Shkuarja në aktivitetin e përkujtimit të viktimave të genocidit grek pas 27 qershorit 1944 nga shovinistët e Napoleon Zervës me mbështetje zyrtare të Athinës, më dha disa mesazhe të rëndësishëm dhe tepër të trishtueshme. Jo thjesht pse po shkoja në Kllogjer, pikërisht aty ku është ndërtuar një memorial nderimi i varreve të rreth 3 mijë shqiptarëve të Çamërisë, pas rreth 3 mijë të tjerëve të vrarë nga masakrat e bëra në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Çamërisë, por sepse disa mesazhe që më erdhën në celularin tim, më krijuan idenë se isha në Greqi e jo në Shqipëri.
Jo se bëra çudi të madhe se e di që Greqia i bën të gjitha invadimet për qëllimet e veta, por sepse gjithçka greke kishte sundimin e vet ende pa mbërritur në Sarandë. Fshatrat e njohur apo të cilësuar si minoritarë, njeri pas tjetrit mu dukën si të boshatisur, me shtëpi pa jetë dhe me drita të fikura, pa shumë vëmendje dhe me shumë pak popullsi, veç tek tuk ndonjë plak që tërhiqej zvarrë si për të thënë “më kanë lënë si rojtar”. Kudo do të shikoja kryqe pa fund si në Greqi, shikoja flamuj grek si në Greqi, dëgjoja greqisht si në Greqi. Por mesazhi i celularit që më tha “Mirëse erdhe në Greqi”, kur isha në tokë shqiptare, më la pa fjalë.
Nuk po e besoja mesazhin edhe sepse unë kartën e kam Vodafon Al.Ii njëjti fenomen u ndodhi të gjithë bashkudhëtarëve me mua dhe kur vajtëm në Kllogjër nuk kishe më asnjë mundësi të flisje apo të merreshe vesh me celularin tënd me kartën Vodafon Al, sepse nuk kishte valë dhe mungonte shërbimi të cilin e kemi të paguar. Banorë vendas jo minoritarë që erdhën në aktivitet pohuan se këtu funksionon karta greke se ajo shqiptare nuk funksionon, nuk ka valë. Mu zvenit gjithçka aq më tepër kur mendoja se në tokën shqiptare bën ligjin greku.
Nuk është thjesht vetëm kjo, por edhe më keq akoma. Çdo tabelë orientuese e qarkullimit rrugor të jep përshtypjen se po udhëton në Greqi, a thua se ua kemi marrë borxh grekëve këtë hapsirë dhe jo që është toka jonë e larë me gjak dhe që ka kaluar aq shumë derte e halle me fqinjin grek që ka ardhur si bujtës për punë dhe u bë vendali, pa folur për pushtues grekë që kanë bërë masakra të panumërta.
Të zbrisje rrugës së vjetër nga Muzina në Delvinë, gjithçka ishte shkretëtirë. Të quajturit fshatra minoritarë si Peca, Kardhikaq, Sirakat, Kakodhiq, Leftrehor dhe Varfanj dhe ndonjë tjetër që mund të mos më kujtohet, ishin pa njerëz, veç tek tuk ndonjë plak, se shtëpitë ishin pa njerëz, të mbyllura dhe tokat të papunuara, të lëna djerrë (shkretëtirë, të lëna pa të zotët). Diku shquhej ndonjë flamur grek dhe me shumicë kryqe ndanë rrugës. Kjo nuk është një traditë shqiptare, sepse ortodoksët në Shqipëri nuk kanë praktika të tilla.
Nuk di të them më shumë, por veç një gjë di ta them dhe dua ta them: a kanë dijeni qeveritarët shqiptarë për këtë gjendje të nderë, për këtë realitet që në territorin shqiptar mirë që është pranuar që ka minoritet, por ku janë respektimi i ligjeve të vendit, ku është fakti se është shtet shqiptar dhe nuk lejohen shenja e simbole të një shteti tjetër që shfaqen sikur të jesh në Greqi e jo në Shqipëri?
I them këto dhe pyes për këtë, aq më tepër si dijeni në këtë kohë bisedimesh e marrëveshjesh dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pyes gjithashtu nëse i ka rënë rasti kryeministrit apo ministrit të jashtëm kur ka kaluar për dëgjesa publike në jug që tu ketë ardhur mesazhi me urimin “Mirëse erdhët në Greqi”? e dinë një fakt të tillë apo e dinë dhe heshtin ? a ka kontroll për kompanitë celulare se çfarë mbulojnë dhe përse në jug të Shqipërisë ndodh një fenomen i tillë. Është njëlloj sikur të thuhet se sapo të hysh në Kukës të thotë “Mirëse erdhët në Serbi”.
