Ka tashmë vite, ka kohë që Shqipëria ka tre shtete brenda shtetit, të cilët luftojnë dhe kanë influenca te njëri tjetri. Ka pothuaj dy dekada që tre shtete brenda shtetit shqiptar, kanë krijuar situatën më absurde, të cilën nuk e kanë lejuar as monarkia dhe as diktatura. Ka mbi njëzet vite që e ashtuquajtura demokraci, ka krijuar monstrat politike të “shtetit paralel” dhe “nënshtetit” dhe pikërisht këtyre monstrave, ju shitet lëkura për “pluralizëm” dhe për liri të veprimit politik e deri administrativ, por dhe deri në kulturë e akademizëm.
Në fakt kështu e kanë perceptimin një pjesë e madhe e një klase gjysëm otomane dhe orientale si origjinë dhe veprimtari në të dikurshmen familje të tyre dhe një pjesë tjetër këtë model e dinë për fitimtar në Shqipëri! Është modeli nga viti 1920-1928.
Shtetin paralel e ka ndërtuar, financuar dhe zhvilluar Sali Berisha. Ai këtë shtet e ka kur është në opozitë. Shteti paralel i tij është kudo. Në shërbimet sekrete, në polici, në administratë, në avokati, në drejtësi pothuaj tërësisht, në akademizëm. Shteti paralel i bashkëngjitet shtetit kur kryeministër ishte apo dhe mund të jetë Sali Berisha. Shteti paralel i SB-së nuk duket shumë kur ai është KM! Pikërisht dhe në të vërtetë ai është ndërtuar dhe kompozuar që të funksionojë deri sa të risjellë atë në pushtet. Janë të korruptuarit e lartë të një shteti paralel që janë ngritur në poste nga SB. Jo nga PD-ja, por nga Sali Berisha. Ato nuk veprojnë për PD-në kaq shumë, se sa për Sali Berishën. I detyrohen atij, i shërbejnë vetëm atij, janë të rekrutuarit e tij dhe janë borxhlinjtë e tij, kurse të fundit, por të shumtë në numër, janë njerëz të dosjeve dhe të kapur nga drejtësia apo dhe nga dosjet që SB-ja pastaj i përdor si kamikazët e shtetit paralel.
Prodhimet e fundit të shtetit paralel janë “Babalja dhe Toyota Yaris” por me modelin Basha. Janë shteti paralel i PD-së, duke parë se ai i SB-së po pastrohet dhe është lëkundur e dikush ka ikur nga sytë këmbët. Janë “shtetet paralele” të ish ministrave të Brendshëm të PD-së L.B., F.N dhe B.N., i cili tashmë ka marrë bishtin e çakallit e po luan filmin e “Goditjes me bisht nga kafsha e plagosur”. Shteti paralel i SB-së është i vështirë të demontohet, sepse ka shumë njerëz dhe në shërbim nga parti të tjera, por dhe nga socialistët. Duket sikur ka ndryshime të mëdha, por socialistët kanë “nënshtetin”. Sigurisht që dhe demokratët e kishin dikur, por që SB-ja e ndaloi ngaqë njerëzit i dilnin nga kontrolli. SB-ja ndërtoi dhe “shtetin paralel dhe nënshtetin”. Po dallimi është më se i qartë. “Nënshteti” ka të bëjë me një organizim politik influence nga lart dhe raport monopolist i cili futet në rrënjë të shtetit me anën e interesit të privatit në kolonat e shtetit. Patjetër mund të thuhet dhe për SB-në, por si folklorik dhe tepër krenar kapadai, nuk mund të lejonte që “senatorë” të biznesit apo dhe arrogantë të korporatave dhe medias, ti bënin presion ose ta kërcënonin! Me Rilindjen “nënshteti” ka marrë fluturimin e tij të bujshëm. E kanë mirë me “Krishtin” në PS dhe as që pj..dhin” për shenjtorët e tjerë. Po po deri në arrogancë.
Duket sikur grindja është PD me PS. Absolutisht jo! Në Shqipëri beteja politike është dyluftimi pa kompromise dhe pa të drejtë mbajtje robërish (pra nuk mbajnë robër me kuptimin letrar të termit, vetëm vrasin) mes “Shtetit paralel” të PD-së dhe “Nënshtetit” të PS-së. Ka dhe një luftë të vogël brenda PD-së. Lulzim Basha ka kuptuar se nuk është i zoti të ndërtojë dhe mbajë “shtet paralel” si mjeshtri i tij SB-ja. Kështu që ka vendosur të imitojnë Ramën me “Nënshtetin” e vendosur prej tij. Prandaj Partia Demokratike është kaq në probleme të mëdha, kaq në degrad politik dhe moral. Ajo po kalon nga “Shteti paralel” në modelin “Nënshtet” dhe padyshim që kjo është arroganca më e “butë” me çfarë ka ndodhur me atë grabitje dhe model vrastar të një shteti paralel kriminal.
Dakord, por këto dy shtete po i marrin frymën Shqipërisë. Nuk është larguar njëri model dhe nuk ka përfunduar të instalohet plotësisht tjetri. Monopolistët janë të pa ngopur dhe arrogantë jo vetëm në biznes, por dhe kërkesat e tyre. Këto raporte janë të vështira të mbahen dhe ka shumë gjasa që shërbimet e huaja, kancelaritë e mëdha i dinë qartë dhe mirë se deri në çfarë pike ka shkuar “kanceri” dhe metastazat e tij të shtetit paralel dhe gangrena e madhe e “nënshtetit modern” të sotëm.
Sot në Shqipëri besimi ka humbur krejtësisht nga politika dhe pse mundohen si njëri me arrogancën dhe marrëzinë opozitare dhe tjetri me të përsëriturën e vazhdueshme “nuk jemi të gjithë njëlloj”. Në fakt realisht nuk janë njëlloj. Njëri ka abuzuar deri në krim me shtetin paralel kurse ky sot po abuzon duke u futur fort (nesër do të pendohet) në “Nënshtetin” duke ju dhënë si koncesione ekonomike dhe financiare por sidomos politike – monopolistëve dhe njerëzve që sëbashku me politikën, kanë ndërtuar kapitalizmin më “antinjerëzor, më arrogant dhe më antiligj” në Europë!
Uroj që këto elementë ti dinë (sigurisht që i dinë) dhe ato jashtë në Europë! Për të mos bërë gafën ta lejojnë Shqipërinë të vazhdojë të jetë pre e këtyre monstrave! Po sigurisht, duke mos hapur negociatat këtë fund qershori! Do të ishte humbja e madhe për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe një gëzim i madh për klasën politike rrufjane dhe mashtruese në vendin e mrekullueshëm, por fatkeq që quhet Shqipëri!/
Leave a Reply