• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
GJOVALIN KOLA/ Një bilanc demokratik për 2019-n
Home
Blog

GJOVALIN KOLA/ Një bilanc demokratik për 2019-n

January 2nd, 2020 F.autor Blog 0 comments

Nga Gjovalin Kola

Viti 2019 u shoqërua me ngjarje të paparashikuara, që e ndërlikuan situatën politike në vend. Por institucionet ia dolën t’i përballojnë ato. Shteti nuk u paralizua, demokracia i zgjidhi konfliktet në mënyrë paqësore, çka përbën edhe karakteristikën themelore të këtij sistemi.

Sfida e parë ishte dorëzimi i mandateve dhe dalja e opozitës nga parlamenti. Ajo që ka rëndësi në këndvështrimin tonë është përshtatja e institucioneve me këtë mungesë serioze në funksionimin e sistemit demokratik.

Kemi parasysh vazhdimësinë e punës së kuvendit, të komisioneve, zëvendësimi i mandateve me deputetë të tjerë nga listat e opozitës etj. Aktualisht kemi një pamjaftueshmëri në nivelin e përfaqësimit, por jo krizë institucionale. Sfida e dytë ishin zgjedhjet lokale të 30 qershorit, mbajtja e të cilave u vështirësua nga dekreti i presidentit të Republikës për anulimin e tyre, pa një ligj të kuvendit dhe konsultime paraprake me partitë politike.

Siç dihet tashmë nga vërejtjet e Komisionit të Venecias, ky akt individual (dekret apo çdekretim) ishte në tejkalim të kompetencave të presidentit. Sigurisht, zgjedhjet u bojkotuan nga opozita, PD, LSI, çka bëri që ky proces të shoqërohej me debate, protesta, kontestime etj. E rëndësishme ishte mbajtja e tyre, ndërrimi i organeve të pushtetit vendor që u mbaronte mandati kushtetues, vazhdimësia e punës në shërbim të qytetarëve në gjithë vendin.

Sistemi politik në Shqipëri, si në vendet e BE-së, garanton për të gjithë të drejtën e votës së lirë, të zgjedhë e të zgjidhet. Por nuk ka asnjë mekanizëm apo detyrim ligjor që t’u imponojë forcave politike apo individëve të pavarur të marrin pjesë me kandidaturat e tyre në zgjedhje.

Sigurisht, bojkoti i opozitës me synime politike, solli pasoja negative për procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj kemi një pamjaftueshmëri demokratike e përfaqësimi, si në kuvend, por organet e dala nga zgjedhjet janë legjitime. Sfida e tretë është procedura e kuvendit për shkarkimin e presidentit, e para e këtij lloji në Shqipëri. Konfliktet apo krizat në mosmarrëveshjet mes institucioneve kushtetuese janë normale, madje të shëndetshme për një demokraci që funksionon dhe vetëkorrigjohet në zhvillim e sipër.

Ana pozitive këtu qëndron në maturinë e kuvendit e të ekzekutivit në administrimin e këtij procesi, ndjekja e rrugës ligjore dhe konsultimi me vendet me përvojë demokratike dhe institucionet kompetente (Komisioni i Venecias) etj. Në këtë rast, më shumë se vendimi për presidentin, ka rëndësi procesi i gjykimit, mësimet dhe përvojat që do të dalin prej tij. Bilanc më vete është vazhdimi me sukses i reformës në drejtësi dhe krijimi i institucioneve të reja: Kryeprokurori i Republikës, SPAK etj, largimi nga sistemi i një numri të madh gjyqtarësh e prokurorësh të papërshtatshëm.

BE dhe Washingtoni e kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë këtë reformë, e cila do të hedhë, më në fund, bazat për një shtet të së drejtës edhe në Shqipëri. Merita për këtë u përket ekipeve monitoruese të Komisionit Evropian dhe SHBA-ve, si dhe organeve të vetting-ut të ngritura me specialistët tanë e të huaj që punojnë me përkushtim në këtë proces të vështirë e delikat.

Në sfidat e përballuara me punë të pabujshme e të përditshme gjatë këtij viti duhen përfshirë edhe përgatitjet ligjore e proceduriale për çeljen e negociatave për aderimin në BE dhe marrjen e drejtimit të OSBE-së. Sigurisht, si të gjitha demokracitë, edhe e jona, e re dhe në formim e sipër, ka të meta dhe meriton kritika, madje mjaft të ashpra. Mirëpo, kur i bëjmë këto, duhet të shohim se ky sistem bashkëjeton përherë me kriza dhe zig-zage.

Nga ana tjetër, problemet dhe kontradiktat janë, pak a shumë, të ngjashme kudo, edhe në vendet e zhvilluara. Kështu, belgjit kritikojnë demokracinë e tyre 200-vjeçare, sepse nuk krijohet dot qeveri që pas zgjedhjeve të 26 majit 2019, probleme të tilla kalon Spanja që nga zgjedhjet e 10 nëntorit; politikanët e Brukselit ironizuan keqadministrimin e Brexit-it, derisa Boris Johnson ia doli t’i fitojë zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe t’i japë fund sagës së divorcit, i cili rrëzoi kryeministren paraardhëse, Theresa May; demokracia amerikane pritet të finalizojë procedurën për gjykimin e presidentit Trump në senat etj.

Të tjera ngjarje dhe zhvillime mund të sjellë kalendari i këtij viti të ri, 2020. Winston Churchill shkruante se demokracia është një sistem i keq, por është më pak e keqe se të gjitha sistemet e tjera. Në këtë kuptim mund të konsiderohet edhe ky bilanc apo vit sprove për demokracinë tonë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Kur lufta për pushtet konvertohet në urrejtje për Shqipërinë
Previous article MERO BAZE/ Viti i tërmeteve

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k