• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
ILIR YZEIRI/ Lakuriq me duar në xhepa
Home
Blog

ILIR YZEIRI/ Lakuriq me duar në xhepa

April 9th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Ilir Yzeiri

Nuk e mbaj mend dhe nuk e di se në ç’kontekst e përdornim këtë shprehje kur ishim fëmijë, por, në mënyrë të vagullt, kur thoshim « lakuriq me duar në xhepa » kishim parasysh atë që krekosej në mëhallë pa pasur asgjë që ta bënte kaposh apo të ngrefosur. Tipi që kapardisej me duar në xhepa, në përfytyrimin e fëmijërisë sonë ishte ai që kapardisej pa pasur asnjë cilësi apo asnjë truk që të dukej i tillë, sepse, nga të gjitha anët, ishte cullak, nga mendtë dhe nga rrobat.

Pikërisht kjo shprehje m’u kujtua kur pashë Lulëzim Bashën që po dilte nga zyrat e SHQUP-it në krah të zyrtarit të lartë amerikan, zotit Palemr. Lulëzim Basha u shfaq me duar në xhepa, vijoi të zbresë shkallët e godinës së SHQUP-it po me duar në xhepa (megjithëse kjo mund të jetë e rrezikshme se mund të pengohesh pa dashje dhe kur je me duar në xhepa mund të biseh drejt e në fytyrë) dhe vetëm kur po ndahej dhe po takohej me zyrtarin e lartë dhe të nderuar të SHBA-së, zotin Palmer, hoqi duart nga xhepat.

Në anë tjetër, besoj të gjithë kanë mbetur të mrekulluar, në kuptimin të pataksur, të çuditur, kur kanë parë veshjen e Monika Kryemadhit në takimin me zyrtarin e lartë të SHBA-së, zotin Palmer. Një kustum gri me pantallona tepër të gjera, po tepër e tepër të gjera si për t’i theksuar zyrtarit amerikan në atë takim se në Shqipëri moda e fundit nuk kalon pa lënë gjurmë.

Këto dy episode më tërhoqën vëmendjen sepse, edhe në këtë rast, dy përfaqësuesit e opozitës që kanë bërë lëmsh politikën shqiptare, u shfaqën në nivelin më të ulët dhe të pështirë komunikativ. Pse ? Në çdo ngjarje apo në çdo takim të nivelit të lartë ka një protokoll dhe ka edhe një traditë. Pamja prej fodulli e Lulëzim Bashës që e shoqëron zyrtarin e lartë amerikan me duart në xhepa është jo vetëm fyerje për mikun, për atë që të ka ardhur në zyrë, por nuk respekton as kodin minimal të sjelljes.

Ose je budalla, ose je i hutuar aq shumë nga ajo që të ka thënë bashkëfolësi sa tensioni të ka krijuar një stres të tillë që që duart nuk di ku t’i çosh. Duart bëjnë pjesë në metaligjërim dhe ecja, dukja, shfaqja, parakalimi bashkë me një mik që po të viziton të detyrojnë që të respektosh një protokoll rigoroz, gjëja e porë e të cilit është jo duart në xhepa. Mirëpo, Lulëzim Basha jo vetëm që nuk e vrau mendjen për këtë detaj, por jam i sigurtë që as edhe e kupton.

Ndërsa të paraqitesh në një takim zyrtar politik me pantallonat e Monikës është jo vetëm e pështirë dhe fyerje për ne shqiptarët, por është edhe shenjë se të gjitha akuzat që i bëhen kësaj politikaneje si një arrogante e majmur me të padrejtë janë të vërteta. Këta kapadainj që mendojnë se duke ulëritur nëpër foltore televizionesh mund të quhen politikanë, harrojnë se në fillim duhet të shfaqin qoftë edhe në mënyrë të pasinqertë përunjësinë, të dalin kokulur dhe të paraqiten sa më thjeshtë. Të gjithë e dimë se Monika dhe Luli janë të pasur, por nuk është nevoja t’u tregosh amerikanëve dhe shqiptarëve se këta të dy vetëm pse shajnë nga mëngjesi në darkë Edi Ramën janë edhe kapadainj, edhe kokëbosh edhe lakuriq me duar në xhepa.

Ndërsa mesazhi që u dha zoti Palmer nuk ka nevojë për koment. Jam i bindur se kur ka parë Lulin me duar në xhepa dhe pantallonat e Monikës, mund të jetë penduar pse humbi kohë me ata të dy.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BLEDI LUMANI/ “The Post” dhe “Babalet” e Tiranës!
Previous article KRESHNIK SPAHIU/ Kur të braktis Amerika, të mbetet Monika ose “Bregu i Lumit”

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k