Tokat dhe hapsirat e parcelave që janë dhënë në pronësi të minoritarëve ishin të lëna pa asnjë përkujdesje, pa të mbjella, pa punonjës dhe pa ndonjë zhurmë traktori a thua se toka u falet atyre që nuk e punojnë apo ka një ligj se toka i merret atij që nuk e punon? Ato shenja e simbole fetare që duken sheshit dhe janë dukshëm si simbole provokuese greke tipike si në Greqi, a janë një shkelje e kushtetutës për respektimin e lirive fetare dhe jo si provokime që shpesh e shpesh kanë shërbyer si shkak për manifestime tipike greke në tokën shqiptare.
Përkundër këtij realiteti, vendmemoriali i varreve të refugjatëve çamë që erdhën për t’i shpëtuar vrasjeve masive greke, kishte shpëtuar pa u shkretuar që të mos kishte më asnjë shenjë. Banorë grekë të zonës e kishin gërryer herë pak e nga pak dhe bashkë me zhavorin kishin marrë edhe eshtrat e të vdekurve viktima të genocidit si për të prishur provat e asaj masakre drithëruese.
Denoncimi që ka bërë një shqiptar i Çamërisë me banim në Sarandë për këtë realitet të cituar më sipër, është ndoshta një fat që sot të kemi mundësi t\u bëjmë nderime varreve dhe të mblidhemi të gjithë për të përkujtuar ato ditë, ato muaj dhe atë vit të zi.
Mendo pastaj që nga pala greke kërkohen ngritje varresh pa varr, kërkohen varreza e bëhen memoriale jo për të nderuar ushtarët pushtues grekë, por për të shërbyer si shenja vendosjeje të Greqisë pas shumë kohësh siç ndodhi edhe me Dropullin që minoritarët erdhën si bujq në tokat e bejlerëve të Gjirokastrës dhe të Libohovës dhe tanimë pas rreth 100 vjetësh u bënë me toka dhe si pronarë të vendit.
Nëse në tokat e fshatrave të Çamërisë veriore të populluar me shqiptarë vendas dhe muslimanë pashë gjallëri, pashë njerëz që punonin, pashë lulëzim të bujqësisë dhe asnjë simbol fetar musliman. Veç kjo ishte shenjë se ishim në tokë shqiptare, porse edhe ata ishin të trysnuar nga mungesa e sinjalit të Vodafonit shqiptar. Përse ky realitet, përse kjo situatë që flet hapur për një “pushtim” grek në tokat shqiptare, nuk janë pa mesazh as ato thirrjet për Vorio-Epirin që flasin shoqatat greke të financuara nga shteti i Greqisë.
Dhe më e çuditshme ishte se sapo kalova Sarandën dhe kishim vetëm 8 minuta të larguar nga qyteti, mua dhe shumë të tjerëve na erdhi mesazhi “Mirëse erdhët në Shqipëri etj. etj”. Çfarë janë këto realitete, janë të lëna me qëllim nga shteti shqiptar për lëshime ndaj Greqisë për të fituar votën për hapjen e negociatave apo janë lajthitje të qeveritarëve dhe pushtetarëve lokalë që heshtin para të tilla provokimeve me çdo mjet e në çdo formë. Nuk dua ta besoj, por them me plot gojë se nuk e dua atë hapje negociatash me lëshime të tilla antishqiptare.
Për të shkuar një pjesëtar i komunitetit çam në Greqi, i shihet pasaporta, i bëhen shantazhe, i sekuestrohet çdo aparat filmik apo fotografik, ndalohen në policinë greke, vetëm e vetëm se grekët janë shkelës të të drejtave të njeriut në mënyrë universale. Mos ndoshta këto realitete janë edhe ndonjë përgjigje antiçame e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me qeveritarët grekë që po duken të kënaqur me negociatat ndërshtetërore se u janë plotësuar kërkesat? Është për këtë arsye që drejtuesve të shtetit shqiptar asnjëherë nuk kanë nderuar të vrarët dhe të vdekurit nga një genocid edhe në ditën e shënuar në kalendarin historik si 27 qershori si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek” ata të mos jenë të pranishëm, ndërkohë që vijnë nga Kosova për të nderuar viktimat.
Leave a Reply