ka ikur sot, dhe JO nuk dua të iki!
Nuk dua të iki se nëse ikim ne, kush do e bëjë këtë Shqipëri që zysha thotë se për dreq do i mungojë?
Pse zysha iku sot dhe nuk doli në Pedonale në protestën aq kuptimplotë që studentët bënë?
Nuk dua të iki, sepse atje përtej kufijve nuk ka rrugë të shtruara me flori, nuk ka as gjermanë, suedezë, holandezë, austriakë a francezë që kanë hapur krahët për të na pritur ne, po atje përtej kufijve nuk ka as familje që fati e deshi të na i jepte këtu në Shqipëri!
Po, e di që nuk jemi në kohën tonë më të mirë si shtet.
Edhe unë që shkruaj jam një studente që e jetoj çdo ditë taksën që shteti më merr nga rroga simbolike që marr, jam një studente që prindërit e zhvendosën në një universitet privat se shteti ishte psikologjikisht i papërballueshëm, jam një studente që sakrifikoj kohë dhe sigurisht edhe dëshira për t’ia dalë përditshmërisë, por JO nuk dua të iki!
E kam dëgjuar argumentin që pse duhet të harxhojmë ne jetën tonë duke pritur të bëhet më mirë, por jo, parimi nuk është ky!
Parimi është të mos rrimë të presim, por të veprojmë për ta bërë më mirë, e nëse është e thënë që vitet e jetës t’i kalojmë në përpjekje të bukura për të bërë atdheun dhe jetën tonë më mirë, kështu qoftë!
A mund të lësh në jetë gjurmë më të bukur sesa kjo?
Leave a Reply